UT organizoi Konferencën shkencore ndërkombëtare me temë “Sfidat e kujdesit shëndetësor të shekullit XXI”

image

Në Universitetin e Tetovës, përkatësisht Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë u organizua Konferenca e dytë Ndërkombëtare Shkencore, me temë:  “Sfidat e kujdesit shëndetësore të shekullit XXI”. Konferenca ka mbledhur në  Tetovë më shumë se 200 emra eminentë të fushave të mjekësisë nga vendi, Kosova, Shqipëria dhe rajoni, të cilët gjatë këtyre dy ditëve do t’i paraqesin punimet  e tyre me tema të ndryshme, që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor.

Në emër të Universitetit dhe të Rektorit Prof. Dr. Vullnet Ameti, konferencën e shpalli të hapur Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Hazir Pollozhani. “Kam kënaqësinë e veçantë që në emër të Universitetit të Tetovës, të përshëndes hapjen e Konferencës së dytë shkencore të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, me temë: “Sfidat e kujdesit shëndetësor të shekullit XXI”. Ky aktivitet shkencor i organizuar nga Universiteti i Tetovës, ka për qëllim kryesor avancimin e shkencave të mjekësisë, dhe këtë synim besojmë se do ta arrijmë me nivelin e lartë të punës kërkimore-shkencore, duke vendosur një bashkëpunim afatgjatë midis studiuesve të universiteteve, institucioneve kërkimore dhe specialistëve të fushave të ndryshme, nga rajoni dhe më gjerë. Njohuritë nuk njohin kufij kombëtarë, ndërsa ndërkombëtarizimi duke u bazuar në vlerat e integrimit është një stimulues për reformën, zhvillimin dhe modernizimin e sistemit të arsimit të lartë dhe me këtë edhe të punës kërkimore-shkencore, duke pasur parasysh se hulumtuesit janë më të lëvizshmit, më fleksibël dhe më ndërkombëtarë se kurrë më parë, duke u shndërruar në katalizatorë kryesorë të këtij procesi. Universiteti i Tetovës është Bërthama dhe Nyja e arsimit sipëror në gjuhën shqipe në Maqedoni dhe gjithmonë është i hapur për veprimtari të mirëfillta kërkimore-shkencore”, tha Prof. Dr. Hazir Pollozhani.

Ai, po ashtu shtoi se me investimet e duhura në arsim, me mbështetjen e shkencëtarëve, me krijimin e kushteve dhe hapësirave të nevojshme në sistemin arsimor-shkencor, mund të pretendojmë zhvillimin dhe përparimin e përgjithshëm të shoqërisë në përgjithësi. “Është imperativ i kohës që universitetet tona, përkatësisht fakultetet e shkencave të mjekësisë, të nxjerrin mjekë të përgatitur për t’u përballur me sfidat e kohës, të aftë për t’i shërbyer ritmit dhe zhvillimit të sistemit shëndetësor në vendin tonë.

Kjo konferencë ndërkombëtare përfaqëson vlera shkencore edhe për pjesëmarrësit, studiuesit që e mbështesin cilësinë e kërkimeve shkencore, që përbën një mundësi të shkëlqyer për të realizuar një forum shkencëtarësh në lëmin e mjekësisë. Universiteti i Tetovës ka krijuar traditën e organizimit të konferencave shkencore, duke krijuar kështu një profil që është në kërkim të zhvillimeve më të fundit në disa lëmi shkencore, duke filluar nga studimet e albanologjisë e deri te
hulumtimet në shkencat e mjekësisë.

Uroj që përfundimet e kësaj konference t’i orientojnë universitetet tona dhe njësitë kërkimore - shkencore që të jenë jo thjesht institucione mësimdhënëse, por nyje të forta kërkimore - shkencore dhe burime të padiskutueshme për politikëbërësit vendorë apo rajonal, roli, misioni dhe përgjegjësia e të cilëve mbetet kyçe në suksesin e përbashkët të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Të gjithë pjesëmarrësve në këtë Konferencë, Ju dëshiroj punë të mbarë, sukses dhe bashkëpunim të frytshëm dhe takim të sërishëm në konferencën e radhës”, u shpreh mes tjerash Prof. Dr. Hazir Pollozhani.

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Nasir Bexheti tha se tema që trajton kjo konferencë do të sjell debat të frytshëm dhe prurje të reja shkencore nga fusha e mjekësisë, pasi që mes veti do të debatojnë dhe do t’i paraqesin kumtesat e tyre, profesorë, ekspertë dhe specialistë të ndryshëm të kësaj lëmie. “Për mua është privilegj ta promovoj këtë ngjarje shkencore të karakterit ndërkombëtar në lëmin e shkencave të mjekësisë bashkëkohore. Megjithatë, gëzimi është tepër i madh që këtij evenimenti me përmasa universale, kontributin e tyre në drejtim të zbërthimit të enigmave të shumta që e karakterizojnë profesionin më fisnik të njerëzimit, të atyre enigmave që në fakt, profesionin e mjekut, gjegjësisht, profesionin e punëtorit të shëndetësisë, qysh prej kohërave të Hipokratit, që ishte nën kujdesin e hyjnive e gjer në ditët tona, e ngre mbi të gjitha dhe e ve në rrafshin e misioneve më humanitare të civilizimit modern. Kënaqësia është edhe më e madhe kur shoh që në mesin tonë ka edhe personalitete të cilët me punën e tyre të pakursyer dhe vetëmohuese, kanë bërë që shkencat mjekësore edhe në këto rrafshe të ngjiten drejt sukseseve të pakontestueshme, gjë që të gjithë neve na bën krenar për kontributin e dhënë në këtë drejtim”, tha Prof. Dr. Nasir Bexheti.

Koordinatori i Konferencës, Prof. Dr. Lutfi Zylbehari tha se këtë konferencë me pjesëmarrjen e tyre e nderojnë mbi 200 mjekë shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë kontribuar me eksperiencën e tyre mbi trajtimin sa më cilësor të sëmundjeve të ndryshme. “Kjo konferencë vjen në një format shumë cilësor multi - disciplinar dhe sjell ekspertë, mjekë të njohur në fushën e mjekësisë bashkëkohore, nga vendi dhe jashtë, të cilët sjellin arritjet më të larta në mjekësi, shkëmbime eksperiencash e bashkëpunime të frytshme. Po ashtu, sot botohen edhe dy numrat e revistës shkencore mjekësore ,,ACTA MEDICA BALKANIKA”, botim zyrtar i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë. Dy numrat e parë të revistës i përmbledhin artikujt shkencorë nga fusha e mjekësisë, stomatologjisë dhe farmacisë, që u prezantuan në Konferencën e parë shkencore, në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Mjeksisë të Universitetit të Trakisë nga Turqia”, theksoi Prof. Dr. Lutfi Zylbehari.

Të pranishmëve në hapjen solemne të kësaj konference, me fjalë përshëndetëse ju drejtua edhe njëri nga themeluesit e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Mazllum Belegu, nga Republika e Kosovës. Ai i përgëzoi drejtuesit e Universitetit dhe të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë për organizimin e kësaj konference, si dhe konsolidimin e plotë të këtij fakulteti. Njëherit, Prof. Dr. Mazllum Belegut, në shenjë falënderimi dhe mirënjohje për kontributin e tij që ka dhënë për Universitetin e Tetovës, në përgjithësi, si dhe Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti ia ndau një dhuratë me portretin e Rektorit të parë historik të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit.

 

 

Zyra për informim

  • email Email shokëve
  • print Printo
Universiteti Shtetëror i Tetovës
image “Sfidat e sigurisë dhe standardet universale në procesin e integrimit  euroatlantik”, ishte tema e
image Një delegacion i Universitetit të Tetovës, nga Parlamenti Studentor dhe Qendra për shërbime studentore
image Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë i Universitetit të Tetovës, 14 Nëntorit - Ditës ndërkombëtare 
image Një delegacion nga Universiteti “Onsekiz Mart”, nga Çanakalaja e Republikës së Turqisë, i kryesuar
image Në Universitetin e Tetovës u prezantua programi Fulbright Scholar nga Ambasada e Shteteve të