Universiteti i Tetovës, si vatër e emancipimit dhe arsimimit të brezave të rinj në Maqedoni, sot në hapësirat e veta i tuboi maturantët nga të gjithë qytetet e vendit tonë dhe gjetiu. Pjesëmarrja masive e maturantëve në Universitetin e Tetovës është një dëshmi për angazhimin dhe përkushtimin e universitetit ndaj gjeneratave të reja, andaj aktiviteti Dita e Hapur ka për qëllim që studentët nga afër të njihen me ambientet, kushtet dhe mundësitë që Universiteti ynë i ofron për studentët e rinj, theksoi Prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili.

“Në aktivitetin Dita e Hapur që shënohet nga Universiteti i Tetovës, marrin pjesë maturantë nga qytete të ndryshme, si Tetova, Gostivari, Shkupi, Kumanova, Presheva, Kërçova, Prilepi, Struga, Dibra e të tjerë dhe kanë mundësi të njihen me ofertën akademike që ne e ofrojmë. Në kuadër të Ditës së Hapur, të gjithë maturantët e pranishëm që janë të interesuar që studimet e tyre t’i vazhdojnë në Universitetin tonë kanë mundësi që nga ana e stafit akademik të njihen me programet studimore që i ofron Universiteti ynë, përkatësisht do të njihen me 60 programet studimore që funksionojnë në kuadër të 13 fakulteteve tona”, tha Prof. Dr. Reshat Qahili.

Në kuadër të Ditës së Hapur u organizua edhe Panairi i dytë i Industrisë ushqimore “Food Expo 2018”, në të cilin kompani të njohura të vendit tonë i prezantuan produktet e tyre ushqimore.

Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, Prof. Dr. Xhezahir Idrizi tha se fakulteti që ai e menaxhon dhe universiteti në përgjithësi fokus kryesor e kanë bashkëpunimin me kompanitë vendore, dhe si rezultat i kësaj për të dytin vit në bashkëpunim me organet e tjera të Rektoratit, Qendrën për Marrëdhënie dhe Ndërlidhje me Bizneset, si dhe kompanitë, e organizojnë këtë panair. “Është kënaqësi që ta organizojmë këtë aktivitet të përbashkët. Ky panair ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit mes kompanive dhe universitetit tonë. Ne si Fakultet i Teknologjisë Ushqimore, bashkë me kompanitë, në të ardhmen kemi në plan që të bëjmë përpilimin e elaborateve për disa drejtime te reja, por edhe për drejtimet ekzistuese. Mendoj që përveç bashkëpunimit që e kemi krijuar me disa nga kompanitë, ku studentët tonë e realizojnë punën praktike, bashkëpunimi të vazhdojë edhe në realizimin e disa aktiviteteve të tjera me qëllim të sensibilizimit të popullatës që sa më shumë t’i konsumojë produktet që i prodhojnë kompanitë tona vendore”, tha Prof. Dr. Xhezahir Idrizi.

Maturantët që kishin ardhur në ambientet e Universitetit tonë, patën mundësi që përveç informatave që i merrnin nga përfaqësuesit e fakulteteve nëpër tenda, të takojnë edhe drejtuesit e Universitetit të Tetovës dhe profesorët e tyre të ardhshëm. Tendat e fakulteteve dhe të kompanive i vizitoi edhe Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, bashkë me ekipin e tij dhe kryetaren e Parlamentit Studentor, zonjushën Donika Kamberi. Gjatë vizitës që ata u bënë tendave të fakulteteve, studentët përveç programeve studimore që prezantonin realizuan edhe orë letrare, lojëra dhe eksperimente kimike, ndërsa gjatë vizitës së tendave të Panairit të Industrisë Ushqimore, përfaqësuesit e kompanive para tyre prezantuan produktet që ato i prodhojnë për tregun tonë.

Pas vizitës së tendave, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, së bashku me ekipin e tij zhvilluan një takim të përbashkët miqësor me përfaqësuesit e kompanive. Në shenjë falënderimi për pjesëmarrjen e tyre në Panairin “Food Expo 2018”, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti, drejtuesve të sipërmarrjeve u ndau nga një mirënjohje.

Me organizimin e Ditës së Hapur në Universitetin e Tetovës, prania e maturantëve dha një mesazh të fuqishëm se e vetmja shpresë e gjeneratave të reja për arsimimin e tyre mbetet Universiteti ynë.