Në emër të Universitetit të Tetovës kam kënaqësinë e veçantë t’ua uroj 7 Marsin – Ditën e Mësuesit.
Sot, me krenari e përkujtojmë këtë ditë të lavdishme të historisë sonë kombëtare, 7 Marsin e vitit 1887, kur në Korçë u vendosën themelet e shkollës së parë shqipe. Ideologët dhe themeluesit e kësaj shkolle synonin që përmes rrugës së dijes e arsimimit t’i mbrojnë vlerat kulturore, kombëtare, gjuhën amtare, ndërgjegjësimin e brezave për simbolikën e fuqishme të gjuhës shqipe, si thesar i të parëve tanë. Universiteti ynë çdo vit e shënon këtë datë historike, si ditë e ndritur nga e kaluara jonë, si dhe një motiv nxitës për punën që kryejnë punonjësit tanë të arsimit dhe shkencës.
Mësuesve tanë të nderuar dhe të gjithë punonjësve të arsimit ua uroj festën e 7 Marsit.
Zoti e bekoftë arsimin shqip!
Me respekt,
Prof. Dr. Vullnet Ameti
Rektor i Universitetit të Tetovës