Një delegacion nga ambasada e Republikës së Austrisë në vendin tonë, i kryesuar nga konsullja e kësaj ambasade, znj. Gabriele Janezic, sot qëndroi në Universitetin e Tetovës. Ata, fillimisht u pritën në takim nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, me të cilin diskutuan për tema të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimet e fundit në Universitetin e Tetovës si dhe mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen. Rëndësi e veçantë iu kushtua edhe Këndit Austriak, i cili ka tre vjet që është hapur në Universitetin e Tetovës dhe është fryt i bashkëpunimit të suksesshëm mes Universitetit të Tetovës dhe ambasadës së Austrisë në Republikën e Maqedonisë.Pas këtij takimi, Rektori i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti, bashkë me konsullen, znj. Gabriele Janezic, vizituan Këndin Austriak, që ndodhet në hapësirat e Universitetit të Tetovës dhe bashkërisht promovuan edhe një sasi të konsiderueshme të librave, të cilat i janë dhuruar Këndit Austriak nga qeveria austriake.
Konsullja, znj. Gabriele Janezic, tha se bashkëpunimi me Universitetin e Tetovës deri më tani është i shkëlqyer dhe se Këndi Austriak, do të jetë zyrtarisht pjesë e Ministrisë së Jashtme të Austrisë. “Gëzohem shumë që jam sot këtu në Universitetin e Tetovës. Ardhja ime këtu lidhet me dy arsye: arsyeja e parë është dhurimi i librave për studentët dhe profesorët e katedrës së gjermanishtes, ndërsa arsyeja e dytë është se dua të ndaj me ju edhe lajmin për zyrtarizimin e Këndit Austriak që ndodhet në Universitetin e Tetovës, i cili tanimë bëhet pjesë e Ministrisë së Jashtme të Austrisë” – tha Gabriele Janezic.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, falënderoi ambasadën e Republikës së Austrisë për mbështetjen e saj që i jep në forma të ndryshme Universitetit të Tetovës. “Në emrin tim dhe të Universitetit të Tetovës dëshiroj t’i falënderohem ambasadës së Republikës së Austrisë. Është kënaqësi që sot e kemi prezente, këtu në mesin tonë, konsullen, zonjën Gabriele Janezic, me të cilën bashkërisht promovojmë libra, të cilat i dhurohen Këndit Austriak në Universitetin e Tetovës. Universiteti ynë edhe në të ardhmen do ta vazhdojë këtë bashkëpunim të shkëlqyer, që e ka ndërtuar me ambasadën e Austrisë. Po ashtu dua t’i falënderoj të gjithë diplomatët e Austrisë, të cilët japin kontributin e tyre në vendin tonë duke i ndihmuar proceset e ndryshme politike” – theksoi Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që ambasada e Austrisë i jep Universitetit të Tetovës, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti, konsules znj. Gabriele Janezic, i ndau një dhuratë me portretin e themeluesit, Rektorit të parë e historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit.
Zyra për Informim