UT organizoi Konferencën IV Ndërkombëtare Ballkanike të Shkencave Sportive

image

Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit të Tetovës e organizoi Konferencën IV Ndërkombëtare Ballkanike të Shkencave Sportive. Kjo konferencë tuboi në ambientet e Universitetit të Tetovës, studiues të shumtë nga vendi dhe rajoni, në mesin e të cilëve edhe dekanët e Fakulteteve të Shkencave Sportive si, Prof. Dr. Abedin Bahtiri, dekan i Kolegjit ,,Universi”- Prishtinë, Prof. Dr. Musa Selimi, dekan i Fakultetit të Shkencave Sportive nga Universiteti i Prishtinës, si dhe Prof. Dr. Fatmir Pireva, dekan i Kolegjit ,,AAB” – Prishtinë. Në hapjen solemne të Konferencës, përveç studiuesve dhe mysafirëve, të pranishëm ishin edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, dekanë, senatorë, profesorë dhe studentë.

Të pranishmëve, me fjalë përshëndetëse ju drejtua Prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili, i cili theksoi se kjo konferencë shkencore, e katërta me radhë e organizuar nga Fakulteti i Kulturës Fizike, përveç prezantimit të studimeve dhe arritjeve të reja shkencore në  lëmin e sportit, do të ndikojë edhe në rritjen  ndërgjegjësimit të shoqërisë sonë për  vlerat e edukimit fizik dhe përfitimet nga aktivitetet sportive. ,,Në funksion të përmbushjes së objektivave në lëmin e sportit, shtetet e zhvilluara dhe autoritet e tyre përkatëse, investojnë  fuqishëm  për  të  inkurajuar  kërkimin shkencor,  edukimin  fizik  dhe  zhvillimin e sportit  në tërësi. Këto prioritete ndërkombëtare tashmë janë bërë pjesë e veprimtarisë shkencore në Universitetin tonë dhe zënë vendin parësor në angazhimet tona të përbashkëta për avancimin e mëtutjeshëm të  kërkimeve shkencore. Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti i Kulturës Fizike, tashmë gëzon përvojën e duhur për të realizuar tubime të këtij niveli shkencor, sikundër po e përmbushë me sukses edhe misionin e edukimit të gjeneratave të  tëra, të cilat me shumë entuziazëm dhe sukses i avancojnë shkathtësitë e tyre sportive edhe më tej dhe i pasurojnë me dije të nevojshme teorike, në mënyrë që të arrijnë kualifikimet përkatëse, në pajtim me dispozitat ligjore të vendit tonë dhe të njohura ndërkombëtarisht, si mësimdhënës të kulturës fizike dhe profesionistë të kësaj fushe”, tha Prof. Dr. Reshat Qahili.

Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. Dr. Ajri Ziba u shpreh se fakulteti që ai drejton në kuadër të Universitetit të Tetovës,  ka vënë bazat e një tradite të mirëfilltë në edukimin e brezave të rinj në fushën e Kulturës Fizike dhe Sportive. ,,Në gjirin e këtij Fakulteti janë përgatitur profesionalisht disa gjenerata studentësh, të cilët me zell e përkushtim janë pajisur me dijet e nevojshme në këtë fushë dhe janë të gatshëm që me njohuritë dhe shkathtësitë e fituara, të japin kontributin e tyre në shoqërinë e vendit tonë dhe më gjerë. Ky Fakultet, në gjirin e vetë vazhdon të regjistrojë të rinj dhe të reja, sportistë e sportiste të njohura, të cilët me shumë entuziazëm dhe sukses i avancojnë shkathtësitë e tyre sportive edhe më tej dhe i pasurojnë me dije të nevojshme teorike dhe praktike, në mënyrë që të arrijnë kualifikimet përkatëse, në pajtim me dispozitat ligjore të vendit dhe të njohura ndërkombëtarisht, si profesorë të kulturës fizike dhe profesionistë të kësaj fushe”, shtoi Prof. Dr. Ajri Ziba.

Koordinatori i konferencës, Prof. Dr. Fadil Mamuti tha se në këtë konferencë marrin pjesë mbi 100 studiues nga vendi dhe rajoni. ,,Studiuesit në Konferencën e Katërt Ndërkombëtare të Shkencave Sportive do të prezantojnë punimet e tyre që paraprakisht janë pranuar nga Bordi Shkencor i Konferencës dhe janë botuar në librin e abstrakteve. Kjo konferencë do të trajtojë temat në vijim: Edukimi fizik, Sporti, Shëndeti, Menaxhimi, Forcat e sigurimit, Personat me nevoja të posaçme, Nutricizmi, Struktura antropologjike e adoleshentëve, Seleksionimi i sportistëve, Ligji mbi sportin, Karakteristikat psiko-sociale të nxënësve, Nxënësit e shkollave rurale dhe urbane, Biomekanika, Vlerësimi në procesin edukativ-arsimor”, tha mes tjerash Prof. Dr. Fadil Mamuti.

Në hapjen solemne të Konferencës IV Ndërkombëtare Ballkanike të Shkencave Sportive, Fakulteti i Kulturës Fizike promovoi edhe numrin e 6 të revistës shkencore ,,Journal of Sport and Health”. Ndërsa Prof. Dr. Hazir Saliu nga Fakulteti i Shkencave Sportive i Universitetit të Prishtinës mbajti një ligjëratë me temë: ,,Zhvillimet dhe kontributet e vlefshme gjatë kohës së bashkëpunimit tonë të vlefshëm ndër vite – dekada”.

 

Zyra për informim

  • email Email shokëve
  • print Printo
Universiteti Shtetëror i Tetovës
image Universiteti i Tetovës, përkatësisht Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, me aktivitete të ndryshme
image Në Universitetin e Tetovës, sot u organizuan zgjedhjet për Rektor për mandatin e ardhshëm
image Kandidati për Rektor i  Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, sot përpara stafit
image Studentët e Ciklit të dytë të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit të
image Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore i Universitetit të Tetovës organizoi Konferencën e parë shkencore ndërkombëtare.