Pritje solemne për Rektorin Prof. Dr. Vullnet Ameti, me rastin e laureimit Doctor Honoris Causa i Northern Illinois University (NIU)

image

Senati i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Parlamentin Studentor, dje organizuan pritje solemne për Rektorin e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, me rastin e laureimit Doctor Honoris Causa nga ana e Northern Illinois University, me seli në Çikago  të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Arbër Çeliku, në fjalën e tij para stafit akademik, profesorëve dhe studentëve, tha se Northern Illinois University, ky universitet prestigjioz në SHBA, me këtë akt, jo vetëm që e ka nderuar personalitetin, punën dhe kontributin e Rektorit tonë, por e ka nderuar gjithë historikun e Universitetit ndër vite. Ai, po ashtu para auditorit shpalosi edhe momente rreth ecurisë së organizimit të kësaj ceremonie në Çikago të SHBA-ve, ku përveç laureimit të Rektorit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në Muzeun Blackwell të Northern Illinois University është hapur edhe ekspozita me historikun e Universitetit të Tetovës, që nga themelimi e deri më sot. “Northern Illinois University me seli në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për herë të parë në historinë e vet e laureon me titullin më të lartë Doctor Honoris Causa një personalitet jashtë territorit të SHBA-ve, respektivisht Rektorin e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ky çmim, jo vetëm që e ka nderuar personalitetin e Rektorit tonë, por i ka nderuar të gjithë shqiptarët kudo që janë. Ky çmim është një dëshmi se udhëheqësia e Universitetit tonë ka bërë punë të mëdha drejt ndërkombëtarizimit të Universitetit, duke lidhur mbi 200 partneritete me universitete me renome ndërkombëtare, nga rajoni, Evropa dhe SHBA-të. Po ashtu, Northern Illinois University ka hapur edhe ekspozitën me historikun e Universitetit të Tetovës, e cila në ambientet e këtij Universiteti do të qëndrojë e hapur deri në përmbyllje të vitit akademik 2017/2018”, deklaroi Prof. Dr. Arbër Çeliku.

Në pritjen solemne që u organizua për Rektorin e Universitetit tonë, të pranishmit me fjalë rasti i përshëndeti edhe ish-rektori i Universitetit të Tiranës, njëkohësisht edhe Doktor Nderi i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Shezai Rrokaj. “Është kënaqësi të jem pjesë e kësaj ceremonie, ku nderohet dhe vlerësohet një personalitet siç është Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ky është një vlerësim i veçantë që i jepet historisë së këtij universiteti, të gjithë atyre që kanë dhënë kontribut ndër vite për ngritjen e këtij universiteti, duke filluar nga rektori i parë historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, popullata  e kësaj ane dhe gjithë ata pedagogë që e kanë mbështetur këtë universitet. Ky çmim, jo vetëm që e ka lartësuar Rektorin Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Universitetin e Tetovës, por i ka lartësuar të gjitha universitetet shqiptare, sepse është vlerësuar nga një Universitet prestigjioz nga Çikagoja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Urime për Rektorin Prof. Dr. Vullnet Ameti, familjen e tij, profesorët, studentët dhe gjithë shqiptarët në përgjithësi”, u shpreh Prof. Dr. Shezai Rrokaj.

Laureati i titullit Doctor Honoris Causa i Northern Illinois University, Prof. Dr. Vullnet Ameti, tha se këtë titull ua dedikon të gjithë atyre që kanë kontribuar në themelimin e Universitetit të Tetovës, duke filluar nga themeluesi  dhe rektori i parë historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, popullata shqiptare,  e deri te të gjithë ata profesorë dhe studentë që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e këtij Universiteti. “Është tepër emocionuese që sot t’u drejtohem Juve për këtë pritje që keni bërë për mua. Dëshiroj t’u falënderoj të gjithëve, duke filluar nga bashkëpunëtorët e mi, udhëheqësia e universitetit, senatorët, dekanët, administrata, Parlamenti Studentor, profesorët dhe studentët, për këtë organizim. Unë këtë titull dëshiroj t’ia dedikoj të gjithë popullatës shqiptare që e ka mbështetur Universitetin e Tetovës, që nga themelimi në vitin 1994 e deri në ditët e sotme. Me këtë është nderuar dëshmori i arsimit, Abdylselam Emini, dhe vepra e madhe e rektorit të parë, Prof. Dr. Fadil Sulejmani. Këtë titull shkencor të cilin e pranova më 16 dhjetor 2017, nga Northern Illinois University, nuk e konsideroj si individual, por është një çmim kolektiv, sepse të gjithë së bashku kemi bërë që Universiteti të ngjitet në piedestal me universitetet ndërkombëtare. Puna dhe angazhimi ynë ka bërë që të tjerët të na vlerësojnë dhe për këtë u jam mirënjohës të gjithë juve për mbështetjen që më keni dhënë. Njëkohësisht, ky titull shkencor na obligon që në të ardhmen të punojmë edhe më shumë në avancimin dhe zhvillimin e Universitetit tonë në arenën ndërkombëtare. Investimi në shkencë do të mbetet prioriteti ynë për të ardhmen. Popullata i ka sytë te ne, shpresa e tyre është brezi i ri i studentëve, andaj të angazhohemi të gjithë së bashku që në të ardhmen të përgatitim kuadro profesionistësh,  të cilët do të jenë të përshtatshëm për shoqërinë dhe vetëm në këtë mënyrë, me shumë përgjegjësi t’u prijnë proceseve në shoqëri. Ju falënderoj të gjithëve për këtë nder që më keni bërë dhe së bashku le të vazhdojmë të punojmë për të mirën e Universitetit të Tetovës”, tha Prof. Dr. Vullnet Ameti, rektori i Universitetit të Tetovës.

Ky çmim i lartë shkencor, Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, nga Northern Illinois University iu nda si rrjedhojë e angazhimit permanent të tij në sendërtimin e Universitetit të Tetovës, për rolin pozitiv që luan në të mirë të komunitetit të gjerë në Republikën e Maqedonisë dhe në rajon si dhe në promovimin e kahershëm të vlerave të mirëfillta akademike e shoqërore, por edhe në forcimin e urave të bashkëpunimit  universitar në rrafshin global.

 

Zyra për informim

  • email Email shokëve
  • print Printo
Universiteti Shtetëror i Tetovës
image Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, më 16 dhjetor 2017, në
image Me iniciativën e Institutit Junus Emre në Shkup dhe me mbështetjen e përfaqësisë së
image Me një ceremoni solemne, në Universitetin e Tetovës, më 23 dhjetor 2017, u
image Klubi i Volejbollit për femra i Universitetit të Tetovës shkëlqeu këtë sezon me paraqitjet
image Studentët e programit studimor të Artit Muzikor të Fakultetit të Arteve në Universitetin e