UT e shënoi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit

image

Universiteti i Tetovës, sot me një akademi solemne e shënoi 28 Nëntorin, Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, e njohur ndër shqiptarët edhe si Dita e Flamurit. Kjo ditë është festa më e madhe dhe më e rëndësishme për shqiptarët e të gjitha trojeve, pasi na kujton që jemi një, pavarësisht bindjeve e ndarjeve ideologjike, religjioze, krahinore e dialektore.

Në emër të Universitetit të Tetovës dhe të Rektorit Prof. Dr. Vullnet Ameti, akademinë e shpalli të hapur dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu. Ai tha se 28 Nëntori është dita e realizimit të një ëndrre shumëshekullore, realizim i projektit të madh politik, kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve. “Ky projekt kombëtar pati edhe pararendësit tij, në krye me Heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun, i cili më 1443, në kryeqytetin e vjetër të Shqipërisë, në Krujë, e ngriti flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrenore. Sot, të gjithë shqiptarët kudo që gjenden, festojnë pa dallim feje, ideje e krahine, sepse kjo është ditë feste gjithëkombëtare, ditë gëzimi e krenarie, ditë e shënuar me shkronja të arta. Në këtë ditë historike, pas shumë e shumë përpjekjesh të pandërprera, me pushkë e pendë, ndër shekuj, u ringjall qenia jonë kombëtare, historia dhe ardhmëria jonë. Të vetëdijshëm për këtë Mot të madh dhe testamentin e vet evropian, etërit themelues të Shtetit Shqiptar e zgjodhën pikërisht 28 Nëntorin, si Nëntor të Dytë të Rilindjes Shqiptare. Në Vlorë, ditën kur plaku i flamurit, Ismail Qemali e shpalli vendimin e shenjtë, ishin bashkë të gjithë rilindësit shqiptarë, të gjallë e të vdekur, sepse në atë akt u mishëruan bashkë shpirti dhe fryma atdhetare shqiptare. Dita e Flamurit është Dita e Pavarësisë gjithëshqiptare, e cila më vonë u përgjysmua, por është dita më e rëndësishme në historinë e kombit tonë, sepse flamuri i ngritur në këtë ditë, sot e gjithmonë do të jetë shenja e unitetit të kombit shqiptar, pasqyra ku ne mund ta shohim veten tonë, drejtësinë e ideve tona dhe peshën e veprimit tonë”, tha Prof. Dr. Ibish Kadriu.

Në këtë akademi, historiani Prof. Dr. Fehari Ramadani mbajti një ligjëratë tematike për këtë datë të rëndësishme. “Si pasojë e shkeljes së të drejtave kombëtare dhe dhunës së ushtruar nga autoritet xhonturke, në vitet 1909-1912, shqiptarët zhvilluan katër kryengritje anti - osmane. Secila kryengritje që pasonte atë parapraken ishte më masovike dhe me kërkesa të avancuara. Një nga katër kryengritjet, më e rëndësishmja ishte kryengritja e përgjithshme e vitit 1912. Ajo u shtri pothuajse në të gjitha territoret shqiptare dhe kërkesë bazë e saj ishin krijimi i një shteti autonom shqiptar. Shpallja e pavarësisë dh krijimi i shtetit  kombëtar shqiptar ishte akt me rëndësi jetike për popullin tonë. Ajo shënoi përmbysjen e sundimit osman, i cili e kishte mbajtur Shqipërinë pothuajse për pesë shekuj nën një shtypje të egër mesjetare. Shpallja e pavarësisë është  ngjarja më e rëndësishme e historisë sonë kombëtare. Ajo ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore për liri dhe pavarësi”, theksoi Prof. Dr. Fehari Ramadani.

Akademia u shoqërua edhe me një program të begatë artistik, të përgatitur nga studentët e Fakultetit Filologjik, Fakultetit Filozofik dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës. 

 

Zyra për informim

  • email Email shokëve
  • print Printo
Universiteti Shtetëror i Tetovës
image Me rastin e shënimit të 23 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, udhëheqësia
image Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës, sot, përmes një ekspozite e begatoi mozaikun
image Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 23 vjetorit të themelimit të Universitetit të
image Me moton “Ne duam, dëshirojmë, lutemi dhe punojmë në integrimin e plotë të personave
image Në Universitetin e Tetovës sot i filloi punimet Konferenca V Ndërkombëtare Shkencore  me temë: