Rektori i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti: 17 shkurti, datë e ndritshme e arsimit sipëror në gjuhën shqipe

image

Me rastin e 22 vjetorit të ligjëratave të para, në emër të studentëve, profesorëve dhe punonjësve të tjerë, kam kënaqësinë e veçantë t’Ju uroj në këtë ditë të shënuar të Universitetit të Tetovës.

Kjo datë shënon ditën më të ndritshme të arsimit sipëror në gjuhën shqipe dhe ditën e veçantë për shqiptarët e Maqedonisë, sepse vendimi historik për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe ishte një hap historik dhe vizionar, për zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të çështjes së arsimit sipëror në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, ndërsa fillimi i ligjëratave të para shënon datën e fitores së madhe të arsimit mbi padrejtësitë shekullore, shovinizmin dhe barbarinë mbi arsimin në gjuhën tonë amtare.

Më 17 shkurt të vitit 1995, në fshatin Poroj u mbajtën ligjëratat e para të Universitetit të Tetovës, i cili atë kohë ishte i kontestuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Po të njëjtën ditë, në fshatin Reçicë e Vogël, nisja e ligjëratave u shoqërua edhe me konfrontim mes qytetarëve dhe policisë, i cili përfundoi me shumë të lënduar, të burgosur dhe me rënien e dëshmorit të arsimit në gjuhën shqipe, Abdylselam Emini.

Sot, më 17 shkurt 2017, ne drejtuesit e Universitetit,  mësimdhënësit dhe studentët, i përkujtomë këto ngjarje, i  përkujtojmë ligjëratat e para të mbajtura nga profesorët e Universitetit të parë shqiptar në Maqedoni.

Ende janë të freskëta kujtimet që na e sjellin pamjen e asaj kohe, kur Universiteti i Tetovës ishte më shumë se një institucion arsimor, ishte një tempull i shenjtë i diturisë që po lindte në horizontin e dritës dhe diturisë për një të ardhme më të ndritur të brezave të rinj.

Përmes këtij urimi, i uroj nga zemra drejtuesit, profesorët dhe studentët e gjeneratës së parë të Universitetit,  qytetarët e Tetovës, të cilët i shndërruan shtëpitë e tyre në mësonjëtore të para të këtij tempulli, Bashkësinë Islame në vendin tonë, si dhe të gjithë ata që e përkrahën financiarisht këtë institucion, në të gjitha format dhe me të gjitha mundësitë. I falënderoj profesorët që erdhën nga të gjitha anët e vendit tonë, sidomos profesorët nga Tirana dhe Prishtina, të cilët vite me radhë mbajtën ligjërata dhe ushtrime me studentët e këtij Universiteti, nën kërcënimin e policisë dhe në të shumtën e rasteve pa pagesë dhe në kushte tejet të vështira.  

Në fund, edhe njëherë Ju uroj suksese në punën e tuaj arsimore-shkencore, hulumtuese dhe aplikative, me dëshirat më të mira për Ju në përmbushjen e misionit tonë të përbashkët, për ardhmëri më të lumtur të brezave të rinj, për përparimin e vendit dhe progresin e përgjithshëm.

 

Zoti e bekoftë Universitetin e Tetovës! 

  • email Email shokëve
  • print Printo
Universiteti Shtetëror i Tetovës
image   Këshilli i Rektoratit i Universitetit të Tetovës në mbledhjen e mbajtur më 18 maj
image Në Universitetin e Tetovës, sot i filloi punimet Konferenca III Ndërkombëtare e Shkencave të
image Në Universitetin e Tetovës u organizua aktiviteti vjetor kulturor ,,Ura me tri harqe”, që
image Apsolventët e gjeneratës 2016/17 të Universitetit të Tetovës, me një mbrëmje festive e shënuan
image Një delegacion i profesorëve dhe studentëve të Universitetit ,,Utah Valley” nga Shtetet e Bashkuara