Në kuadër të xhiros së gjashtë në kampionatin vendor të volejbollit për meshkuj, më 1 dhjetor 2018, KV “Universiteti i Tetovës” vazhdon të shënojë fitore. Në ndeshjen e zhvilluar në Tetovë përballë Vardarit, studentët tetovarë arritën të shënojnë fitore me rezultat 3 – 1 në sete.
Pas humbjes së setit të parë nga Vardari, djemtë e KV “Universiteti i Tetovës” arritën që të rikthehen fuqishëm në tri setet e radhës, duke shënuar fitoren e pestë në kampionat dhe deri më tani kanë pësuar vetëm një humbje nga kryesuesi i tabelës Strumica, që ka gjashtë fitore.
Nga KV “Universiteti i Tetovës” shprehen të kënaqur me rezultatet të cilat deri më tani i ka arritur klubi dhe presin që të vazhdojnë me këtë paraqitje edhe në ndeshjet e ardhshme. Kapiteni i klubit, Hamza Veseli, u shpreh tepër i kënaqur me bashkëlojtarët e tij dhe shpreson se deri në përfundim të kampionatit të arrijnë të shpallen fitues të kampionatit të volejbollit vendor.
KV “Universiteti i Tetovës” aktualisht renditet në vendin e dytë në tabelë me 15 pikë, tri më pak se kryesuesi i tabelës KV “Strumica”. Në ndeshjen e ardhshme në kuadër të xhiros së shtatë, KV “Universiteti i Tetovës” do të luajë kundër KV “Velesi”.
Zyra për Informim