Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës, përkatësisht Klubi debatues, sot organizoi debat me temë: “Profilet e rrejshme-lajmet e rrejshme, ndikimi dhe rreziku prej tyre”. Ky debat u mbajt pas vizitave që ka realizuar Klubi debatues nëpër shkollat e mesme të Tetovës, ku janë debatuar tema të cilat janë në interes të përgjithshëm.
Koordinatorja e Klubit debatues, Prof. Dr. Drita Mamuti Fazlija, u shpreh se debatet që janë organizuar paraprakisht nëpër shkollat e mesme, drejtorët kanë qenë shumë bashkëpunues, si dhe nxënësit kanë qenë shumë të interesuar për të debatuar në tema të caktuara dhe ky është një barometër se ne duhet të vazhdojmë me aktivitete të tilla.
“Qëllimi i Kubit debatues, që nga themelimi ka qenë përforcimi i bashkëpunimit institucional mes Universitetit të Tetovës, përkatësisht Fakultetit Juridik dhe shkollave të mesme. Këtë iniciativë e kemi nisur që nga muaji mars dhe sot i kemi ftuar të gjitha shkollat e mesme në Universitetin e Tetovës, si dhe në bashkëpunim me drejtoritë e shkollave kemi caktuar një temë të përbashkët për debat, për të cilën besoj është tejet e nevojshme të diskutohet”, theksoi Prof. Dr. Drita Mahmuti Fazlija.
Për sa i përket temës në fjalë, dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Qebir Avziu, vlerësoi se mbajtja e debateve që kanë për qëllim trajtimin dhe diskutimin e problemeve, të cilat origjinën e kanë te rrjetet sociale dhe profilet e rrejshëm, shpërndarja e “lajmeve” të rrejshme, sot është imediate. Këto fenomene ne i shtrojmë për debat, që të njëjtave t’u qasemi me kompetencë, në mënyrë shkencore dhe t’i shqyrtojmë mundësitë e mënjanimit të dukurive që përbëjnë problem real për shoqërinë tonë.
Ndërkaq, Doc. Dr. Bekim Maksuti vuri në dukje se tema e cila po debatohet është një nga problemet më aktuale dhe më sfiduese, e cila gjithnjë e më tepër e prek shoqërinë tonë. “Lajmet e rrejshme paraqesin një sfidë për të gjithë ne, sfidë ndoshta më e madhe për institucionet dhe mediumet të cilët mundohen të jenë në krye të detyrës, duke e ruajtur pavarësinë e tyre, mirëpo nga ana tjetër, duke qenë të luftuar nga ana e atyre që thirren prodhues të lajmeve të rrejshme. Në këtë drejtim, unë do t’i kisha lutur të gjithë qytetarët të jenë vigjilentë dhe mos të bien pre apo të bëhen viktima të fenomenit të lajmeve të rrejshme”, deklaroi Doc. Dr. Bekim Maksuti.
Debatet, tryezat e rrumbullakëta, konferencat shkencore dhe disa veprimtari të tjera janë aktivitete të rëndësishme që organizohen profesionalisht nga Universiteti i Tetovës dhe njësitë akademike të tij.

Zyra për Informim