Historiania bullgare Prof. Dr. Mariyana Stamova, njëherit edhe hulumtuese dhe anëtare në Institutin e  Studimeve Ballkanike dhe Qendrën e Trakologjisë (Akademia e Shkencave e Bullgarisë), e vizitoi Universitetin e Tetovës dhe Qendrën për paqe dhe komunikim transkultutor.

Në UT historiania e njohur bullgare u prit nga udhëheqësja e Qendrës për paqe dhe komunikim transkulturor Mr. Sc. Donika Kamberi. Në këtë takim pune u bisedua për shumë tema me interes të përbashkët mes dy institucioneve dhe për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me projekte konkrete për programe studimore të përbashkëta dhe shkëmbim të stafit dhe studentëve për hulumtim shkencor.

Me veprimtarinë e saj shkencore historiania bullgare Prof. Dr. Mariyana Stamova  është e njohur jo vetëm lexuesin bullgar por edhe për popujt e rajonit e në veçanti për lexuesin shqiptar pasi ka botuar dy tituj me rëndësi historike dhe shkencore, si: “Faktori shqiptar në Republikën Socialiste të Maqedonisë (1945-1981)” dhe “Shqiptarët në Republikën Socialiste të Maqedonisë gjatë dekadës së fundit të Jugosllavisë së Titos (1981-1991)”, tituj të cilët ia dhuroi  Universitetit të Tetovës.

Mr. Sc. Donika Kamberi e falënderoi historianen për përkushtimin e saj të vazhdueshëm për çështjen shqiptare dhe tha se është thellësisht mirënjohëse për gatishmërinë për bashkëpunim të ndërsjellë në të ardhmen.

Në përfundim të takimit, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi historianes iu dhuruan  disa botime të Universitetit, revista shkencore dhe portreti nobelistes shqiptare – Nënë Terezës. Vizita e saj në UT pritet t’i hapë rrugë nënshkrimit të një memorandumi për bashkëpunim institucional në lëmin e kërkimit shkencor dhe veprimtari të tjera të rëndësishme.