Me rastin e 25 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, Fakulteti i Arteve, përmes programeve studimore: Arti figurativ, Arti muzikor dhe Arti dramatik, në bashkëpunim me profesorët dhe studentët organizuan disa aktivitete për nder të këtij viti jubilar. Prej 10 dhjetorit në Qendrën e kulturës në Tetovë është hapur ekspozita e pikturave nga studentët e Fakultetit të Arteve, përkatësisht të programit studimor të Arti figurativ. Profesoresha Jëlldëz Asani në hapjen e kësaj ekspozite (10 dhjetor 2019), tha se tani më pas 25 vitesh Universiteti i Tetovës, është shndërruar në një qendër të mirëfilltë të arsimimit dhe edukimit, sipas saj, që nga themelimi UT ka hasur në ecuri të mbarë artistike në profile të ndryshme, në proceset e zhvillimit dhe kultivimit të mëtejshëm të artit, për të cilat studentët dhe profesorët e fakultetit tonë çdo herë e kanë dëshmuar me punën e tyre profesionale. “Të gjitha punimet në vete bartin ide dhe porosi të qarta, duke u përpjekur që ta gjejnë kuptimin e artit në jetën e tyre dhe pohimin e përvojave të ndryshme artistike. Studentët pjesëmarrës, në këtë aktivitet paraqesin grupin figurativ heterogjen për nga pikëpamja e thellë e dispozicioneve artistike, brendësisë shpirtërore, instinkteve imagjinuese dhe individualitetit krijues, me të gjitha trajtat e saj të lirisë. Ndryshimet midis krijuesve gjenden në ato relacione të shprehjes figurative të ndikuar edhe nga rrethanat dhe karakteristikat e mendësisë bashkëkohore artistike”, theksoi profesoresha Jëlldëz Asani. Dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Mr. Nafi Jashari, fjalimin e tij e nisi me një retrospektivë duke u kthyer në vitin 1994, vit ky që përkon me themelimin e Universitetit të Tetovës, të cilën e cilësoi si të shënuar për shqiptarët, duke shprehur bindjen e tij se përkrah të gjitha peripecive, ardhmëria e Universiteti tonë do të jetë e ndritur. “Nuk mund të harrohet ajo që ndodhi më 17 dhjetor të vitit 1994, kur profesori Fadil Sulejmani së bashku me intelektualët e tjerë shqiptarë, patën guximin që ta themelojnë këtë Universitet. Në atë kohë, Kosova ishte në gjendje të okupuar, Shqipëria ishte në tranzicion, ndërsa një numër i madh i studentëve të regjistruar në Universitetin e Prishtinës ju pamundësua që t’i vazhdojnë studimet dhe kështu, ne ishim të detyruar për nevojat tona t’i arsimojmë gjeneratat e reja, të cilat ngelën në huti se ku do ta vazhdonin shkollimin e tyre; të themelojmë Universitetin e Tetovës dhe do t’u jemi mirënjohës për jetë e mot të gjithë shqiptarëve që kontribuuan për këtë kauzë”, tha Prof. Mr. Nafi Jashari. Pas ekspozitës pasoi edhe koncerti me muzikë vokale – instrumentale, i përgatitur nga studentët dhe profesorët e programit studimor të Artit muzikor. Në hapjen e koncertit, pjesëmarrësve me fjalë përshëndetëse ju drejtua shefi i programit studimor të Artit muzikor, profesor Bajramali Idrizi, i cili duke i uruar studentët për punën e tyre që bëjnë gjatë studimeve, u shpreh se sot me shumë meritë mund të mburremi se këto 25 vite të rrugëtimit të Universitetit tonë, që ndër vite kanë qenë të mundimshme, plot sakrifica, por megjithatë sot me plotë të drejtë themi: 25 Vjet Universitet, 25 Vjet vlerë. Aktivitetet e Fakultetit të Arteve u përmbyllën më 11 dhjetor 2019, me vënien në skenë të shfaqjes teatrale “Mblesëria” të Çehovit, të përgatitur nga klasa e Prof. Mr. Senad Abdulit.
Zyra për Informim