Në emër të Universitetit të Tetovës kam kënaqësinë e veçantë t’ua uroj 7 Marsin – Ditën e Mësuesit. Shkolla shqipe e Korçës konsiderohet një ngjarje madhore në historinë tonë kombëtare. Ajo ishte fitorja e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ishte kurorëzimi i sfidave të përbashkëta të organizatave atdhetare, jashtë dhe brenda Shqipërisë.

Pikërisht, në këtë ditë, ne i rikujtojmë përpjekjet titanike për shkollën shqipe, kontributin mbinjerëzor të iluministëve tanë për arsim, shkencë dhe kulturë. Mesazhi i tyre edhe në këtë kohë na jep forcë dhe kurajë që ta çojmë përpara misionin e shenjtë për më shumë dituri dhe dritë.

Le të angazhohemi të gjithë për ta fuqizuar arsimimin kombëtar dhe përmes vlerave tona të bashkohemi me vlerat e gjithëmbarshme qytetëruese evropiane dhe perëndimore.

Mësuesve tanë të nderuar dhe të gjithë punonjësve të arsimit ua uroj festën e 7 Marsit, me dëshirat më të mira për suksese të reja në misionin e tyre të shenjtë, arsimimin dhe edukimin e brezave.

Me respekt,

Prof. Dr. Vullnet Ameti

Rektor i Universitetit të Tetovës