Parlamenti Studentor i UT-së, në bashkëpunim me Rektoratin e Universitetit të Tetovës, sot në Fakultetin e Administrim Biznesit në Kumanovë, e përuruan bibliotekën e kësaj njësie akademike. Prorektori për Arsim i UT-së, Prof. Dr. Reshat Qahili, me këtë rast u shpreh se Universiteti ynë e vijon angazhimin e tij institucional për pajisjen me literaturën e nevojshme profesionale për çdo fakultet, me këtë rast edhe për FAB-in. “Udhëheqja e Universitetit të Tetovës, krahas angazhimeve të tjera, rëndësi të posaçme i kushton edhe pajisjes së njësive akademike me literaturën e domosdoshme për nevojat e studentëve dhe të profesorëve tanë, që procesi mësimor-shkencor të zhvillohet pa pengesa, në aspektin e njohurive, zgjerimin e tyre dhe përgatitjen e kuadrit të kompletuar, e që kjo mund të arrihet vetëm përmes bibliotekave dhe literaturës profesionale”, – tha Prof. Dr. Reshat Qahili.
Përurimin e bibliotekës së lartpërmendur e përshëndeti edhe Arbnor Iseni – kryetar i PS-UT-së në FAB, si dhe Talat Osmani, senator i PS-UT-së në Senatin e këtij Universiteti. Ata theksuan se janë të lumtur që bashkë me kolegët e tyre, tani e tutje do ta kenë bibliotekën, për të ndjekur studimet e tyre në kushte bashkëkohore, të pajisur me libra, vepra të rëndësishme dhe literaturë profesionale për sferën e tyre studimore.
Në përmbyllje të kësaj ceremonie, para pjesëmarrësve foli edhe kryetari i PS-UT-së, Islam Imeri. “Është nder dhe kënaqësi e veçantë që ndodhem sot këtu para jush, në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm, aq më tepër që marr pjesë në një ngjarje ku realizohet një synim i përbashkët, sepse iku koha kur njerëzit flisnin shumë dhe vepronin pak, këtë gjë e vërtetojnë edhe studentët-iniciatorë për hapjen e bibliotekës së fakultetit tonë në këtë qytet, ku kërkesa e tyre u trajtua seriozisht, si nga drejtuesit e Universitetit, por edhe nga vetë organi i tyre studentor, PS-UT. Edhe pse si fakultet gjeografikisht ndodheni larg nga selia e Universitetit në Tetovë, ju siguroj se vëmendja jonë është shumë e madhe ndaj jush, ndaj mos e konsideroni veten tuaj se jeni arterie periferike, por jeni trup i pandarë i UT-së. Libri është arma më e fortë e studentit, me të cilin brezi ynë do t’u bëjë ballë të gjitha vështirësive dhe tentativave që nuk na e duan të mirën. Sot, ne bëjmë një hap të vogël drejt punëve të mëdha. Naimi ynë nuk është me ne, por na ka lënë porosi: “Vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë”, theksoi Kryetari i PS-UT, Islam Imeri.
Biblioteka e përuruar sot në Fakultetin e Administrim Biznesit në Kumanovë disponon një numër të konsiderueshëm titujsh që kryesisht kanë të bëjnë me lëmin e administrim biznesit dhe administratën publike.
Zyra për Informim