UT organizoi Konferencën shkencore ndërkombëtare për sfidat e të bërit biznes në botën bashkëkohore

image

Në Universitetin e Tetovës sot i filloi punimet Konferenca V Ndërkombëtare Shkencore  me temë: “Sfidat e të bërit biznes në botën bashkëkohore”. Kjo konferencë u organizua nga Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Administrimit të Biznesit të Universitetit të Tetovës. Në emër të Universitetit të Tetovës dhe Rektorit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, konferencën e përshëndeti Prorektori për Financa i Universitetit tonë, Prof. Dr. Alifeta Selimi.

Ai duke iu referuar temës së konferencës “Sfidat e të bërit biznes në botën bashkëkohore” tha se të gjithë sot ndajmë vlerësimin e përbashkët se,  bashkëpunimi ekonomik, procesi i integrimit dhe ndikimi global në çështjet financiare, janë shndërruar në kryefjalë të debateve, tryezave, simpoziumeve, seminareve dhe kongreseve të ndryshme shkencore, që organizohen nga institucione serioze të vendit dhe të huaja. “Debatet  për zhvillimet ekonomike, sot janë çështje aktuale për vendin tonë dhe rajonin, por kjo tematikë bëhet edhe më e veçantë për shoqëritë në tranzicion, të cilat  synojnë integrimin euroatlantik dhe zhvillimet e trendeve bashkëkohore globale. Edhe përkundër sfidave të shumta, sot, ekonomia botërore është duke u globalizuar, shtetet ndër vite kanë bërë përpjekjet e tyre për të realizuar sistem ekonomik të integruar dhe këtë zhvillim e kanë arritur përmes investimeve në arsim, komunikim të lirë, si një aktor i rëndësishëm në botën e zhvilluar, që mundëson afrimin e popujve, njohjen me trashëgiminë kulturore, si dhe specifika e vlera të tjera të rëndësishme për njëri-tjetrin. Në këndvështrimin tonë, konsiderojmë se puna kërkimore-shkencore vlerësohet si mjeti më i fuqishëm i avancimit të dijes, zhvillimit ekonomik dhe integrimit shoqëror. Me këtë rast, ne besojmë se kjo konferencë, që ka tubuar një numër të konsiderueshëm të mësimdhënësve, punonjësve shkencorë dhe profesionistëve të fushës ekonomike, përmes mendimit shkencor do të kontribuojë për një vizion të ri ekonomik në vendin tonë dhe më gjerë” – tha Prof. Dr. Alifeta Selimi.

Në emër të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, konferencën e përshëndeti kryetari i saj,  z. Nebi Hoxha. Ai tha se Oda që ai drejton angazhohet për përmirësimin e zbatimit të legjislacionit (ligjeve, rregullave) për një ambient më të mirë të biznesit, para së gjithash, me ndihmën e përmirësimit të pjesëmarrjes së Odës, anëtarëve dhe organizatave tjera të biznesit në sjelljen e tij. OEMVP do të kërkojë që të jetë detyrimisht e konsultuar gjatë sjelljes/ndryshimit të legjislacionit, me pjesëmarrjen e saj në punën e komisioneve parlamentare dhe me konsultime bilaterale. Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore do të bashkëpunojë me Qeverinë, gjë që nuk përjashton kritikat ndaj politikave dhe rregullativës ligjore. Ajo gjithashtu do të orvatet që të krijojë qëndrimin dhe mendimin e vet sa u përket politikave dhe legjislacionit më të rëndësishëm të vendit.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Raman Ismaili, tha se tema boshte e kësaj konference determinon objektivin e  krijimit të një platforme akademike dhe shkencore me të gjitha kapacitetet tona akademike, intelektuale e profesionale. “Kjo konferencë do të mundësojë gjetjen dhe ofrimin e alternativave të ndryshme, por të zbatueshme e në mënyrë efektive do të kanalizojë arritjet shkencore në situata të ndryshme me qëllim që të lehtësojë dhe avancojë biznesbërjen kundrejt sfidave të imponuara nga ndryshimet permanente të trysnive të mjedisit në tregjet bashkëkohore. Pra, guximi dhe kapaciteti intelektual i studiuesve cilësorë, i përfshirë në gjenerata të ndryshme, do të sfidojë realitetin e problemeve që kanë bizneset e vendit dhe rajonit duke  inkorporuar bizneset në shtyllën kryesore të rritjes së qëndrueshme ekonomike të vendeve tona” – theksoi Prof. Dr. Raman Ismaili.

Dekani i Fakultetit të Administrimit të Biznesit, Prof. Dr. Naser Rahimi, tha se kjo konferencë, sikur të gjitha evenimentet tjera që organizohen edhe nga njësitë tjera akademike në kuadër të Universitetit të Tetovës, ndihmon në ngritjen e vlerave dhe potencialit për të gjithë studentët tanë. “Sikur edhe dihet, numri i studiuesve pjesëmarrës në këtë konferencë është mjaft i madh dhe sigurisht që në punimet e tyre do të ketë prurje të reja nga lëmi i ekonomisë dhe biznesit. Ne besojmë se këto konferenca do të ndihmojnë në përgatitjen profesionale të studentëve tanë dhe nesër kudo që ata të shkojnë me kënaqësi do ta përfaqësojnë dhe prezantojnë Universitetin e Tetovës” – u shpreh Prof. Dr. Naser Rahimi.

Ndërsa koordinatorja e kësaj konference, Doc. Dr. Argjina Kahremani, tha se në këtë konferencë marrin pjesë mbi 200 studiues me më shumë se 80 punime shkencore në fusha të ndryshme ekonomike, të ndara në 6 sesione. “Kjo konferencë është vetëm një stacion në rrugën e gjatë kërkimore dhe shkencore të dy fakulteteve që janë organizatore të konferencës. Numri i pjesëmarrësve të rinj, hulumtuesve, doktorantëve dhe profesorëve është më i madh se çdo vit tjetër dhe kjo tregon interes dhe vëmendje të shtuar për studime në fushat e ekonomisë dhe biznesit”, tha Doc. Dr. Argjina Kahremani

Po ashtu, sot, në hapjen solemne të kësaj konference u promovuan edhe numri VII dhe VIII i Revistës Vizioni Ekonomik, e cila këtë radhë vjen e gjitha në gjuhën angleze dhe me një bord të pasur editorial.

 

Zyra për informim

  • email Email shokëve
  • print Printo
Universiteti Shtetëror i Tetovës
image Me rastin e shënimit të 23 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, udhëheqësia
image Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës, sot, përmes një ekspozite e begatoi mozaikun
image Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 23 vjetorit të themelimit të Universitetit të
image Me moton “Ne duam, dëshirojmë, lutemi dhe punojmë në integrimin e plotë të personave
image Në Universitetin e Tetovës sot i filloi punimet Konferenca V Ndërkombëtare Shkencore  me temë: