Rektori

Rektor i Universitetit Shtetëror të Tetovës, është Prof. Dr. Vullnet Ameti

Të nderuar maturantë,
Miq dhe dashamirë të Universitetit Shtetëror të Tetovës,


Universiteti Shtetëror i Tetovës vitin e kaluar shënoi 17-vjetorin e punës dhe veprimtarisë së tij akademike, dhe me këtë rast shpalosëm sukseset dhe të arriturat në fushën e arsimit, shkencës dhe veprimtarisë së Universitetit.

Me nderim të thellë përulemi para të gjithë atyre studentëve, pedagogëve, asistentëve, që në vitin 1994 themeluan këtë universitet, si promotor kryesor i mendimit të lirë dhe punës shkencore, të cilët gjatë këtyre viteve, në bankat, laboratorët dhe auditorët e këtij Universitetit i realizuan ëndrrat e tyre më të bukura, ëndrrën e madhe universitare të dritës dhe diturisë dhe dhanë ndihmesën e tyre të madhe në zhvillimin  e shoqërisë tonë.

Universiteti ynë në vazhdimësi ka shënuar rezultate të konsiderueshme në të gjitha fushat, dhe në këtë mënyrë vlerësojmë se e ka përmbushur misionin e tij parësor, përgatitjen e kuadrit të ri profesional për zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë sonë.

Universiteti Shtetëror i Tetovës është një institucion me traditë të konsoliduar arsimore dhe veprimtarinë e tij e zhvillon në dy cikle të studimeve, studimet themelore dhe ato të magjistraturës, gati në të gjitha fakultetet dhe programet studimore, në të cilat i  ndjekin studimet mbi 16 mijë studentë, të rregullt dhe me korrespodencë, në studimet themelore, dhe mbi 1000 studentë në studimet e ciklit të dytë, studimet pasuniversitare.

Universiteti ynë Ju ofron të gjithë qytetarëve shërbime dhe mundësi studimi për t’u kualifikuar dhe përgatitur për një të ardhme më të mirë. Rritja e cilësisë së shërbimeve akademike, përsosja e nivelit të mësimdhënies dhe e kërkimeve shkencore arrihen nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë dhe të frytshëm me studentët dhe kuadrin mësimdhënës. Andaj, mund të themi lirisht se USHT është promotor i përfaqësimit studentor duke nxitur funksionimin e pacenueshëm të Parlamentit Studentor si organ i pavarur i studentëve dhe përfshirjen e tyre në procesin e vendimmarrjes.

Sot, Universiteti Shtetëror i Tetovës, përpos veprimtarisë mësimore-shkencore që zhvillohet në 11 fakultete dhe 36 programe studimore, organizon studime të disperzuara edhe në  Shkup, Gostivar, Kumanovë, Strugë, Dibër dhe Kërçovë.

Sa i takon regjistrimit të studentëve të rinj, nga viti në vit numri i tyre rritet, dhe vlen të përmendet se   në vitin akademik 2011/2012 u plotësuan 95 për qind e vendeve të parapara, dhe  në auditorët e USHT-së këtë vit akademik janë ulur mbi 4.500 studentë të rinj, nga të cilët pjesa më e madhe studiojnë me kuotë shtetërore.

Për nevojat e studentëve kemi bërë lehtësime të konsiderueshme në pagesat e të gjitha llojeve, ndërsa përmbi 200 studentë janë liruar plotësisht nga pagesa e semestrave dhe regjistrimi i vitit të studimeve, në bazë të suksesit të arritur, në bazë të përkrahjes dhe solidarizimit me kategoritë e ndryshme të qytetarëve.

Në vazhdimësi punojmë për krijimin e lidhjeve të reja për bashkëpunim me universitet tjera, si nga vendi,  regjioni dhe më gjerë. Universiteti ynë bashkëpunon edhe me një rrjet të gjerë institucionesh të tjera, sidomos nga sektorët që janë të lidhur me veprimtarinë mësimore, hulumtuese dhe veprimtarinë e gjithëmbarshme akademike, ndërsa vazhdojmë ta thellojmë këtë bashkëpunim edhe me sektorin privat, si për nevojat e veprimtarisë hulumtuese të kuadrit universitar, si për angazhimin e kuadrit profesional të tyre në procesin mësimor-shkencor në katedrat e Universitetit ku ka nevojë, ashtu edhe për nevojat realizimit të punës praktike të studentëve tanë në këto ndërmarrje, ku hulumtohen sidomos mundësitë e krijimit të vendeve punës për studentët e diplomuar të Universitetit tonë.

Drejtuesit e Universitetit një rëndësi të posaçme i kushtojnë organizimit të aktiviteteve dhe manifestimeve të shumta shkencore, tribunave dhe debateve, disa prej të cilave realizohen në bashkëpunim me institucionet tjera arsimore nga vendi dhe nga jashtë.

Këto janë vetëm disa nga rezultatet që ne kemi arritur, ndërsa edhe në të ardhmen do të vijojmë me angazhimin e përbashkët në realizimin e synimeve tona.

Universiteti Shtetëror i Tetovës, është i përgatitur dhe i motivuar për t’u përballuar me sfidat e ndryshme të globalizimit dhe integrimit të arsimit të lartë, dhe në këtë mënyrë jemi të përqendruar për ta kthyer Universitetin tonë në një qendër rajonale për arsimimin e gjeneratave të reja.

Të nderuar maturantë, më lejoni të Ju falënderoj për përzgjedhjen Tuaj të drejtë për të vijuar studimet në Universitetin Shtetëror të Tetovës, dhe përmes këtij Udhëzuesi do të informoheni në detaje për mënyrën e aplikimit dhe detyrimet Tuaja. Besojmë se këto informacione do ta lehtësojnë procedurën e regjistrimit në institucionin tonë.

Ju mirëpresim…

Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës

Prof. Dr. Vullnet Ameti

  • email Email shokëve
  • print Printo
Universiteti Shtetëror i Tetovës
image Me një akademi solemne, sot në Universitetin e Tetovës u shënua 109 vjetori i
image Studentët dhe profesorët e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, të Fakultetit Filologjik të
image “Sfidat e sigurisë dhe standardet universale në procesin e integrimit  euroatlantik”, ishte tema e
image Një delegacion i Universitetit të Tetovës, nga Parlamenti Studentor dhe Qendra për shërbime studentore
image Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë i Universitetit të Tetovës, 14 Nëntorit - Ditës ndërkombëtare