Profesori i Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, Doc. Dr. Faton Shabani, nga 22 deri më 26 tetor zhvilloi një cikël ligjëratash në Fakultetin Juridik të Universitetit të Mariborit. Vizita e tij në këtë Universitet u realizua në kuadër të programit Erasmus +, ndërsa ai para studentëve të ciklit të parë dhe të dytë prezantoi disa ligjërata nga fusha e së drejtës afariste.
Gjatë prezantimit të ligjëratave të tij, Doc. Dr. Faton Shabani, rëndësi të veçantë i ka kushtuar të drejtës afariste në Republikën e Maqedonisë, sfidave me të cilat përballet ajo dhe perspektivës së saj. Ai po ashtu ka ligjëruar edhe për të drejtën e shoqërive tregtare dhe rregullativën ligjore në Republikën e Maqedonisë.
Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Mariborit, gjatë prezantimit të këtyre temave, kanë shprehur interesim të madh për këto çështje juridike në Republikën e Maqedonisë, përfshirë këtu edhe reformën në sistemin e drejtësisë.
Përveç ligjëratave nga fusha e së drejtës, profesori Doc. Dr. Faton Shabani, para stafit akademik dhe studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Mariborit ka prezantuar në tërësi edhe Universitetin e Tetovës, historikun e Universitetit, njësitë akademike që i posedon Universiteti ynë si dhe të gjitha aktivitetet arsimore dhe shkencore që zhvillohen në Universitetin tonë.
Gjatë qëndrimit të tij në Universitetin e Mariborit, Doc. Dr. Faton Shabani ka zhvilluar disa takime edhe me drejtuesit e këtij Universiteti. Atë e priti në një takim miqësor dekania e Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Vesna Rijavec.
Në këtë takim ata kanë biseduar mbi mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen mes Fakultetit Juridik të UT-së dhe Fakultetit Juridik të Mariborit, duke realizuar disa aktivitete të përbashkëta, të cilat do të ishin në interes të të dy fakulteteve. Me këtë rast, ai u bëri thirrje drejtuesve të Universitetit, stafit akademik dhe studentëve që të vijnë ta vizitojnë Universitetin e Tetovës që në të ardhmen të dy universitetet të bashkëpunojnë në forma të ndryshme, si shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik, organizimin e simpoziumeve, seminareve dhe konferencave të përbashkëta shkencore etj.