Në Universitetin e Tetovës, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit në partneritet me Universitetin e Ardahanit dhe me përfaqësues nga Hungaria, Greqia, Qiproja Jugore dhe Universiteti Munzur nga Turqia realizoi me sukses trajnimin e dytë dhe takimin e tretë ndërkombëtar në kuadër të Projektit Youth Erasmus + KA2 (www.ifcheeseproject.com) me titull “IFCHEESE – Fokusi inovativ i djathërave malore të kombinuara me bimë aromatike duke ruajtur metodat tradicionale te prodhimit”.

Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezahir Idrizi theksoi se ky projekt ka për qëllim mbrojtjen e metodave tradicionale të djathërave. “Projekti synon mbrojtjen e metodave tradicionale të prodhimit të djathërave të kombinuara me bimë aromatike dhe mjekësore, duke krijuar dhe mbrojtur prodhuesit lokal të gjinisë femërore në fermat e vogla dhe duke krijuar teknika të reja të marketingut në zonat urbane e zonat rurale për të aplikuar e-platformën komerciale që do të synojë ofrimin e djathit tradicional” – tha Prof. Dr. Xhezahir Idrizi.

Projekti në fjalë ka filluar në nëntor të vitit 2017 dhe përveç mbrojtjes së metodave të vjetra të prodhimit të djathërave gjithashtu synon të bëjë edhe dokumentimin e prodhimit të metodave të vjetra dhe prodhimin e metodave inovative të djathërave duke përdorur bimë nga vende të ndryshme ku realizohet ky projekt. Projekti do të zgjasë deri në fund të vitit 2019.