UT organizoi mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së albanologut Robert Elsie

image

Me rastin e ndarjes nga jeta të albanologut të njohur Robert Elsie, në nderim të jetës dhe veprës së tij, Universiteti i Tetovës organizoi mbledhje komemorative.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në fjalën e tij drejtuar profesorëve dhe studentëve të Universitetit, tha se albanologu, shkencëtari dhe studiuesi që bëri epokë, Robert Elsie, do t’na mungojë të gjithëve, në veçanti studiuesve dhe dashamirëve të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare. “Kur ik një njeri i ditur shuhet edhe një bibliotekë. Me ikjen e albanologut të shquar Robert Elsie u shua një bibliotekë, e cila pritej që të plotësohej edhe me shumë libra të çmuar, që neve dhe botës do t’ia zbulonin vlerat tona të harruara. Ne e ndjejmë thellësisht humbjen e dijetarit të shquar. Kjo humbje zgjon trishtim në shpirtrat tanë, sepse ai ishte miku ynë, ishte miku i universitetit tonë. Mbi të gjitha, Robert Elsie ishte afirmuesi i esencës së shpirtit tonë, derdhur në artin që e formësuan shekujt. Ai i ka bërë albanologjisë shërbimin më të madh. Ai besoi fuqimisht se vendi i shqiptarëve përherë ka diçka për t’u zbuluar, diçka që të habit. Ai foli për shqiptarët si një shqiptar i madh dhe punoi me përkushtim pa ndonjë detyrim moral ndaj tyre. Ai u mahnit, por shpesh ka ditur të na qortojë miqësisht dhe ndershmërisht. Na qortoi jo nga ndonjë smirë, por për shkak të dashurisë që kishte për ne. Ne sot jemi në këtë mbledhje përkujtimore për ta nderuar këtë emër të ndritur që do të mbetet i përjetshëm në botën shqiptare. Jemi mbledhur që ta nderojmë emrin dhe veprën e tij me dashuri dhe admirim. Duke e nderuar këtë mendje të ndritur, ne e nderojmë vetveten. Nderimi i një kolosi, sikurse Robert Elsie, është emancipim. E kundërta do të ishte mosmirënjohje, të cilën më së paku do ta meritonte i dashuruari pas kulturës shqiptare. Sot vepra e tij është referencë për çdo studiues shqiptar dhe të huaj. Vepra e tij është e mirëmenduar, e thellë dhe e shkruar me precizitet dhe kompetencë. Robert Elsie la pas vetes një vepër studimore voluminoze, që përmban libra për gjuhën, kulturën, historinë e antropologjinë tonë. Të nderuar të pranishëm, më lejoni ta paraqes një biografi të shkurtuar të albanologut të shquar. Kjo biografi është tepër e pasur dhe gati është e pamundur të përfshihet në një fjalë rasti. Robert Elsie u lind më 29 qershor të vitit 1950 në Vankuvër të Kanadasë. Ndoqi studimet në Universitetin e Kolumbisë Britanike, ku studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësi, ku u diplomua më 1972. Ai vazhdoi studimet në disa universitete. Studioi në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor; në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta në Paris; në Institutin e Dublinit për Studime të Larta në Irlandë dhe në Universitetin e Bonit, ku e mbrojti doktoraturën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji, më 1978. Më pas u josh nga bota shqiptare dhe iu përkushtua asaj me gjithë shpirt. Kur Shqipëria ishte vend i mbyllur, ai ja paraqiste botës shpirtin e saj të panjohur. Elsie është autor i mbi gjashtëdhjetë librave, por edhe i artikujve të shumtë nga fusha e albanologjisë. Për punën e tij studimore u zgjodh anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore; anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Të nderuar, më lejoni t’i përmendi disa nga librat e tij më të rëndësishëm, të botuar në gjuhën angleze, gjermane, shqipe dhe në gjuhë të tjera. Disa nga veprat më të rëndësishme janë: “Fjalor i letërsisë shqiptare”; “Historia e letërsisë shqiptare” (e botuar edhe në polonisht); “Përralla dhe legjenda shqiptare”; Vëllimin me kritika letrare: “Studime për letërsinë dhe kulturën bashkëkohore shqiptare”, që në shqip u botua me titullin “Një fund dhe një fillim”. Antologjinë me 600 faqe me shkrime për Kosovën, me titullin “Kosova: në qendrën e fuçisë së barutit”. Botoi përmbledhjen e teksteve historike për Kosovën me titullin “Stuhi në horizont: Rrënjët e spastrimit etnik në Kosovë dhe Maqedoni, dokumente të fillimit të shekullit të njëzetë”. Në fushën e antropologjisë e botoi librin në anglisht “Fjalor i fesë, mitologjisë dhe kulturës popullore shqiptare”. Ky libër u botua në gjermanisht me titullin “Doracak i kulturës popullore shqiptare”. Botoi “Kanunin” në gjermanisht, me titullin “Kanuni: E drejta zakonore shqiptare sipas të ashtuquajturit Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Si bashkautor botoi studimin antropologjik për fshatit kosovar me titull “Prapa mureve të gurta: ndryshime në organizimin familjar ndër shqiptarët e Kosovës”. Botoi dorëshkrimin e hershëm në gjermanisht të shqiptarit Bajazid Elmaz Doda me titullin “Jeta fshatare shqiptare në Rekën e Epërme pranë Dibrës së Maqedonisë”. Në fushën e historisë, në bashkëpunim me Robert Dankoff-in,  përktheu nga osmanishtja pjesë nga vepra e udhëtarit osman Evlija Çelebi, i botuar me titullin “Evlija Çelebi në Shqipëri dhe në viset fqinje”; zbuloi dhe botoi dorëshkrimin e historisë së parë të Shqipërisë, të autorit francez Jean-Claude Faveyrial. Zbuloi dhe botoi dorëshkrimin në gjermanisht të albanologut hungarez, baronit Franc Nopça, me titullin “Udhëtime nëpër Ballkan” etj. U shqua edhe në fushën e përkthimit. Ka botuar në anglisht antologjinë e poezisë bashkëkohore shqiptare me titullin “Një shqiponjë e arratisur fluturon”, kurse në gjermanisht me titullin “Si një shqiponjë: antologji e poezisë shqiptare nga shek. 16 deri më sot”. Ka përkthyer në anglisht veprat “Lahuta e Malcis”, të Gjergj Fishtës, “Vargjet e lira” të Migjenit dhe veprat e poetëve: Ali Podrimja, Flora Brovina dhe Eqrem Basha. Si përkthyes, në vitet e 80-ta punoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane, kurse nga viti 2002 ishte përkthyes simultan për Tribunalin e Hagës, veçanërisht në procesin gjyqësor të Sllobodan Millosheviqit.

Të nderuar të pranishëm, nga sa thamë më sipër, shohim se Robert Elsie la prapa vetes një bibliotekë të pasur për botën shqiptare. Me veprën e tij, ai i ngriti vetes një përmendore, e cila do të nderohet dhe do të respektohet përjetësisht. Ikja e tij nuk është e zakonshme, por është shuarje e një biblioteke të madhe. Ikja e tij është zi për shqiptarët. Më lejoni që në emrin tim dhe të gjithë të mahniturve nga puna e tij mendore, t’i japim sot lamtumirën këtij emri që ka siguruar një mënyrë tjetër ekzistence: atë të përhershmen, nëpërmjet librave të tij. Prehu në paqe miku ynë Robert Elsie! Lavdi jetës dhe veprës së albanologut Robert Elsie!”, tha në fjalën e tij Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Për kontributin e albanologut Robert Elsie në kulturën dhe historiografinë shqiptare foli dekani i Fakultetit Filologjik të UT-së, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani.

Ai, në fjalën e tij vuri në dukje se Robert Elsie la pas vetes thesare të çmueshme për historinë e letërsisë sonë, ndaj do të mbetet burim frymëzimi për brezat, si model i përkryer i studiuesit dhe shkencëtarit. “I nderuari auditor, i nderuar Rektor, Prof. Dr. Vullnet Ameti, kolegë mësimdhënës dhe studentë. Jemi këtu për të përkujtuar emrin dhe veprën e albanologut më të shquar të huaj të kohës sonë, Robert Elsie - kanadezit me origjinë gjermane, i cili ndërroi jetë para disa ditësh. Ikja e tij e papritur është humbje e madhe për Albanologjinë - për letërsinë, folklorin, përkthimologjinë, etnologjinë, gjuhësinë, dialektologjinë, leksikologjinë dhe historinë shqiptare, sepse Robert Elsie qe më shumë se një institucion, më shumë se një akademi e mirëfilltë shkencash. Veprat që la pas vetes Ai, janë aq të shumta dhe të arrira, sa duken të pamundshme për t’u krijuar përgjatë një jete të rëndomtë njeriu, jo më përgjatë një jete të ndërprerë relativisht herët. Robert Elsi studioi gjithçka me vlerë dhe gjithçka të bukur që kishte lidhje me shqiptarët, duke dashur ta zbulojë një Shqipëri tjetër prej asaj që e njohu nga armiqtë tanë dhe prej asaj që e njohu vetë. Në vend të Shqipërisë së zhytur në terrin e prapambetjes dhe injorancës, me imazh të shfytyruar, Ai e deshi si i fantaksur Shqipërinë e kulturës, ndoshta, shumë më tepër se ç’e deshëm dhe seç e duam vetë ne. Ai deshi t’ua rrëfejë të tjerëve Shqipërinë e zemrës së tij: Shqipërinë e traditave dhe zakoneve të mira, Shqipërinë e babait të etnologjisë sonë - albanologut të famshëm austriak Von Hahnit - të parit që shpalosi para botës vlerat shqiptare, Shqipërinë e  Norbert Joklit - autorit të fjalorit të parë etimologjik dhe  të dijetarëve të tjerë evropianë, që vunë themelet e shkencave albanologjike, Shqipërinë e Konicës, Fishtës e Nolit, Shqipërinë e Kadaresë dhe të Azem Shkrelit, Shqipërinë e prometejëve që e nderuan atë me vepra konkrete nëpër metropolet e botës. Vepra e Robert Elsit është e jashtëzakonshme dhe kap përmasat e një biblioteke dhe arkivi të paanashkalueshëm për cilindo që do të studiojë fushat që preku Ai. Ato vepra kanë për emërues të përbashkët (a thua vetëm rastësisht?) fjalët SHQIPTARË dhe KOSOVË. Ja disa prej tyre: “Fjalor i letërsisë shqiptare”, “Histori e letërsisë shqiptare”, “Përralla dhe legjenda shqiptare”, “Fjalor i fesë, mitologjisë dhe kulturës popullore shqiptare”, “Doracak i kulturës popullore shqiptare”, “Kanuni: e drejta zakonore shqiptare…”, “Fjalor historik i Shqipërisë”, “Fjalor historik i Kosovës”, “Letërsia shqipe: një histori e shkurtër”, “Këngë kreshnikësh - poezi epike shqiptare”, “Stuhi në horizont: rrënjët e spastrimit etnik në Kosovë dhe Maqedoni”, “Beteja e Kosovës, 1389, një epos shqiptar”, “Evlija Çelebi në Shqipëri dhe në viset fqinje”… Të njëjtë janë dhe titujt e dorëshkrimeve të të tjerëve që përgatiti për botim, si:  “Jeta fshatare shqiptare në Rekën e Epërme pranë Dibrës së Maqedonisë”,  “Histori e Shqipërisë”,  “Eduard Li në Shqipëri”, “Shqipëria e hershme: antologji e teksteve historike, shek. 11 - 17”,  “Rrëfime nga Shkodra e vjetër: tregime të hershme shqiptare” etj. Pra, gjithçka që ka bërë ky studiues lidhet me Shqipërinë dhe shqiptarët, pa përmendur këtu studimet mbi kulturat e të tjerëve që i njihte gjithashtu si zot shtëpie. Përveç se të botuara në vendet dhe gjuhët kryesore të botës, perveçse të bëra pjesë e rafteve të bibliotekave dhe arkivave më prestigjioze, gjithë këto vepra, Roberti i publikoi edhe në faqe të njohura të internetit, të cilave u referohen studiuesit seriozë. Faqet në fjalë gëlojnë prej dokumentesh e tekstesh të rralla, prej regjistrimesh zanore të mbi 150 të folmeve të rajoneve dhe vendeve të ndryshme ku flitet shqipja; me zëra personalitetesh të shquar shqiptarë; me galeri digjitale të artit pamor; me leksione të përkthyera në gjuhë të huaja mbi letërsinë, historinë dhe totalitetin shqiptar. Megjithatë, kjo që bëri Robert Elsi për artin dhe për kulturën shqiptare nuk është e tëra. Ai, si një vëlla yni biologjik, përveç virtyteve, nuk hezitoi t’na i thotë në fytyrë edhe të metat, sepse e vërejti maninë tonë për të justifikuar cenet, duke mbajtur gishtin në drejtim të tjetrit. Për mendimin tim, ky guxim qytetar, i munguar ndër ne, është njëri prej shkaqeve që më bën të përulem përpara këtij njeriu me përmasa Mont Everesti. Për këtë, e gjykova të arsyeshme njohjen tuaj me qortimet e dashamirësit të dëshmuar të racës sonë, sepse, një etni, mund të ecë përpara, jo duke marrë mësyshë vetveten, si ai zogu i fabulës që mahnitet nga pesha e tij që lëkund degën e vockël ku është ulur të pushojë, por duke u ballafaquar me dregëzat që nuk e lënë të ecë përpara. Po e nis me qortimet që na i bëri si shqiptarë: ,,Kur shkova të parën herë në Shqipëri, më 1978, pashë se niveli i jetës ishte ai i Afrikës. Më dukej vetja holivudian dhe assesi nuk mund ta merrja seriozisht anën politike - tabelat, afishet dhe propagandat…S’e kuptoja si mund ta merrnin njerëzit seriozisht këtë vend absurdi. Gjeografia juaj, thoshte Ai, është e vogël, e prapambetur dhe pa interes gjeopolitik apo ekonomik. Ju duhet të ndryshoni më shpejt se popujt tjerë, keni nevojë të ecni shpejt, sepse keni shumë rrugë për të ecur, sepse të gjithë të tjerët janë përpara jush. Ndoshta krahasuar me disa vende të Ballkanit nuk jeni dhe aq pas, por, në raport me vendet evropiane, jeni bindshëm të fundit, kryesisht për shkak të historisë së hidhur të Shqipërisë dhe Kosovës, varfërisë dhe prapambetjes… Po jua shpjegoj prapambetjen nëpërmjet një barsolete, ku shqiptari thotë: ,,ne po zhvillohemi më shpejt se bullgarët, sepse për aq kohë sa bullgarët e kanë ndërtuan shtetin e tyre, ne e kemi ndërtuar 5 herë Shqipërinë dhe po aq herë e kemi bërë rrafsh me tokën”. Ishte një lloj kimie e pashpjegueshme që Robertin e tërhiqte aq fort dhe aq shpesh të vijë në viset shqiptare. Por, kur e pyesnin nëse do të jetonte me ne, e thoshte pa hatër: Jo!, sepse në një rast të tillë do të jetoja me shumë frustracion, ndoshta do të çmendesha. Unë jam njeri i brishtë dhe duhet të kesh shumë forcë për të jetuar si shqiptar. Vendi juaj është një vend pak i egër për mua. Edhe njerëzit janë pak të egër. E di se është vetëm një fasadë dhe se brenda e keni shpirtin e mirë, por ekziston një egërsirë në marrëdhëniet njerëzore. Ju këtu dini të mbroheni prej kësaj dhe mund të mbijetoni, ndërsa unë do të isha si një lepur dhe nuk do të mund të mbrohesha. Shqiptarët janë njerëz shumë të vështirë dhe shumë të dashur njëkohësisht. Të çmendin herë pas here. Ju jeni viktimë e korrupsionit burokratik, që është me kontinuitet të pandërprerë që nga koha e pushtimit Osman, koha e Zogut, e Enverit dhe kjo e demokracisë. Jeni popull impulsiv, me shumë kontradikta, me shumë ekstreme të skajshme: në të mirë dhe në të keq dhe, unë të tillë ju kam prezantuar nëpër botë, pa i zbukuruar gjërat… Elsi e dinte se kombi shqiptar, si rrallë ndonjë tjetër, ka pasur vështirësi të zhvillohet, madje të mbijetojë, që vlen edhe për letërsinë shqiptare. Për këtë Ai përdorte shpesh analogjinë e bimës së brishtë në tokën e vështirë shkëmbore, që në disa raste megjithatë mundi të lulëzojë. Por, edhe kur ndodhte kjo, shumë herë shkulej dhunshëm. Kështu: letërsia  e hershme katolike u zhduk nga pushtimi osman, letërsia e kohës osmane u zhduk kur shqiptarët e kuptuan se janë komb evropian dhe kur rilindësit iu kthyen Perëndimit; letërsia e traditës së mirëfilltë shqiptare dhe mendimit të lirë, në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, u shkatërrua me ardhjen e partizanëve më 1944, letërsia socialiste në dy variantet e saj: enveriste dhe titiste, u shkatërrua me rënien e komunizmit… Ndaj vërtet është habi si mbijetoi njëfarë traditë letrare e kulturore shqiptare? Roberti thoshte se letërsia shqiptare, mjerisht, nuk është e njohur në botë, sepse është letërsi e vogël. Ju keni tirazhe të pakta dhe librat nuk shpërndahen shumë, nuk kanë qarkullim, nuk kanë ndikim në mendimin publik ndërkombëtar. I vetmi autor që ka çarë mirëfilli bllokadën është Ismail Kadareja, shkrimtari që e çon gjuhën shqipe përpara. Të tjerët janë pak të njohur. Në Shqipëri ka më shumë autorë librash se sa lexues. Ka shumë që duan të shkruajnë dhe shumë pak që duan të lexojnë. Gjithkush dëshiron të shprehet dhe askush askënd nuk e dëgjon. Në një botë të tillë është bërë problem shurdhëria… Këtu, autorët e mirë ballafaqohen me një traditë ziliqare, intolerante, dashakeqe dhe shkatërruese, prandaj meritojnë admirim autorët e paktë që, në rrethana të këtilla botojnë diçka me vlerë, diçka që afirmon shqiptarët… Elsi nuk ishte i kënaqur as me përkthimet letrare, ndaj kërkonte hapjen e shkollave të përkthimit dhe interpretimit. Për mendimin e tij, hiq disa përkthyes, të tjerët e sakatosin letërsinë… Përkthimet që bëjnë shqiptarët janë përkthime të përkthimeve, përkthime të dyfishta, që vijnë nga një gjuhë e dytë apo e tretë.

 Kjo është për keqardhje, sepse përkthimet e këtilla shkaktojnë shumë humbje, është njësoj si të puthësh nusen me duvak. Nuk ka lexim, nuk ka njohje të drejtpërdrejtë, por ka një mur në mes. Për këtë shkak deri në vitet  e 80-ta gati nuk dinte kush gjë për letërsinë shqipe. Mendim kritik kishte dhe për mungesën e përkrahjes institucionale të studimeve albanologjike. Krahasimi që bënte Elsi ndërmjet zhvillimit të shkencave albanologjike të kohës së monizmit dhe të pas viteve të 90-ta, tregojnë se, gjatë ish sistemit, të paktën kishte një fasadë dhe një shkencë të vërtetë. Në fakt, Ai nuk e din a ishte tamam e vërtetë, po kishte institucione serioze, kishte njerëz që punonin seriozisht në fushën e albanologjisë, kishte fonde shtetërore, sepse sistemi ishte shtetëror. Tani, me kapitalizmin e egër që kini, thoshte Ai, ka më pak fonde për mbështetjen e kulturës dhe albanologjisë. Prandaj, në këto fusha nuk janë bërë akoma as hapat e parë dhe mua më vjen keq që kjo punë është lënë mënjanë. Shkencëtarët e moshuar të Shqipërisë dolën në pension në varfëri të skajshme, kurse shkencëtarët e rinj shkuan të punojnë në kantieret e Greqisë. Në Kosovën e sotme është më e leverdishme të punosh diku si roje apo shofer i UNMIK-ut se sa të merresh me shkencën albanologjike. Prandaj kemi gjendje të mjerë të albanologjisë… Për fjalorin e gjuhës së sotme shqipe thoshte se është vetëm një gjysmë e vërtetë. Ai kërkoi me ngulm dhe me vite të tëra nëpër trevat shqipfolëse gjithçka që i duhej - fjalë dhe letërsi gojore. Gjeti dialektin më të vjetër të shqipes në të folmen e Peloponezit, që është gjuhë që po vdes. Shkoi në Plavë e Guci, takoi shqiptarë dhe u habit me fondin e fjalëve shqipe që nuk i gjente dot në fjalor. Sipas tij, kjo i bën të huajt të paaftë të përkthejnë nga shqipja në gjuhët tjera. Është mjerim që shqipes i mungojnë fjalët që përdoren në shumë zona. Kjo e bën gjuhën të cunguar… Robert Elsit i dhembte më shumë se shqiptarëve e dhëna se kishte shumë libra që qarkullojnë nëpër botë me të pavërteta për ne. Thoshte se botimet e Beogradit ishin plot me gënjeshtra e mohime të realitetit, ndërkohë që shqiptarët interesohen më shumë për çështje lokale, rajonale dhe jo për çështje mbarëkombëtare. Ju keni prirje për të sabotuar njëri-tjetrin. Ju keni mure brenda trurit dhe nuk e kuptoni se interesat tani duhet t’i mbroni me një zë të vetëm, me mençuri dhe me arsyetimin e një populli evropian… Prandaj, them se, për nga ndikimi që pati në publikun lexues perëndimor dhe jo vetëm, vepra e Robert Elsit qe më e rëndësishme se gati gjithë veprat e studiuesve shqiptarë bashkë. Ai qe me vite zëri vetmitar i përhapjes së të vërtetës sonë në botë përmes veprash konkrete shkencore e letrare. Ai qe dhe korrektori i plogështisë sonë kronike, qe pasqyra ku mund ta shihnim dhe ta shohim vetveten, qe dijetari institucion, avokati mbrojtës dhe denoncuesi dashamirës njëkohësisht, qe një tip shqiptari, i krahasueshëm vetëm me korifenjtë e papërsëritshëm të kulturës sonë, që nga De Rada e Konica e gjer te Kadareja… Shi për këtë, ne e ndjejmë me dhembje ikjen e tij në botën tjetër. E ndjejmë dhe e kujtojmë me mall ditën kur Ai ligjëroi pikërisht në këtë sallë përpara nesh. Aq më tepër që Universiteti ynë planifikonte që ta nderojë së shpejti me titullin Doktor Honoris Causa, për kontributin e tij dhënë shkencës së albanologjisë, kulturës dhe historisë shqiptare. Nuk kam dyshim se kjo do të ndodhë një ditë edhe pa prezencën fizike të Robert Elsit, sepse kjo shtëpi e ardhmërisë nuk i harron kurrë miqtë e vërtetë dhe heronjtë e dijes. Prehu në paqe vëlla Robert dhe faleminderit për gjithçka që bëre për ne!”, theksoi Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, në përmbyllje të fjalës së tij.

                Të pranishmit në këtë mbledhje komemorative patën mundësi që të shkruajnë kujtimet e tyre për Robert Elsien në librin e zisë. 

Zyra për informim 

  • email Email shokëve
  • print Printo
Universiteti Shtetëror i Tetovës
image Me rastin e shënimit të 23 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, udhëheqësia
image Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës, sot, përmes një ekspozite e begatoi mozaikun
image Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 23 vjetorit të themelimit të Universitetit të
image Me moton “Ne duam, dëshirojmë, lutemi dhe punojmë në integrimin e plotë të personave
image Në Universitetin e Tetovës sot i filloi punimet Konferenca V Ndërkombëtare Shkencore  me temë: