Një delegacion i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit nga Universiteti i Tetovës, i kryesuar nga dekani, Prof. Dr. Xhezair Idrizi, Prof. Dr. Erhan Sulejmani dhe Prof. Dr. Gafur Xhabiri realizuan vizitë pune në disa universitete të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Fillimisht, ata qëndruan në Universitetin e Tuzllës, ku ishin të ftuar për të marrë pjesë në shënimin e 60 vjetorit të këtij fakulteti. Me këtë rast zhvilluan një takim miqësor me dekanin e Fakultetit të Teknologjisë të këtij universiteti, Prof. Dr. Sead Ćatić, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit në të dy fakultetet respektive, përfshirë këtu edhe disa tema që kanë të bëjnë me çështjet arsimore – shkencore. Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezair Idrizi, në fund të takimit, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti, Prof. Dr. Sead Ćatićit i ndau një dhuratë me një nga simbolet e qytetit të Tetovës, Xhaminë e Pashës.
Më pas, ata bashkërisht morën pjesë në shënimin e 60 vjetorit të themelimit të Fakultetit të Teknologjisë së Universitetit të Tuzllës, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Qeverisë së Kantonit të Tuzllës, dekanë dhe prodekanë të fakulteteve të Universitetit të Tuzllës, nga Universiteti i Zagrebit, Universiteti i Novi Sadit, Universiteti i Banja Llukës, si dhe mysafirë të shumtë të institucioneve publike dhe subjekteve ekonomike nga Bosnja dhe Hercegovina. Fjalë përshëndetëse me këtë rast mbajtën dekani i Fakultetit të Teknologjisë në Tuzëll, Prof. Dr. Sc. Sead Ćatić, ministrja e Arsimit dhe Shkencës e Kantonit Tuzllës, Mr. Sci. Fahreta Brašnjić dhe Prof. Dr. Sci. Sadik Latifagić – si student i parë i regjistruar i Fakultetit të Teknologjisë.
Ndërsa nga data 16 – 17 nëntor, drejtuesit e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit të UT-së, morën pjesë në Kongresin IV të Bletarisë që u mbajt në Sarajevë, me 200 pjesëmarrës nga Britania, Turqia, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kongresi ishte i fokusuar në standardizimin e produkteve të bletëve dhe apiterapisë.
Brenda kësaj periudhe drejtuesit e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit realizuan vizitë pune edhe me dekanin e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore në Sarajevë, Prof. Dr. Muhamed Brka dhe prodekanin për Shkencë, Prof. Dr. Enisa Omanović. Në këtë takim u bisedua për zhvillimet e fundit në fakultet dhe Universitetin e Sarajevës, ku prioritet iu dha harmonizimit të programeve studimore bazuar në kërkesat dhe nevojat e tregut të punës me zhvillimet teknologjike dhe ekonomike.
Zyra për Informim