Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, sot përmes disa aktiviteteve të organizuara nga Grupi Shkencor dhe Parlamenti Studentor i këtij Fakulteti e shënoi 14 nëntorin, Ditën Botërore të Diabetit.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha, tha se përmes këtij aktiviteti, Universiteti i Tetovës, gjegjësisht Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë bën që edhe qyteti ynë, Tetova, të rreshtohet me të gjitha qytetet e ndryshme botërore, të cilat realizojnë fushata sensibilizuese mbi sëmundjen e diabetit. “Ndiej një kënaqësi të veçantë që mes këtyre vendeve të rreshtohet edhe qyteti i Tetovës, nën organizim të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë. Kjo fushatë sensibilizuese organizohet për disa vite radhazi. Dihet se diabeti është një sëmundje kronike, e cila nuk mund të parandalohet, por problemet, që mund të paraqiten nga diabeti, mund me shumë sukses të ngadalësohen ose evitohen tërësisht falë kujdesit që do të kenë pacientët për shëndetin e tyre. Ky është qëllimi dhe motoja e kësaj fushate sensibilizuese, pra të vetëdijesojmë qytetarët tanë se me një kujdes më të madh, duke përdorur terapinë adekuate, shumica e komplikimeve që mund të vinë nga kjo sëmundje mund të parandalohen. Me sa shoh studentët janë shumë mirë të organizuar dhe vërehet interesim nga ana e qytetarëve për t’u konsultuar e për të matur nivelin e sheqerit. Edhe një herë i falënderoj studentët, grupin organizator për punën e mirë që kanë bërë sot.
Koordinatorja e Grupit Shkencor në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, Doc. Dr. Arbëresha Bexheti – Ferati, u shpreh mjaft e kënaqur nga ky aktivitet ngase janë realizuar shumë kontrolle falas për qytetarët dhe se pjesa dërmuese e tyre janë informuar në detaje mbi shkaktarët që mund të sjellin deri te sëmundja e diabetit. “Si çdo vit studentët dhe profesorët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë i kushtojnë rëndësi të veçantë shënimit të kësaj dite. Ata përmes kontrollove falas për qytetarët në qendër të qytetit të Tetovës dhe shpërndarjes së materialeve propaganduese rreth sëmundjes së diabetit, si një nga sëmundjet kronike më të përhapura, jo vetëm në shoqërinë tonë, por edhe më gjerë, bënë sensibilizimin e opinionit që t’i kushtojnë vëmendje të duhur kësaj sëmundjeje. Studentët apo mjekët e ardhshëm i informuan qytetarët për masat preventive që duhet t’i ndërmarrin kundër përhapjes së diabetit. Ne do t’i vazhdojmë aktivitetet tona, të cilat kanë për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve mbi sëmundje të ndryshme” – u shpreh Doc. Dr. Arbëresha Bexheti – Ferati.
Studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, të ndarë në disa grupe, fillimisht qytetarët i njoftonin rreth sëmundjes së diabetit, duke bërë edhe kontrolle falas të matjes së glukozës në gjak. Po ashtu ata për qytetarët jepnin edhe rekomandime mbi ushqimet, të cilat duhet konsumuar si dhe i udhëzonin ata që sa më shumë t’u kushtojnë rëndësi aktiviteteve fizike.