Absolventët e Universitetit të Tetovës, të gjeneratës 2017/2018, në prag të përfundimit të studimeve të tyre deridiplomike, festuan mbrëmjen e absolventiadës. Kjo mbrëmje u organizua nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës.

Në mbrëmjen solemne të absolventëve të Universitetit të Tetovës, që u mbajt më 4 maj, mori pjesë edhe Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai i uroi studentët për sukseset që kanë shënuar gjatë studimeve. “Të nderuar absolventë, ju tani e mbaroni me sukses ciklin e parë të studimeve dhe shpresoj se edhe në të ardhmen do t’i vazhdoni studimet në ciklin e dytë dhe ciklin e tretë. Të gjithë jeni dëshmitarë se Universiteti i Tetovës është ombrella e gjithë popullatës tonë që jeton në këto treva. Unë jam i bindur se të gjithë ju në të ardhmen do të ndihmoni në zhvillimin e mëtejmë të Universitetit të Tetovës, qoftë si pjesë e stafit administrativ apo akademik. Ju me kontributin tuaj, jo vetëm që do të ndihmoni në zhvillimin e Universitetit, por edhe të shoqërisë në përgjithësi në Republikën e Maqedonisë. Absolventë të nderuar, ju të gjithë e dini se sot mbi 50% e politikëbërjes në vendin tonë janë kuadër që kanë dalë nga dyert e Universitetit të Tetovës, andaj unë të gjithëve ju dëshiroj shëndet dhe mbarësi në jetën e mëtutjeshme dhe të vazhdoni me këmbëngulje të punoni në ngritjen tuaj profesionale dhe të keni karrierë të suksesshme” – tha Prof. Dr. Vullnet Ameti, Rektori i Universitetit të Tetovës.

Kryetarja e Parlamentit Studentor e Universitetit të Tetovës, Donika Kamberi, në emër të të gjithë absolventëve e falënderoi Rektorin e Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ametin, prorektorët senatorët, dekanët si dhe gjithë stafin akademik dhe administrativ të Universitetit për punën e tyre të pakursyer që kanë bërë në arsimimin dhe edukimin e tyre si dhe për të gjitha ato mundësi dhe shërbime që kanë ofruar për studentët. “Në emër të Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës dhe të gjithë absolventëve të gjeneratës 2017/2018 dua të falënderoj Rektorin Prof. Dr. Vullnet Ametin dhe stafin e tij për mbështetjen e tyre që na kanë dhënë gjatë studimeve. E kam thënë edhe disa herë, por po e përsëris edhe sonte, se ne studentët e Universitetit të Tetovës, kudo që të shkojmë, kudo që të na gjejë e ardhmja në profile të ndryshme, asnjëherë nuk duhet ta harrojmë Universitetin e Tetovës, vatrën e dijes ku ne arritëm që të profesionalizohemi në fusha të ndryshme” – deklaroi Kryetarja e Parlamentit Studentor Donika Kamberi.

Absolventët gjatë tri netëve, gjegjësisht më 3, 4 dhe 5 maj, qëndruan në Hotelin Drin në Strugë për të festuar mbrëmjet e fundit studentore, nën shoqërimin e grupit muzikor Alegro Band, këngëtares Ilire Ismajli dhe Dj Eroll.