Rektori i USHT-së, Doc. Dr.Vullnet Ameti dhe Rektori i UT-së, Prof. Dr. Dhori Kule bashkërendojnë aktivitetet për 100 vjetorin e Pavarësisë
Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Doc.Dr.Vullnet Ameti i shoqëruar nga Prorektori për arsim, Doc.Dr.Fehari Ramadani dhe Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr.Arbër Çeliku, si dhe Dekani i FSHMN-së, Prof.Dr.Fauzi Skenderi dhe Dekani i Fakultetit Filozofik, Doc.Dr.Fatbi Osmani e vizituan sot Universitetin e Tiranës. Delegacioni i USHT-së u prit nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule, i cili me këtë rast theksoi se kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë në drejtim të vlerësimit dhe forcimit të bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy institucioneve akademike. Në fjalën e tij, Rektori i Universitetit të Tiranës theksoi se me Universitetin Shtetëror të Tetovës do të bashkëpunohet në dy drejtime kryesore. Së pari, në organizimin e një aktiviteti të përbashkët në javën e dytë të muajit nëntor, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Aktivitet i cili do të jetë një rast i mirë për të prezantuar dhe promovuar vlerat universitare dhe intelektuale që universitetet kanë në të gjitha trojet e veta, theksoi Rektori Dhori Kule.
Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Doc. Dr. Vullnet Ameti shprehu gatishmërinë e këtij institucioni për të bashkëpunuar me Universitetin e Tiranës në të gjitha drejtimet e përmendura nga Rektori i UT-së gjatë fjalës së tij. Gjithashtu, ai theksoi se të gjitha fushat e studimit që kanë të dy universitetet krijojnë mundësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe organizimin e aktiviteteve me interes të përbashkët.
Në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, universiteti ynë i kushton vëmendje të veçantë bashkëpunimit me universitetet shqiptare, duke mos harruar në asnjë rast ndihmesën që këto universitete i kanë ofruar USHT-së që nga themelimi e deri më sot, tha mes tjerash Rektori i USHT-së, Doc. Dr. Vullnet Ameti
Në këtë takim u tha se do të intensifikohen më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit me Universitetin Shtetëror të Tetovës. Duke pasur edhe mbështetjen e Qeverisë shqiptare do të bashkëpunohet për të ndihmuar stafin akademik të Universitetit Shtetëror të Tetovës në drejtim të kualifikimit të mëtejshëm të këtij kuadri. Në fjalën e tij, Rektori Dhori Kule vuri në pah se dhe shkëmbimet e studentëve dhe stafit akademik do të jenë prioritet i bashkëpunimit institucional mes dy institucioneve. Do të fuqizohet bashkëpunimi për sa i takon kuotave të veçanta që u akordohen studentëve që vijnë nga trojet tjera, aktivitetet e përbashkëta kërkimore-shkencore, si dhe ndjekjen e studimeve në të dy Universitetet. Në përfundim të fjalës së tij, Rektori i Universitetit të Tiranës e vuri theksin edhe te projektet e përbashkëta duke i kushtuar rëndësi bashkëpunimit me Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Në fund të takimit, Rektorët e të dy Universiteteve ju përgjigjën pyetjeve të përfaqësuesve të mediumeve që lidheshin me fushat konkrete të bashkëpunimit mes dy institucioneve akademike. Kështu, Rektori i Universitetit të Tiranës përmendi bashkëpunimin e suksesshëm në drejtim të fushave të mjekësisë, ekonomikut, jurisprudencës, shkencave sociale, historisë etj. Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës u pyet në lidhje me qëndrimin e tij për hartimin e teksteve të përbashkëta për gjuhën shqipe dhe historinë në diasporë. Ai shprehu qëndrimin e tij pozitiv për ta mbështetur këtë iniciativë të Ministrisë së Arsimit.
Zyra për Informim






Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb