UT organizoi konferencën shkencore ndërkombëtare për pikëtakimin dhe divergjencat kulturore në Ballkan

image

Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Forumin e Shërbimit Civil për Paqe nga Gjermania, sot organizoi konferencën e pestë shkencore ndërkombëtare me temë: “Pikëtakimi dhe divergjencat kulturore në Ballkan”. Në këtë konferencë morën pjesë mbi 100 studiues të fushave filozofike nga vendi dhe rajoni, të cilët trajtuan tema shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me pikëtakimin e kulturave globale dhe lokale, përfshirë këtu edhe universitetet, si një pikë takimi me njohuri të reja akademike, shoqëri të re dhe njohje të re të kulturës.

Konferencën e shpalli të hapur Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. “Më lejoni që në emër të Universitetit të Tetovës dhe në emrin tim personal, t’Ju përshëndes të gjithëve që merrni pjesë në hapjen solemne të Konferencës së pestë shkencore ndërkombëtare, me temë: “Pikëtakimi dhe divergjencat kulturore në Ballkan”. Me aktivitetet e këtij niveli akademik dhe shkencor, ne e konkretizojmë bashkëpunimin e suksesshëm që kemi ndërtuar me studiues të njohur në fushat shkencore, por edhe me institucione partnere, siç është rasti me bashkorganizatorin e sotëm, Fondacionin gjerman ZFD. Puna kërkimore-shkencore në Universitetin e Tetovës është pjesë e rëndësishme dhe e pandashme nga aktiviteti akademik. Me qëllim të përmbushjes së nevojës për hulumtime të mirëfillta, Universiteti ynë i ka vënë në lëvizje të gjitha kapacitetet shkencore të 13 fakulteteve, në funksion të studimit dhe hulumtimeve të reja nga fushat shkencore, kultura dhe arti”, tha Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ai, më tej shtoi se kjo vatër akademike, përmes organizimeve të kësaj natyre shpreh mendimin intelektual mbi jetën dhe njerëzimin në përgjithësi, merr përsipër të trajtojë tema me përmbajtje të rëndësishme në jetën shoqërore, të realiteteve kulturore dhe dallimeve të tyre, që janë pjesë e pandarë në gadishullin ku ne jetojmë. “Prandaj, na takon neve që të punojmë në forcimin e lidhjeve të  komunikimit, të nxisim frymën e bashkëpunimit përtej kufijve gjeografikë, për afirmimin dhe ndikimin reciprok të kulturave të ndryshme. Procesi i hovshëm i globalizimit është një ftesë e hapur për bashkëpunim mes kombeve, që me idetë, mendimin e lirë dhe dijen e njerëzve të japin kontributin e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm ndërkulturor.

Diskutimet dhe pikëpamjet shkencore që do të prezantohen në këtë konferencë  besojmë se do të përcjellin mesazhet se dallimet e panevojshme të popujve nga kontinentet e ndryshme vijnë jo nga vetë popujt, por nga nxitja dhe mungesa e vizionit nga përfaqësuesit e tyre. Në përfundim të fjalës time, doja t’i përgëzoj organizatorët e kësaj konference, drejtuesit e Fakultetit Filozofik dhe përfaqësuesit e Fondacionit gjerman ZFD, dhe sidomos hulumtuesit shkencorë që me kontributet e tyre e bëjnë të mundur realizmin me sukses të plotë të kësaj ngjarje të rëndësishme shkencore”, theksoi mes tjerash Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Në hapjen e punimeve të kësaj konference i pranishëm ishte edhe Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynir Koni. Sipas tij, organizimi i konferencave shkencore me karakter ndërkombëtar jep mesazhe të fuqishme për veprimtarinë arsimore dhe shkencore të universiteteve. “Është kënaqësi të jem në një aktivitet të tillë solemn këtu në universitetin tuaj, bashkë me Rektorin Prof. dr. Vullnet Ameti, aktivitet ky që për qëllim ka promovimin e dijeve dhe njohurive të reja në fushën e filozofisë. Kam një kënaqësi të paparë për mënyrën e organizimit, e vlerësoj në sentimentin personal dhe ju përgëzoj për këto aktivitete të gjithëve duke filluar nga drejtuesit e këtij universiteti. Ju me këto organizime jepni një mesazh se universiteti është jo vetëm një qendër e formimit shkencor, por edhe e menaxhimit dhe administrimit të tij. Po ashtu, në këtë moment dua të shtoj që këto aktivitete në të ardhmen të shtrihen midis  institucioneve të universiteteve tona shqipfolëse”, u shpreh Prof. Dr. Mynir Koni, Rektori i Universitetit të Tiranës.

Në emër të Forumit të Shërbimit Civil për Paqe nga Gjermania (ZFD), të pranishmit në auditor me fjalë rasti i përshëndeti përfaqësuesja e këtij forumi, Nora Maliqi, e cila tha se ky organizim shkencor është vërtet diçka madhështore, pasi ka mbledhur në një vend kaq shumë intelektualë, studiues dhe studentë entuziastë, të cilët janë të etur për dije. “Unë kam një eksperiencë disavjeçare nëpër universitete, dhe të them të drejtën unë kisha humbur besimin se ekziston një arsim kualitativ dhe se nuk punohet për shkencë, por kjo që e shoh këtu më rikthen besimin se në Maqedoni ka intelektualë, ka njerëz me kapacitete të larta, të cilët me shumë vullnet u qasen punëve, dhe për këtë dua ta përgëzoj Universitetin e Tetovës dhe Rektorin Prof. dr. Vullnet Ameti për punët që bëhet në drejtim të avancimit të shkencës në përgjithësi dhe dyert i kemi të hapura kudo. Forumi i Shërbimit Civil për Paqe nga Gjermania (ZFD) është shumë i kënaqur nga bashkëpunimi që ka me Universitetin e Tetovë, si dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me këtë institucion edhe gjatë viteve në vazhdim”, deklaroi Nora Maliqi, përfaqësuese e ZFD.

Dekani i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fatbi Osmani, nënvizoi se fakulteti që ai drejton sot po e realizon me sukses projektin shkencor ndërkombëtar të radhës, që ka të bëjë me pikëtakimet dhe divergjencat kulturore në Ballkanin multikulturor. “Fjalët më të lakueshme në të gjitha konferencat, pa përjashtuar edhe këtë të sodit janë: kultura, edukimi, arsimi, multikultura, interkultura, diversiteti, pikëtakimet, divergjencat etj. Kultura është pjesë e pandashme e jetës dhe e veprimtarisë në Ballkan dhe më gjerë. Ajo gjithmonë ka kontribuar në bashkëpunimin ndërkulturor, në dobi të afirmimit të popujve që ndajnë këto hapësira ballkanike. Ndërsa arsimi dhe edukimi është e drejtë fundamentale e njeriut, ai u mundëson fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve forcë që në mënyrë kritike të mendojnë, të bëjnë zgjidhje, dhe ta përmirësojnë jetën, ta ndryshojnë mjedisin e tyre, e me këtë mundësohet zhvillimi socio-ekonomik”, vlerësoi  Prof. Dr. Fatbi Osmani.

Koordinatori i kësaj konference, Prof. Dr. Ibish Kadriu, tha se kjo konferencë përbën një ngjarje shkencore dhe intelektuale me rëndësi të veçantë, si për tematikën e propozuar për debat dhe shkëmbim mendimesh, ideshë dhe përvojash, si për nga pjesëmarrja e profileve akademike dhe intelektuale që i janë përgjigjur ftesës sonë. “Në këtë konferencë, të ndarë tematikisht në disa sesione, ne presim që realiteteve të pikëtakimeve historike dhe të tashme kulturore, të ndërlidhjeve dhe lidhjeve kulturore përmes bashkëpunimit, me këtë numër pjesëmarrësish eminentë, të  formojmë një radioskopi të sintetizuar, por, është e kuptueshme, se ky angazhim i botës universitare dhe intelektuale sigurisht që zhvillohet brenda konteksteve të ndryshme shtetërore, pra, brenda konteksteve të ndërvarura edhe nga vullneti politik-shtetëror dhe realitetet politike-integruese, të secilit vend në veçanti, vullnete të cilat shpesh dalin si faktorë ngecës në këto zhvillime të integrimit evropian, kurse edhe roli i botës akademike-universitare në këto zhvillime paraqitet jo aq valorizues dhe angazhues nga ana e vetë politikës”, tha mes tjerash koordinatori i kësaj konference, Prof. Dr. Ibish Kadriu.

Po ashtu, sot u bë edhe promovimi i revistës shkencore ndërkombëtare ,,PHILOSOPHICA”, respektivisht numrat VII dhe VIII të revistës që botohet nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës.

 

 

Zyra për informim 

  • email Email shokëve
  • print Printo
Universiteti Shtetëror i Tetovës
image Me një akademi solemne, sot në Universitetin e Tetovës u shënua 109 vjetori i
image Studentët dhe profesorët e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, të Fakultetit Filologjik të
image “Sfidat e sigurisë dhe standardet universale në procesin e integrimit  euroatlantik”, ishte tema e
image Një delegacion i Universitetit të Tetovës, nga Parlamenti Studentor dhe Qendra për shërbime studentore
image Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë i Universitetit të Tetovës, 14 Nëntorit - Ditës ndërkombëtare