Studentët e UT-së diskutuan për varfërinë në vendin tonë

image

Klubi i sociologëve ,,Fehmi Agani” i Fakultetit Filozofik i Universitetit të Tetovës, më 22 dhjetor 2016, organizoi debat, me temë ,,Varfëria pika e zezë e shoqërisë”. Shefi i Katedrës së Sociologjisë, Prof. dr. Ibish Kadriu tha se ky debat i organizuar nga studentët tregon për përkushtimin e tyre në trajtimin e temave të ndryshme sociale, duke i inkurajuar studentët, respektivisht Klubin e Sociologëve ,,Fehmi Agani” të UT-së, që edhe në të ardhmen të punojnë në realizimin e projekteve të tyre dhe në këtë mënyrë ta ndihmojnë shoqërinë në përgjithësi.

Kryetarja e Klubit të Sociologëve ,,Fehmi Agani”, studentja Gresa Lita tha se ky debat është realizuar me vetë faktin se në vendin tonë kriza e rëndë e varfërisë, më së shumti po i rëndon familjet sociale, dhe e kanë shumë të vështirë t’i sigurojnë gjërat elementare të jetesës. ,,Në periudhën e fundit dhjetëvjeçare, largimi i qytetarëve nga Maqedonia ka shënuar shifra alarmante, duke e bërë emigrimin nga vendi një dukuri që bie në kundërshtim me të gjitha të dhënat dhe statistikat zyrtare sa i përket varfërisë dhe rritjes ekonomike në vend. Nga dita në ditë në Maqedoni po shënon rritje numri i atyre të cilët të ardhmen e shohin jashtë vendit”, shtoi mes tjerash Lita.

Ndërsa studentja Rejhane Luma, në këtë debat kryesisht u fokusua tek varfëria si koncept, ku vuri në dukje se ky fenomen është një dukuri komplekse që përfshin dimensione të ndryshme të mangësive dhe është një koncept multidimensional. ,,Varfëria për shumë familje nënkupton pamundësinë e qasjes në botën e mundësive të mjaftueshme dhe shkakton pasiguri të mëdha ushqimore, por edhe shoqërore. Varfëria paraqet mungesën e të mirave materiale, ku gjysma e popullatës në botë vuan nga mjerimi i tepërt, përballen me mungesë të ujit, ushqimit, veshmbathjes, domethënë gjëra elementare, kurse pjesa tjetër këto gjëra i ka me bollëk dhe madje i hedh në mbeturina. Ky fenomen ndodh edhe tek ne dhe duke pasur parasysh të gjitha këto mangësi, popullata shkon drejtë një kaosi tragjik, ku nuk mungojnë sëmundjet dhe vdekjet e shumta”, tha Luma.

Kurse studenti Jeton Fazlija u shpreh se nuk duhet pritur nga të varfrit, që ata vetë ta ndryshojnë gjendjen e tyre, ngase përballen me mungesa të shumta. ,,Sot, një e katërta e popullsisë botërore jetojnë në varfëri të rëndë dhe të izoluar nga shoqëria. Vetë niveli i lartë i varfërisë është i padiskutueshëm. Të varfër gjejmë gjithandej, tek të afërmit, në lagje, në shkollë, në punë dhe kudo në botë. Se çdo të thotë varfëri, e di vetëm ai që e ka përjetuar, ndoshta edhe njëherë të vetme në jetë”, deklaroi Fazlija.

Por, studentja Yllza Musai vlerësoi se nga varfëria në Maqedoni, 180 mijë qytetarë jetojnë me më pak se 100 denarë në ditë. ,,Në vendin tonë mendoj se rroga mesatare e një të punësuari duhet të jetë më shumë se 500 euro në muaj, që një familje të ketë jetë solide dhe t’i mbulojë shpenzimet mujore, por këtu investohet në gjëra të panevojshme, në përmendore e statuja, ndërsa rroga minimale e një të punësuari nuk arrin as në 200 euro dhe kjo për një familje është e papërballueshme”, vlerësoi Musai.

Sipas studentes Afrona Mashkulli, varfëria sot është në çdo pjesë të shoqërisë tonë. Ajo tha se, kësaj problematike sot shumë pak i kushtohet rëndësi. ,,Është për të ardhur keq, ne si shoqëri sot e kemi shumë të vështirë të përballemi me këtë fenomen të trasuar, dikush ka shumë, e dikush nuk ka asgjë, sigurisht që kjo nuk është e drejtë, ato të cilët duhet ta zgjedhin këtë problem heshtin, kurse ne të tjerët nuk kemi se si t’i ndihmojmë ata që kanë nevojë, ne jemi të vetëdijshëm se ky problem na vret ngadalë të gjithëve dhe na e vjedh për çdo ditë shpresën për një jetë më të mirë”, theksoi  Afrona Mashkulli.

Në këtë debat, po ashtu u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër, i realizuar nga studentja e sociologjisë, Edona Dauti, kushtuar varfërisë në vendin tonë.

 

Zyra për informim

  • email Email shokëve
  • print Printo
Universiteti Shtetëror i Tetovës
image Universiteti i Tetovës, në bashkëpunim me Qendrën kërkimore-shkencore ,,Nobel” nga Republika e Turqisë, prej
image Në Universitetin e Tetovës, sot filloi afati i parë i regjistrimit të studentëve për
image Universiteti i Tetovës, përkatësisht Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, me aktivitete të ndryshme
image Në Universitetin e Tetovës, sot u organizuan zgjedhjet për Rektor për mandatin e ardhshëm
image Kandidati për Rektor i  Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, sot përpara stafit