UT debatoi për shkollën dhe arsimin në shekullin 21

image

Në Universitetin e Tetovës, më 10 mars 2017, “Java e veçantë studimore”, u përmbyll me  debatin shkencor,  me temë: ,,Shkolla dhe arsimi në shekullin 21”, ku diskutuan emra eminentë të fushës së arsimit, në mesin e të cilëve edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Arsim Bajrami. Në këtë takim, përveç ministrit Bajrami, të ftuar kanë qenë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë, Pishtar Luftiu dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Përfaqësuesi i Shoqatës “Arsimi” nga Zvicra Doc. Dr. Mahir Mustafa u shpreh i kënaqur se aktiviteti i lartpërmendur përmbyllet me këtë debat i cili i trajton çështjet arsimore, sfidat e shkollës shqipe që nga hapja e saj e deri më sot. Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij për pjesëmarrësit, ekspertët e arsimit shqip të cilët pa hezitim e mbështetën këtë debat.

Dekani i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fatbi Osmani, i cili tha se qëllimet e manifestimit ,,Java e veçantë studimore” kanë qenë të shumta dhe studentët kanë pasur mundësi që t’i zgjerojnë njohuritë e tyre teorike dhe të pasurojnë praktikën mësimore; të jenë në gjendje që në mënyrë kritike të merren me vetveten, të rishikojnë normat dhe vlerat, qëndrimet dhe botëkuptimet personale; të kuptojnë profesionin e mësuesit-edukatorit e kështu me radhë. ,,Qëllimet që i theksuam më lartë padyshim kërkojnë në vazhdimësi, që puna të jetë punë, vlera të jetë vlerë, ndërsa kompetenca të jetë kompetencë, aq më shumë kur kemi parasysh se shkolla e sotme ballafaqohet me sfida të shumta. Aspektet e brendshme dhe të jashtme të shkollës ecin ngadalë, ndërsa bota e qytetëruar nuk njeh vendnumërim në vrapin pas diturive, shkollës dhe arsimit”, tha Prof. Dr. Fatbi Osmani.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Arsim Bajrami, në fjalën e tij vlerësoi se rruga drejt ndërtimit të një arsimi cilësor shkon përmes mësimdhënësve të përgatitur dhe për ta arritur këtë nivel duhet stimuluar mësuesit e rinj duke u siguruar kushtet e nevojshme.

,,Arsimi ynë sot përballet me tri sfida shumë serioze: si të sigurojmë respekt për mësuesit; si të sigurojmë mësues me autoritet dhe si ta stimulojmë mësuesin në punën e tij", vlerësoi Prof. Dr. Arsim Bajrami. 

Dekani i Fakultetit Filologjik i Universitetit të Tetovës, Doc. Dr. Fatmir Sulejmani, duke ju referuar reformave arsimore në Maqedoni u shpreh se gjatë dy dekadave të shkuara janë bërë një sërë përpjekjesh për modernizimin dhe reformimin e sistemit arsimor, janë organizuar shumë seminare, janë shfrytëzuar mjetet materiale të shumë fondacioneve për projekte të panumërta nga jashtë e nga brenda vendit, por gati të gjithë kanë rezultuar të pasuksesshëm dhe, si të tillë, janë braktisur në fazën e zbatimit praktik të risive. ,,Natyrisht, kjo kohë e humbur në kërkim të modeleve më të përshtatshme dhe më bashkëkohore të mësimdhënies dhe të përgatitjes së kuadrove të aftë për jetën dinamike të së sotmes ka lënë pasoja të dukshme, sepse shumëçka nuk është në përputhshmëri me nevojat e nxënësve të shekullit XXI - fëmijëve të epokës digjitale, në të cilën gjërat vjetrohen sa çel e mbyll sytë. Kjo është e kushtueshme për breza të tërë të rinjsh, që vazhdojnë të jenë peng i vorbullave të krijuara prej njerëzve dhe institucioneve më të thirrura për të ndryshuar gjendjen, për të përgatitur terrenin e nevojshëm për kalim më të lehtë nëpër kapërcellin e ndërrimit të sistemeve, që në mënyrën më të drejtpërdrejtë përndjehet në sferën e arsimit”, theksoi Doc. Dr. Fatmir Sulejmani.

Profesori universitar nga Republika e Shqipërisë, Prof. Dr. Adem Tamo theksoi se në trojet shqiptare ka mësues shumë të mirë, si dhe nxënës me talent të jashtëzakonshëm, por sipas tij mungesa e mbështetjes institucionale për mësuesit ndikon tek zhvillimi i talentit të fëmijëve. Ai, po ashtu foli edhe për  ,,Testin e Pizza-s, të cilin e vlerësoi si test për sistemin arsimor".

Ndërsa Prof. Dr. Xheladin Murati, duke folur mbi sfidat e arsimit në Maqedoni, u shpreh mjaftë i zhgënjyer me politikat arsimore. Ai, madje theksoi se është e papranueshme që ministër i arsimit të emërohet ,,dikush", që nuk është ,,takuar" asnjëherë me ditarin.

Profesori universitar nga Republika e Kosovës, Prof. Dr. Dukagjin  Popovci, duke folur për rolin dhe pozitën e mësuesit, si dhe shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me arsimin, si në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, deklaroi se është e domosdoshme që të ketë një bashkëpunim ndërinstitucional midis tri ministrive dhe të hartohet një program i përbashkët mësimor, si për arsimin e ulët po ashtu edhe për atë të mesëm dhe të lartë.

Në këtë debat i pranishëm ishte edhe profesori universitar nga Shqipëria, Prof. Dr. Musa Kraja. Ai më së shumti u fokusua në motivimin e studentëve të rinj për ta dashur profesionin  e mësuesit. Sipas tij, mësuesit janë ata që edukojnë një brez të tërë dhe mu për këtë, një mësues i mirë duhet t’i motivojë nxënësin e tij që të ndjek hapat e mësuesit të tij, që të nesërmen kur dikush ta pyes se çfarë dëshiron të bëhesh, ai të përgjigjet: dua të bëhem mësues, si mësuesi im.

Po ashtu, në këtë debat u parashtruan edhe një sërë pyetjesh nga të pranishmit në auditor, kurse panelistët për pjesëmarrjen e tyre në këtë debat shkencor i falënderoi rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili njëherit u ndau edhe disa dhurata simbolike.

Debati me temë ,,Shkolla dhe arsimi në shekullin 21” u organizua në kuadër të aktivitetit ,,Java e veçantë studimore”, e cila u organizua nga Fakulteti Filozofik i universiteti tonë dhe Shoqata ,,Arsimi” nga Zvicra, në vigjilje të festës së 7 Marsit, e njohur ndër ne shqiptarët si Dita e Mësuesit, apo Dita e arsimit dhe shkollës shqipe.

 

Zyra për informim

  • email Email shokëve
  • print Printo
Universiteti Shtetëror i Tetovës
image Studentët e programit studimor Filologji orientale (Orientalistikë) të Universitetit të Tetovës edhe këtë vit
image Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës në bashkëpunim me
image Studentët e Fakultetit të Kulturës Fizike të Universitetit të Tetovës, muajin e kaluar morën
image Në kuadër të afatit të parë të regjistrimeve për studentët e rinj të vitit
image Universiteti i Tetovës, në bashkëpunim me Qendrën kërkimore-shkencore ,,Nobel” nga Republika e Turqisë, prej