Universiteti i Tetovës e festoi 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

image

Universiteti i Tetovës, përkatësisht Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, me aktivitete të ndryshme e festoi 4 Korrikun, me rastin e  241 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për nder të kësaj date historike për popullin amerikan, Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, e themeluar nga Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Ilinoisit Verior nga SHBA, organizoi debatin shkencor, me temë: “Ndikimi i politikës amerikane në demokratizimin e politikave dhe institucioneve të Republikës së Maqedonisë”.

Koordinatorja e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor në Universitetin e Tetovës, zonjusha Artina Kamberi, në hapjen e këtij debati deklaroi se në kalendarin e ditëve të shënuara është shtuar edhe Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Sot, ne kemi një arsye më shumë për ta kujtuar dhe nderuar këtë ditë të shënuar me aktivitete shkencore, sportive dhe të tjera, ngase Shtetet e Bashkuara i konsiderojmë si pjesë integrale të së shkuarës sonë, të së tashmes dhe me patjetër të së ardhmes. Jo më larg se dy vjet më parë, Universiteti i ynë bëri ndoshta njërin nga veprimet më strategjike, me firmosjen e marrëveshjes për bashkëpunim me Universitetin e Ilinoisit Verior, prej ku edhe njëherë bindshëm e trasoi rrugën e vërtetë të demokracisë dhe atë të promovimit të vlerave amerikane. Universiteti i Tetovës, në mënyrë proaktive dhe më shpejtë nga të tjerët e kuptoi se paqja dhe stabiliteti nuk janë lukse të kohës, por janë nevojë e saj dhe një prioritet i pakontestueshëm. Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, si projekt i përbashkët i këtyre dy institucioneve, është vetëm një segment prej ku do te importohet modeli i saktë i demokracisë, vlerave nacionale, për t’u hapur më pas porta e madhe e gërshetimit të ideve, kapaciteteve dhe kulturave. Ky projekt edhe njëher e vërteton hipotezën e ngritur se shqiptarët dhe amerikanët kanë një sinergji të pashoq dhe ne me mbështetje të aleatit tonë mund të konkretizojmë vepra të mëdha”, shtoi më tej në fjalën e saj zonjusha Artina Kamberi.

Presidenti i Këshillit Euro - Atlantik në Maqedoni, z. Ismet Ramadani tha se falë kontributit dhe ndihmës së diplomacisë amerikane dhe asaj evropiane, Republika e Maqedonisë arriti që të kalojë disa momente të vështira pas pavarësimit të saj. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe diplomacia amerikane gjithmonë e kanë dhënë kontributin e tyre politik dhe diplomatik në Republikën e Maqedonisë, që nga fillimet e pluralizmit e deri më sot. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë intervenuar dhe kanë pasur ndikim tepër të madh në shumë raste, por unë do ta përmendi konfliktin e vitit 2001, ku SHBA-të kanë qenë garantues të paqes, por edhe në momentet e fundit, në krizën politike që zgjati gati më shumë se dy vjet në vend dhe përsëri rol të rëndësishëm luajtën Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zgjidhjen dhe tejkalimin e kësaj krize dhe këtu do ta veçoj edhe angazhimin e znj. Viktoria Nuland dhe z. Brajan Hojt Ji”, theksoi Ismet Ramadani.

Shënimi i 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, nga Universiteti i Tetovës është një gjest tepër i madh në shenjë respekti dhe falënderimi ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për rolin e rëndësishëm që kanë luajtur ato, në avancimin e çështjes shqiptare në Republikën e Maqedonisë, që nga pavarësimi i saj e deri më sot, kështu vlerësoi Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë z. Naser Selmani. “Organzimi i këtij debati shkencor nga ana e Universitetit të Tetovës me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve është për tu përshëndetur. “Ne si shqiptarë, kurrë nuk mund ta harojmë ndihmën dhe mbështetjen e madhe që SHBA-të na kanë dhënë, jo vetëm neve, por edhe rajonit në përgjithësi. Shtetet si Maqedonia asnjëherë nuk duhet ta harrojnë kontributin amerikan në ndihmesën e madhe që kanë dhënë në demokratizimin e shoqërisë në përgjithësi. Ndikimi i politikës amerikane në demokratizimin e Republikës së Maqedonisë nuk mund të ndodh pa sqaruar masat e politikës së jashtme amerikane” deklaroi mes tjerash z. Naser Selmani. 

Profesori universitar, Prof. Dr. Mersel Bilalli në fjalën e tij u fokusua kryesisht tek  lidershipi politik në Maqedoni, por edhe institucionet publike dhe private, të cilat sipas tij duhet që si model bazë për realizimin e politikave të shëndosha të marrin diplomacinë amerikane. “Politika amerikane ndërtohet mbi vlera të caktuara, pavarësisht asaj se kush do të udhëheqë me lidershipin. Në vendin tonë e patëm një pushtet që tentonte të instalojë një sistem diktatorial, sistem ky që ishte në kundërshtim me vlerat amerikane. Mendoj se pushteti i ri duhet të reflektojë mbi parimet dhe vlerat e demokracisë perëndimore”, tha Prof. Dr. Mersel Bilalli.

Ndërsa, Prof. Dr. Veton Latifi në tezën e tij, rreth ndikimit të politikës amerikane në demokratizimin e politikave të Maqedonisë, potencoi se Maqedonia duhet gjithmonë të mbështetet në politikën e jashtme amerikane. “Mendoj se vendi ynë ka dy fate të mëdha sa i përket ndikimit të politikës amerikane në demokratizimin e politikave dhe institucioneve. E para është se ka shqiptarët pjesë përbërëse të saj dhe e dyta është se ka aleat Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Propaganda ruse në Maqedoni është mjaftë e madhe, por ajo gjithmonë është boshe përballë politikës së jashtme amerikane, e cila në çdo moment është pragmatike, argumentuese dhe materializuese”, theksoi Prof. Dr. Veton Latifi. 

Nga ana tjetër, sipas profesorit Doc. Dr. Qashif Bakiu në të gjitha momentet më të vështira për Maqedoninë, diplomacia amerikane ka qenë prezentë dhe aktive për të siguruar stabilitetin politik dhe ekonomik. “Nëpërmjet stafit të rregullt diplomatik, por në mjaft raste edhe duke dërguar përfaqësues të posaçëm, SHBA e ka ndihmuar Maqedoninë që t’i tejkalojë vështirësitë me të cilat është ballafaquar. I tillë ishte rasti i vitit 2001, i cili përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit, e tillë ishte kriza politike nga viti 2014, që çoi deri në publikime e përgjimeve dhe që gjeneroi një krizë politike që zgjati deri në vitin 2017, dhe që përfundoi me Marrëveshjen e Përzhinës. Të tilla ishin krizat politike të vitit 2008, 2011, 2014, që gjeneruan zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në të gjitha këto raste, diplomacia amerikane me përfaqësuesit e saj ka qenë prezent për të lehtësuar zhvillimin e proceseve dhe për zhbllokimin e krizave të krijuara në vend. Demokracia lindi në Evropë, por u jetësua në Amerikë”, nënvizoi Doc. Dr. Qashif Bakiu.

Kurse profesori universitar Prof.Dr. Bashkim Selmani i cilësoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës si simbol i botës, lirisë demokracisë dhe politikës paqedashëse. “Ne sot, këtu në hapësirat e Universitetit të Tetovës, në shenjë respekti për këtë datë madhështore jemi tubuar që bashkërisht të kremtojmë dhe ua japim mirënjohjen më të madhe shpirtërore dhe falenderuese SHBA-ve që jetësuan dhe vunë në funksion lirinë, demokracinë dhe politikën paqedashëse në hapësirat shqiptare dhe ato ballkanike”, u shpreh Prof. Dr. Bashkim Selmani.

Po ashtu, Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, përveç debatit shkencor gjatë paradites organizoi edhe një turnir të Beach Volleyt. Në këtë turnir morën pjesë studentët e Fakultetit të Kulturës Fizike, ndërsa për katër vendet e para u ndanë edhe mirënjohje. Turniri u ndoq nga një numër i madh sportdashësish, në mesin e të cilëve ishin edhe Rektori i UT-së, Prof.Dr. Vullnet Ameti, Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Reshat Qahili, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Hazir Pollozhani, Kryetarja e Parlamentit Studentor të UT-së, zonjusha Donika Kamberi, dekanë, senatorë dhe studentë.

 

Zyra për informim

  • email Email shokëve
  • print Printo
Universiteti Shtetëror i Tetovës
image Me një akademi solemne, sot në Universitetin e Tetovës u shënua 109 vjetori i
image Studentët dhe profesorët e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, të Fakultetit Filologjik të
image “Sfidat e sigurisë dhe standardet universale në procesin e integrimit  euroatlantik”, ishte tema e
image Një delegacion i Universitetit të Tetovës, nga Parlamenti Studentor dhe Qendra për shërbime studentore
image Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë i Universitetit të Tetovës, 14 Nëntorit - Ditës ndërkombëtare