Në UT u promovua libri E vërteta për Nolin i autores Entela Komnino

image

Në ambientet e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës sot u bë përurimi i veprës E vërteta për Nolin e autores Entela Komnino. Ky libër është promovuar edhe në Shqipëri dhe është vlerësuar si një studim ndryshe për veprën e Nolit. Për librin në fjalë foli profesori universitar Doc. Dr. Salajdin Salihu, i cili tha se libri i autores Entela Komnino është kërshërindjellës, për faktin se është një studim për Nolin. “Çdo studim për këtë personalitet kulture e historie është joshës sepse: Fan Noli është poeti i veçantë, i cili luajti bukur me violinën e gjuhës dhe krijoi një vepër artistike, ku shtresa aktuale sot është hijezuar nga shtresa universale. Ai është përkthyesi sojli, një pasurues i botës sonë kulturore dhe letrare me reflektim perlash të letërsisë botërore, që njerëzimit i vijnë rrallë dhe, si të tilla,  janë të dënuara që t'u flasin kohërave me gjuhën e tyre simbolike. Ai është publicisti par exellence, që mund t’ia kontestosh idetë, por jo edhe stilin se si shkruan. Ai është prifti, i cili përktheu në gjuhën shqipe vepra të shumta religjioze, kurse ndjeshmëria prej shkrimtari e mbajti larg dogmës së ngurtë që krijon shtretër Prokrusti. Ai është politikani me fyell, që veproi në një kohë të çmendur, kur historia kishte përjetuar plasaritje, lartësonte dhe rrëzonte nga skena politike, kjo skenë interesash e konfliktesh të mëdha, personazhe tragjikomike, që mbanin në duar edhe fatin e kombit” – tha Doc. Dr. Salajdin Salihu. Autorja e librit Entela Komnino u shpreh se ky libër sjell një vështrim krejt të ri për figurën e Nolit dhe kulturën shqiptare në tërësi. “E vërteta për Nolin nuk është një provokim me tituj, aq më pak çudibërës, dalë rrethanash të mundësive më shumë se 100 vjeçare për përgjigje. Çudia është, por ajo i takon tjetër fakti: brenda mundësive po ashtu më shumë se 100 vjeçare, pyetja ende e pabërë vazhdon të sfidohet nga e vërteta hartuese; retorika. Brenda mundësive më se mijëravjeçare të të folurit, shqip, nga ana tjetër, tejkalon çdo arsye të grupuara të gjuhëve sipas kombit. E vërteta me të cilën jetoi me çudi edhe përmbi cakut të vdekjes dhe shkroi për shqiptarët Fan Noli, tejçuar sot edhe me kufij të papërfytyrueshëm në kohën e shkrimit të tij si ato të rrjeteve sociale, ka ngritur edhe pa zhvillimet numerike pandehma kuptimi tej atyre pa çudi, pa mbërritur dot gjithsesi në një proces të vijueshëm pyetje – përgjigje, specifikisht të domosdoshëm edhe në kushtet e gjallimit shqip dhe të ndodhive dhe letrave” – u shpreh znj. Entela Komnino.

Entela Komnino jeton dhe vepron në Tiranë. Ka kryer studimet në piano dhe histori arti në Liceun Artistik Tiranë dhe më pas Gjuhë dhe Letërsi në Fakultetin Histori - Filologji të Universitetit të Tiranës. Në vitin 1994-1995 ka kryer studimet pasuniversitare, retorikë e gazetari televizive në universitetin e Tuebingenit në Gjermani.  Ka përvojë edhe si gazetare në mediet e Shqipërisë dhe të Kosovës, por gjatë është marrë edhe me studime të ndryshme. Në vitin 1997 ka botuar librin 30 minutat e darkës ‘20 që ka të bëjë me historikun e lajmit televiziv në Shqipëri që nga fillimet e tij. Është doktore shkencash në letërsi me disertacionin Kodi retorik në publicistikën e Fan Nolit.    

Zyra për informim

  • email Email shokëve
  • print Printo
Universiteti Shtetëror i Tetovës
image Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, më 16 dhjetor 2017, në
image Me iniciativën e Institutit Junus Emre në Shkup dhe me mbështetjen e përfaqësisë së
image Me një ceremoni solemne, në Universitetin e Tetovës, më 23 dhjetor 2017, u
image Klubi i Volejbollit për femra i Universitetit të Tetovës shkëlqeu këtë sezon me paraqitjet
image Studentët e programit studimor të Artit Muzikor të Fakultetit të Arteve në Universitetin e