UT e organizoi Seminarin XI Ndërkombëtar të Albanologjisë

image

Në Universitetin e Tetovës, për të njëmbëdhjetin vit me radhë i zhvilloi punimet Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë, me temën bosht: “Kujtesa, kultura dhe mediat e reja”. Ky seminar tanimë është bërë një qendër e rëndësishme e  studimit të gjuhës, letërsisë, historisë dhe etnokulturës shqiptare.  

Në hapjen solemne të punimeve të këtij seminari ishte i pranishëm edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ndërsa të pranishmëve me fjalë përshëndetëse ju drejtua Prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili. “Ndjehem i nderuar që në emër të Universitetit të Tetovës t’Ju uroj mirëseardhje në hapjen solemne të  Seminarit XI Ndërkombëtar të Albanologjisë. Ky seminar hapet në kushtet kur Universiteti ynë është zgjeruar e plotësuar me fakultete dhe programe të reja studimore. Sot, ne risjellim në kujtesën tonë kontributin, sakrificën dhe rezistencën e arsimdashësve tanë për këtë tempull të arsimit, shkencës dhe kulturës sonë mbarëkombëtare. Fillimi i punimeve të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë është një rast i mirë për të vlerësuar e nderuar, si dhe për t’u shprehur mirënjohje institucionale të gjithë pjesëmarrësve në sesionet shkencore, studiuesve tanë të shumtë nga trevat shqiptare, si dhe albanologëve nga vende të ndryshme të botës, të cilët me përkushtimin shkencor të tyre kanë dhanë modelin më të mirë të kërkimit shkencor, angazhimit atdhetar për gjuhën, letërsinë, historinë dhe etnologjinë”, tha Prof. Dr. Reshat Qahili.

Ai, po ashtu tha se Seminari i Albanologjisë, përtej një veprimtarie shkencore, në vetvete përfaqëson angazhimin tonë të pareshtur, për idealin tonë kombëtar dhe dëshirën e  përbashkët për të ecur përpara gjuha dhe kultura jonë kombëtare. “Kjo ngjarje e rëndësishme tashmë e ka ndërtuar identitetin e vet shkencor dhe në këtë aspekt përfaqëson jo vetëm veprimtarinë më të rëndësishme shkencore në vendin tonë, por ndër vite ka shërbyer edhe për ndërkombëtarizimin e studimeve të albanologjisë në arenën ndërkombëtare. Ne drejtuesit e Universitetit, së bashku me Drejtorinë e Seminarit, angazhohemi që të ruhet vazhdimësia e tij dhe nga viti në vit, me prurjet e reja në lëmin e albanologjisë dhe trajtimin e temave aktuale dhe me interes për kulturën shqiptare t’i përmbushë pritshmëritë tona dhe të opinionit më të gjerë. Po ashtu, doja të shpreh besimin e plotë se, pjesëmarrësit me kumtesat e tyre do ta begatojnë fondin e studimeve albanologjike, do t’i zgjerojnë këndvështrimet studimore, do të sjellin qasje moderne metodologjike dhe rezultate të reja shkencore, si një kontribut i çmueshëm për avancimin e mëtejmë të studimeve shqiptare”, shtoi mes tjerash Prof. Dr. Reshat Qahili.

Punimet e Seminarit i përshëndeti edhe Prof. Dr. Begzad Baliu nga Universiteti i Prishtinës. Ai tha se, temat që pritet t’i rrahin sesionet e këtij Seminari dëshmojnë për pjekurinë e tij jo vetëm organizative por edhe shkencore. Është kënaqësi të shohësh se si një brez mjaft i ri albanologësh me një përvojë po kaq të re kërkimi e vlerësimi ka marrë përsipër të diskutojë disa nga çështje mjaft thelbësore në fushë të albanologjisë, sikur janë: “Letërsia e Evropës Juglindore” (Sesioni i letërsisë); “Shqiptarët në udhëpërshkrime dhe në reportazhe” (Sesioni i historisë); “Trashëgimia kulturore, historike dhe natyrore e shqiptarëve në Maqedoni” (Sesioni i etnokulturës) etj. “Duke i dëgjuar kumtesat e tyre gjatë këtyre dy ditëve, besoj se do të krijojmë një përfytyrim më të qartë dhe më të pasur për letërsinë e Evropës Juglindore, veprat dhe disa nga përfaqësuesit më të shquar të saj, ndërsa në mënyrë të veçantë do të dëgjojmë për vendin e letërsisë shqipe e të formave të saj përmbajtjesore, estetike dhe stilistike në letërsinë e kësaj hapësire gjeografike. Të kësaj natyre sigurisht do të jenë edhe kumtesat për pamjen historike të shqiptarëve e të hapësirës etno-kulturore e gjeografike, sociale e politike, në kronikat dhe reportazhet e udhëpërshkruesve kryesisht të huaj”, deklaroi Prof. Dr. Begzad Baliu. Drejtori i Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, Doc. Dr. Salajdin Saliu tha se ky seminar ka si mision të bëjë të njohur të arriturat nga fusha e albanologjisë. “Sivjet tema kryesore është: “Kultura, kujtesa dhe mediet e reja”. Sepse kultura është ajo që do të mbetet, sikurse thuhet, kur gjithçka tjetër të jetë harruar. Sepse kemi nevojë për kujtesën, krahas historisë. Historia nuk lidhet me përjetimet tona, kurse kujtesa po. Kemi nevojë të flasim për trashëgiminë kulturore, materiale dhe natyrore, në një kohë kur ajo shpërfytyrohet, zhbëhet ose përvetësohet. Ata që duan të na bindin se njeriu ka nevojë vetëm për bukën e përditshme fshehin një djallëzi. Kemi ardhur në këtë botë jo vetëm për të jetuar në të tashmen e përjetshme, por edhe për qëllime më të larta. Kemi nevojë, gjithashtu, të flasim për mediat e reja. Ne jetojmë ndërmjet Galaktikës Gutenberg dhe Galaktikës Digjitale. Hipertekstet na krijojnë lehtësira të mëdha. Bibliotekat digjitale na mundësojnë që me lehtësi të shkojmë drejt mendimit të harruar. Njëkohësisht, mediat e reja, siç e thamë, janë bërë zgjatime të diktaturës së kiçit dhe të banalitetit. Në këtë seminar do të flitet edhe për letërsinë e Evropës Juglindore. Ky rajon, kaq i trazuar, me shumë mendim, me fantazira, por edhe me shumë marrëzi, i ka dhënë shumë botës si në sferën e filozofisë, letërsisë, shkencës, politikës. Letërsia e Evropës Juglindore edhe sot është ndër më të mirat. Njëkohësisht, në këtë rajon, shkrimtarët bënë edhe marrëzi të mëdha. Mjafton t’i kujtojmë luftërat e viteve 90-të të shekullit të kaluar, ku shumë shkrimtarë u vunë në shërbim të së keqes. Dhe kjo marrëzi u përsërit edhe në shekullin tonë, kur shumë shkrimtarë u rebeluan kundër gjuhës dhe kulturës sonë” u shpreh Doc. Dr. Salajdin Saliu. Po ashtu, sot u promovuan edhe dy numra të revistës shkencore ,,Albanologjia”, respektivisht numri VII dhe VIII, të botuara nga Universiteti i Tetovës.  

Zyra për informim

  • email Email shokëve
  • print Printo
Universiteti Shtetëror i Tetovës
image Studentët dhe profesorët e Fakultetit të Kulturës Fizike morën pjesë në garat ndërkombëtare në
image Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës në bashkëpunim me
image Në Universitetin e Tetovës, përkatësisht Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë u organizua Konferenca e
image Në Universitetin e Tetovës, Këshilli Euro-Atlantik i Maqedonisë në bashkëpunim me Fakultetin Juridik të
image Me rastin e ndarjes nga jeta të albanologut të njohur Robert Elsie, në nderim