Universiteti i Tetovës dhe Universiteti ,,Haxhi Zeka” nga Republika e Kosovës e organizuan Konferencën e dytë shkencore

image

Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tetovës dhe Fakulteti i Biznesit i Universitetit ,,Haxhi Zeka” nga Republika e Kosovës, më 17 nëntor 2017, e organizuan Konferencën e dytë shkencore, me temë: ,,Politikat qeveritare dhe zhvillimi ekonomik”.

Në këtë konferencë morën pjesë studiues të njohur, punonjës shkencorë dhe profesorë nga universitetet respektive. Realizimi i konferencës, organizimi i aktiviteteve me karakter shkencor nga universitetet shqiptare nga Maqedonia dhe Kosova, janë një dëshmi e qartë se ndonëse të ndarë nga kufij, jemi të bashkuar në shkencë, art, studime dhe hulumtime, mësimdhënie dhe mësimnxënie, traditë, kulturë, vlera dhe emocione, u tha në fillimin e punimeve të këtij tubimi shkencor.

Në emër të Universitetit të Tetovës, përkatësisht Fakultetit Ekonomik, pjesëmarrësit i përshëndeti dekani, Prof. Dr. Rahman Ismaili, i cili vlerësoi se organizimi i kësaj konference të përbashkët, është e një rëndësie të veçantë në krijimin e një tradite të bashkëpunimit akademik dhe shkencor në mes institucioneve arsimore të dyja vendeve.

“Kjo konferencë shkencore jorastësisht e mban këtë titull, meqë synon krijimin e një platforme akademike dhe shkencore, që me tërë kapacitetin e vet akademik dhe intelektual do të vëhet në dispozicion të gjetjes dhe ofrimit të alternativave përkatëse dhe të zbatueshme për të kanalizuar në mënyrë më efiçiente, për të kanalizuar dhe orientuar masat qeveritare në drejtim të nxitjes së një zhvillimi më intensiv ekonomik dhe të gjithmbarëshëm shoqëror në përgjithësi. Gëzohem kur ndodhem në prani të shumë studiuesve cilësorë nga gjenerata të ndryshme, të cilët disponojnë kapacitetin shkencor dhe guximin intelektual për ta sfiduar realitetin, në tendencë për të ndërtuar një ekonomi nacionale e cila do të mundësojë mirëqenie për të gjithë qytetarët e dy vendeve tona”, deklaroi dekani Prof. Dr. Rahman Ismaili.

Në fjalën e tij, ai po ashtu u shpreh se ndonëse me rrugë të ndryshme zhvillimore, Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kosovës, sot ndodhen para sfidave të shumta, që në mënyrë të drejtëpërdrejtë tangojnë funksionalitetin e sistemit ekonomik dhe shoqëror në përgjithësi. ,,Ky tubim, sot ka marrë përsipër një përgjegjësi të jashtëzakonëshme, meqë tema bosht e kësaj konferencë është jorastësisht ,,Politikat qeveritare dhe zhvillimi ekonomik”, një temë që në vete ngërthen një kompleksitet të problematikave që mund të studiohen dhe analizohen vetëm në një formë dhe qasje multidimensionale. Ndonëse plotësisht të vetëdijëshëm për rëndësinë e politikave qeveritare në nxitjen e rritjes dhe të zhvillimit ekonomik, duhet veçuar edhe rëndësia e elementit njeri, si bartës i kreativitetit, ideve të reja dhe mbi të gjitha guximit sipërmarrës, si element me rëndësi të posaçme në botën bashkëkohore. Synimi parësor i dhjetëra punimeve që do të prezantohen sot nga ana e kolegëve të nderuar, është jo vetëm të ofrohet një përshkrim profesoresk i gjendjes dhe situatave aktuale, por përkundrazi në mënyrë kritike të vlerësohen politikat qeveritare dhe zhvillimi ekonomik në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë. Kjo, jo me qëllim të evidentimit të mangësive aktuale, por përkundrazi, me qëllim të evitimit të gjasave që mangësi të ngjashme të paraqiten edhe në periudhat e ardhshme kohore. Tek e fundit, kur bëhet fjalë për politikat qeveritare dhe zhvillimin ekonomik në rajonin e Evropës Juglindore, nuk është e vështirë të identifikohen mangësitë. Megjithatë, duhet një tubim si kyi sotmi, një bashkim i ideve, qasjeve dhe mendimeve për të identifikuar mundësi për të ndërtuar politika qeveritare që në mënyrë të drejtpërdrejtë do të targetojnë sektorët më produktivë të ekonomive nacionale. Nënkuptohet që kjo kërkon analiza të shumta, por mbi të gjitha ballafaqim me realitetin, sepse duhet ndërtuar politika qeveritare ekonomike që kanë për bazë nevojat e pretendentëve të ekonomisë nacionale”, theksoi Prof. Dr. Raman Ismaili, dekan i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tetovës.  

Koferenca e dytë shkencore që për temë bosht kishte diskutimin e politikave qeveritare dhe zhvillimin ekonomik, ndër të tjera nxori vlerësimet se  Republika e Maqedonisë, në veçanti Republika e Kosovës, kanë avancuar në ndërtimin e ekonomive të tyre nacionale, edhe pse me ritme dhe në rrethana të ndryshme.

Universiteti i Tetovës, deri më tani ka organizuar dhjetëra konferenca, aktivitete, veprimtari dhe  tubime shkencore, në bashkëpunim edhe me universitetet të tjera publike dhe private nga Republika e Kosovës dhe nga rajoni.

 

Zyra për informim

  • email Email shokëve
  • print Printo
Universiteti Shtetëror i Tetovës
image Me rastin e shënimit të 23 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, udhëheqësia
image Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës, sot, përmes një ekspozite e begatoi mozaikun
image Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 23 vjetorit të themelimit të Universitetit të
image Me moton “Ne duam, dëshirojmë, lutemi dhe punojmë në integrimin e plotë të personave
image Në Universitetin e Tetovës sot i filloi punimet Konferenca V Ndërkombëtare Shkencore  me temë: