Universiteti i Tetovës i laureoi me titullin Doctor Honoris Causa, Prof. Dr. Lisa Freeman dhe Prof. Dr. David L.Phillips

image

Me një akademi solemne të organizuar në Universitetin e Tetovës, më 31 maj 2017, Zëvendëskryetarja Ekzekutive e Universitetit të Ilinoisit Verior, Prof.Dr. Lisa C. Freeman dhe  Drejtori i Programit për ndërtimin e paqes dhe të drejtave të njeriut i Institutit për Studimin e të Drejtave të Njeriut i Universitetit të Kolumbisë, Prof.Dr. David L. Phillips, u laureuan me titullin më të lartë shkencor, Doctor Honoris Causa.

Akademinë e shpalli të hapur Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve tha se këtë çmim Universiteti i Tetovës e ndan për personalitete të njohura, të cilët shënojnë arritje të jashtëzakonshme, duke dhënë kontributin e tyre të pashoq në avancimin e shkencës në përgjithësi dhe mbrojtjen e parimeve të të drejtave dhe lirive universale. ,,Universiteti i Tetovës, krahas angazhimit fisnik intelektual dhe mbështetjes së popullatës të këtyre trevave, është edhe rezultat i angazhimit të kahershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ta vënë të drejtën në vend, që shqiptarët e Maqedonisë të mund të shkollohen në gjuhën e tyre amtare dhe, në këtë mënyrë, të mos mbeten edhe më tej në errësirën e imponuar nga regjimet e ndryshme ndër shekuj, por ta marrin në duar fatin e vet dhe të hapërojnë drejt dijes, qytetërimit botëror dhe demokracisë. Vizioni i politikave të shëndosha të SHBA-ve kundrejt shqiptarëve gjithmonë ka rezultuar si një vizion par exselancë, që ka sjellë ndryshime rrënjësore në shoqëritë tona, prandaj ne si popull u jemi borxh SHBA-ve dhe e kemi obligim moral, duke ju referuar edhe traditave tona të lashta, që ato t’i shohim si mikun e shpirtit. Pa angazhimin e SHBA, sot do të ishte vënë në pikëpyetje ekzistenca jonë, Universiteti i Tetovës nuk do të kishte pësuar këtë zhvillim të hovshëm, populli ynë nuk do ta gëzonte lirinë e zhbërë, demokracia do të ishte vetëm një nocion abstrakt, kurse hendeku dhe disbalanca shoqërore do të kishin përmasa të paimagjinueshme. Në ditën e sotme ne nuk nderojmë vetëm dy figura të shquara të shoqërisë amerikane, por shprehim mirënjohjen tonë të thellë ndaj një kombi mik, ndaj angazhimit permanent politik të qeverive të SHBA-ve në të mirë të arsimit shqip dhe çështjes tonë kombëtare. Universiteti i Tetovës kurrë nuk do ta harrojë vitin 1994, kur në krye të demonstratave, krah rektorit themelues, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, për arsimin shqip në Tetovë qëndronte kongresmeni Joseph DioGuardi me bashkëshorten e tij”, tha Rektori Prof.Dr. Vullnet Ameti.

Ai, po ashtu shtoi se Universiteti i Tetovës kurrë nuk do ta harrojë kontributin e çmuar të komgresmenësve dhe diplomatëve amerikanë si, Bob Dol, Eliot Engel, Marshall Harris, Riçard Holbruke, Medlin Olbrajt, Xhejms Pardju etj., për angazhimin e palodhur dhe lobimin e tyre të vazhdueshëm në aktualizimin e çështjes shqiptare botërisht. ,,Universiteti i Tetovës kurrë nuk do ta harrojë vendosmërinë dhe ndërhyrjen e SHBA-ve me aleatët e saj në parandalimin e gjenocidit dhe sjelljen e lirisë në Kosovë. Universiteti i Tetovës, po ashtu, kurrë nuk do ta harrojë angazhimin e politikës amerikane në parandalimin e konfliktit në vitin 2001 në Maqedoni, i cili mund të kishte pasoja katastrofale për të gjithë ne, por edhe angazhimin e vazhdueshëm deri më sot, për amortizimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe kapërcimin e krizës së fundit politike në vend, e cila mund të rezultonte me pasoja të rënda për mirëqenien tonë. Dy personalitetet, që ne sot i shpallim Doctor Honoris Causa të Universitetit të Tetovës, shquhen si për angazhimin e tyre politik e shoqëror, ashtu edhe për kontributin e tyre shkencor me përmasa globale. Profesori David L. Phillips tashmë është i njohur për mbarë publikun në rajonin e Ballkanit. Ai, për rreth 3 dekada, merret intensivisht me çështjen shqiptare dhe kontributi i tij do të mbetet i pashpagueshëm në historinë e popullit shqiptar. Përveç si diplomat dhe lobist, ai ka kontribuar në aktualizimin e çështjes shqiptare edhe si akademik, duke botuar me mijëra artikuj nëpër revista prestigjioze botërore, si Hantington Post, Zëri, Shekulli, etj. Historiografisë botërore dhe asaj shqiptare i ka sjellë edhe një vepër voluminoze ,,Çlirimi i Kosovës”, të botuar një vit më parë nga Universiteti i Tetovës, në të cilën ai hedh dritë mbi të vërtetën e kombit shqiptar për liri e pavarësi. Prof. Dr. Lisa C. Freeman është Zëvendëspresidente e Universitetit të Ilinoisit Verior (NIU) dhe një aktiviste e shquar për të drejtat e komuniteteve, ku bën pjesë edhe komuniteti shqiptar në numër të madh në shtetin e Ilinoisit. Në saje të angazhimit të saj, sot Universiteti i Tetovës ka një partner të fuqishëm në SHBA dhe korpusi i bashkëpunimit ndëruniversitar i ngërthen thuajse të gjitha sferat: hulumtimin e institucionalizuar shkencor, konferencat e përbashkëta shkencore, shkëmbimin e stafit akademik dhe studentor, si dhe jemi në përgatitje e sipër të programeve të përbashkëta studimore. Ideja jonë për të themeluar një Qendër për paqe dhe komunikim transkulturor, për të qenë më afër komunitetit të gjerë, si këtu te ne ashtu edhe në shtetin e Ilinoisit, është mbështetur fuqishëm nga profesoresha Freeman dhe ekipi i saj dhe tashmë po i shohim frytet e para: këtë vit u mbajt edhe konferenca e parë në Tetovë, e cila mblodhi në gjirin e vet studiuesit me emër në këtë fushë nga Maqedonia, rajoni dhe SHBA, kurse më 2 nëntor, konferenca e radhës do të mbahet në Çikago, me ç’rast njëri ndër folësit kryesorë të konferencës do të jetë ambasadori Xhejms Perdju, anëtar nderi i komunitetit akademik të Universitetit të Tetovës”, u shpreh mes tjerash Prof.Dr. Vullnet Ameti, Rektori i Universitetit të Tetovës.

Gjithashtu Rektori Prof.Dr. Vullnet Ameti në fjalën e tij theksoi edhe bashkëpunimin e frytshëm që Universiteti i Tetovës e ka në vazhdimësi me Ambasadën e SHBA-ve në Shkup, sidomos në sferën e arsimit, në kuadër të së cilit bashkëpunim kemi pasur një numër të konsiderueshëm profesorësh amerikanë, të cilët pikërisht në saje të ndërmjetësimit të Ambasadën Amerikane, përmes Programit Fullbrajt kanë kontribuuar në mësimdhënie dhe trajnime për një semestër, respektivisht një vit akademik. Në mesin tonë e kemi të pranishme Profesoreshën nga Universiteti i Floridës, Prof. Dr. Xhudith Ane, e cila gëzon respekt të veçantë ndër kolegët dhe studentët e Fakultetit juridik të Universitetit të Tetovës për punën e saj të përkushtuar akademike dhe profesionalizmin e treguar. Të gjitha këto parametra, dëshmojnë qartë për punën dhe misionin tonë. Qëllimi ynë parësor është që, në sajë të respektimit të vlerave akademike dhe përvojave të mira ndërkombëtare, të ndërtojmë një universitet modern dhe konkurrues, jo vetëm në rajon, por edhe në arenën ndërkombëtare. Dhe e gjithë kjo nuk arrihet vetëm, por me miq dhe partnerë të fuqishëm. Rinia jonë pret prej nesh, ajo do të ecë rrugës që do t’ia trasojmë ne dhe kjo rrugë shpie drejt vlerave konsistente, siç janë: arsimimi i mirë, tendenca për një demokraci të qëndrueshme dhe respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut pa marrë parasysh përkatësinë etnike, racore a fetare. Prandaj, duhet që ne bashkërisht t’i mbledhim forcat dhe të krijojmë platforma afatgjata, që do të vënë bazat e një shoqërie të shëndoshë, ku toleranca dhe respekti për tjetrin do të jenë strumbullari i domosdoshëm i ardhmërisë”, shtoi më tej Rektori Prof.Dr.Vullnet Ameti.

Kryetari i Komisionit recensues, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i UT-së, Prof. Dr. Arbër Çeliku lexoi referatin për Prof.Dr. Lisa C. Freeman, ku mes tjerash theksoi: ,,Profesoresha znj. Freeman studimet themelore për doktore të mjekësisë veterinare i ka kryer në vitin 1981, duke u thelluar më tej në këtë fushë gjatë studimeve master dhe studimeve doktorale, të cilat i ka kryer në vitin 1986 në Cornell University. Ajo ka kryer edhe një doktoratë të dytë në fushën e farmacisë në Ohio State University në vitin 1989. Nga viti 1989 deri në vitin 1994 ajo i ka vazhduar studimet postdoktorale, duke qenë edhe si punonjëse shkencore në Universitetin Rochester School of  Medicine. Nga viti 2004 deri 2005, ajo ka qenë bursiste e Këshillit Arsimor Amerikan në Universitetin e Bufalos. Më pas, Prof. Dr. Freeman e vazhdon angazhimin e saj si prorektore në Northern Illinois University, kurse në vitin 2013, asaj nga ana e Bordit të këtij Universiteti i besohet edhe detyra e provostit, përgjegjëse për të gjitha çështjet akademike, hulumtuese, administrative-teknike, si dhe detyrën e zv-presidentit të këtij Universiteti, të cilat poste ajo vazhdon t’i ushtrojë me shumë sukses deri më sot. Gjatë kësaj periudhe ajo ka arritur që ta transformojë këtë universitet, duke e shndërruar në një universitet konkurrues jo vetëm në SHBA por edhe më gjerë.”, u shpreh Prof. Dr. Arbër Çeliku.

Gjithashtu, ai e lexoi referatin edhe për diplomatin Prof.Dr. David L.Phillips. ,,Profesori  Phillips aktualisht është drejtor i Programit për ndërtimin e paqes dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, i cili funksionon në kuadër të Institutit për studime të të drejtave të njeriut të Universitetit Columbia në SHBA. Ai ka punuar si këshilltar kyç për Sekretariatin e Kombeve të Bashkuara dhe për një kohë të gjatë ka qenë i angazhuar edhe si ekspert dhe këshilltar për State Departmentin Amerikan. Ka qenë profesor vizitues në Universitetin e Harvardit, drejtor i Programit për parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e paqes në American University, profesor i asociuar në Departamentin e shkencave politike të Universitetitit të Neë York-ut dhe ka shërbyer si profesor edhe në Akademinë Diplomatike të Vjenës. Ai, gjithashtu ka shërbyer edhe si këshilltari kyç dhe zëvendësdrejtor i Këshillit për çështje ndërkombëtare dhe i Këshillit Atlantik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejtor i Qendrës Evropiane për platformë të përbashkët, drejtor projektues në Institutin e hulumtimeve ndërkombëtare të paqes në Oslo, president i Fondacionit kongresional për të drejtat e njeriut dhe drejtor ekzekutiv i Fondacionit Elie Ëiesel.”, shtoi mes tjerash Prof. Dr. Arbër Çeliku, Kryetar i Komisionit recensues.

Vendimin e Senatit për ndarjen e titullit ,,Doktor nderi i shkencave” për dy personalitetet amerikane, Prof.Dr. Lisa C. Freeman dhe Dr. David Phillips e bëri publik promotori, Prorektori për Arsim i UT-së, Prof. Dr. Reshat Qahili. Ai, gjatë leximit të vendimit tha: ,,Në bazë të nenit 144 të Ligjit për arsimin e lartë të Republikës së Maqedonisë dhe nenit 268 të Statutit të Universitetit të Tetovës, Senati i Universitetit, në mbledhjen e rregullt të mbajtur më 19 maj të vitit 2017, solli: Vendim për dhënien e titullit Doctor Honoris Causa të Universitetit të Tetovës për Prof. Dr. Lisa C. Freeman dhe Prof. Dr. David L. Phillips”, nënvizoi promotori, Prof.Dr. Reshat Qahili.

Laureatëve, Prof.Dr. Lisa C. Freeman dhe Prof.Dr. David L. Phillips, diplomat ua ndau Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Pas marrjes së diplomave, Prof.Dr. Lisa C. Freeman u shpreh se pas marrjes së çmimeve, me këtë ne obligohemi që në të ardhmen të vazhdojmë ta mbështesim Universitetin e Tetovës dhe bashkërishtë ta ngremë në një piedestal me Universitetet me renome ndërkombëtare. ,,Ndjehem shumë e nderuar që sot e pranoj këtë titull shkenor nga Universiteti i Tetovës dhe Rektori Prof.Dr. Vullnet Ameti. Universiteti juaj bashkë me Universitetin tonë, të Ilinoisit Verior, tani më ka plot tre vjet që kanë një bashkëpunim të suksesshëm. Të gjitha projektet tona të përbashkëta deri më tani kanë qenë në nivel të duhur. Si dy universitete partnere kemi qenë gjithmonë të hapur për diskutime, vlera dhe prosperitet ekonomik dhe njëkohësisht kemi mbështetur aspiratat e të rinjëve tanë, respektivisht studentëve. Më bën krenar fakti që Universiteti i Ilinoisit Verior në SHBA, bashkë me Universitetin e Tetovës arritëm ta themelojmë Qendrën për paqe dhe menaxhim transkulturor, me seli në universitetin tuaj, një bashkëpunim ky që funksionon në mënyrën më të mirë të mundshme edhe sot e kësaj dite. Ne kemi edhe shumë punë për të bërë bashkë në të ardhmen, ne nuk ndalojmë këtu, sepse universitetet gjithmonë janë në hap me kohën dhe në kërkim të dijes dhe njohurive të reja inovative”, potencoi Prof. Dr. Lisa C. Freeman.

Ndërsa profesori Dr. David L. Phillips,  deklaroi se titulli Doktor nderi i shkencave, me të cilin e nderoi Universiteti i Tetovës do t’i bashkëngjitet listës së momenteve të tij më të bukura në jetë, që ka pasur me miqtë më të mirë të SHBA-ve dhe të Perëndimit, popullin shqiptar. ,,Ky çmim që Ju po ma jepni, është një nder i madh për mua. Unë gjithmonë kur jam në Universitetin e Tetovës  ndjehem i nderuar dhe më pëlqen të jem në mesin tuaj. Dëshiroj që sot bashkë me ju të flas për disa kujtime të bukura që unë i kam në jetën time. Të gjitha këto kujtime të bukura, i kam me popullin më të sinqertë mik të vendit tim, shqiptarët. Si sot më kujtohet  kur ndodhesha në Hotel Grand dhe shihja se si policia serbe ushtronte dhunë ndaj shqiptarve të Kosovës. Kam një moment të bukur në vitin 1994 kur kam ardhur në Universitetin e Tetovës dhe kam takuar Rektorin e parë të këtij Universiteti, Prof.Dr. Fadil Sulejmanin. Takimin e zhvilluam në një bodrum të një ndërtese këtu në Tetovë, ku ai ishte bashkë me studentët dhe më tha që të kërkoj nga kongresmenët amerikanë që t’i japin mbështetje Universitetit tuaj. Pesë vite më vonë, në mars të vitit 1999, në konfliktin e Kosovës, Richard Holbruk më thirri në telefon dhe më tregoi se negociatat janë ndërprerë dhe një ditë më vonë SHBA- të filluan bombardimet ndaj Serbisë. Në vitin 2008 isha në Prishtinë, në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Në Universitetin tuaj para një viti e promovuam librin tim të botuar nga Universiteti i Tetovës, “Çlirimi i Kosovës – diplomacia këmbëngulëse dhe ndërhyrja e SHBA-ve, të përkthyr në gjuhën shqipe nga profesoresha Gjyla Çeliku, dhe sot përsëri jam këtu për të pranuar titullin shkencor Doctor Honoris Causa i Universitetit të Tetovës. Ngjarja e sotme do t’i shtohet listës së kujtimeve të mia të bukura që kam me shqiptarët. E them sinqerisht se SHBA-të dhe Perëndimi, miq më të mirë dhe më të sinqertë e kanë popullin shqiptar”, vlerësoi Prof.Dr. David L. Phillips.

Dy laureatëve, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti ua ndau logon e madhe të Universitetit të Tetovës bashkë me flamurin dhe portretin gravuar të themeluesit dhe Rektorit të parë historik të UT-së, Prof.Dr. Fadil Sulejmani. Gjithashtu, për kontributin e dhënë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës, në kuadër të Programit Fullbright, Rektori i UT-së, Prof.Dr. Vullnet Ameti i ndau një portret të mbretëreshës Teutë edhe profesoreshës Judithanne Scourfield.

Akademia u pasurua edhe me një program të pasur kulturor - artistik nga Kori i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës dhe dy tenorët shqiptarë, Kastriot Tusha dhe Selami Kolonja.

 

Zyra për informim

  • email Email shokëve
  • print Printo
Universiteti Shtetëror i Tetovës
image Universiteti i Tetovës, përkatësisht Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, me aktivitete të ndryshme
image Në Universitetin e Tetovës, sot u organizuan zgjedhjet për Rektor për mandatin e ardhshëm
image Kandidati për Rektor i  Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, sot përpara stafit
image Studentët e Ciklit të dytë të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit të
image Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore i Universitetit të Tetovës organizoi Konferencën e parë shkencore ndërkombëtare.