Me mbështetje të Universitetit të Tetovës, respektivisht Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, si dhe Universitetit të Mjekësisë në Tiranë dhe Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë në Prishtinë, u themelua Shoqata Mbarëshqiptare e Morfologëve dhe Anatomëve. Kjo Shoqatë u themelua pas diskutimeve dhe debateve të shumta që u zhvilluan mes mjekëve, kirurgëve, anatomëve dhe jo vetëm, gjatë punimeve të Konferencës së tretë shkencore ndërkombëtare të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë së Universitetit të Tetovës, e cila gjatë tri ditëve i zhvilloi punimet në qytetin e Ohrit.
Krijimit të kësaj shoqate i dhanë mbështetje të fuqishme edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti dhe Rektori i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, Prof. dr. Arben Gjata, të cilët në mbledhjen e mbajtur më 10 nëntor 2018, në Ohër, theksuan se do të jenë në dispozicion të kësaj shoqate duke e mbështetur vazhdimisht. „Iniciativa për themelimin e Shoqatës Mbarëshqiptare në nivel rajonal është për t’u përshëndetur dhe përkrahur. Universiteti i Tetovës do të jetë në gatishmëri të vazhdueshme që ta ndihmojë këtë shoqatë, e cila në anëtarësinë e saj do të ketë pedagogë nga të gjithë universitetet shqiptare. Themelimi i kësaj shoqate është dashur të bëhet me kohë, por më mirë vonë se sa kurrë. Kjo do të jetë një mundësi e mirë për stafin akademik, anatomët, fiziologët, kirurgët, por edhe të tjerë nga fusha e mjekësisë, që të bashkëpunojnë, përgatitin dhe realizojnë projekte të ndryshme, me të cilat do të aplikojnë nëpër organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe ne si shoqëri vetëm kështu do ta ndjekim rrugën e popujve të civilizuar“, vlerësoi Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti.
„Kjo iniciativë është e mrekullueshme, ne si institucione shpesh kemi shkëmbyer mendime lidhur me mundësitë e integrimit apo dakordimit të nomenklaturave të gjithë programeve të lëndëve, të formimit bazë dhe idenë për krijimin e kësaj shoqate mbarëshqiptare të morfologëve, anatomëve bashkë me histologët, apo edhe anatomët patologë. Fundja, bërthamë të fjalës ka morfologjinë dhe si shoqatë mbarëkombëtare për mua është ide e mrekullueshme dhe do ta mbështesim këtë Shoqatë, me të gjitha mundësitë tona, ne si Universitet i Mjekësisë në Tirana, sepse tre Fakultetet tona do të kenë një program të përbashkët dhe kjo do të jetë shumë e dobishme për studentët tonë”, u shpreh Prof. dr. Arben Gjata, rektor i Unversitetit të Mjekësisë në Tiranë.
Në mbledhjen e mbajtur për themelimin e Shoqatës Mbarëshqiptare të Morfologëve dhe Anatomëve, me vendim anonim të të gjithë pjesëmarrësve u zgjodh Kryesia e përkohshme e Shoqatës, me kryetar Prof. dr. Sadi Bexhetin dhe dy nënkryetarë, Prof. dr. Artur Hafizin dhe Prof. dr. Hilmi Dautin, nga Universiteti i Prishtinës, ndërsa sekretar u zgjodh dr. med. Selim Çerkezi.
Pas zgjedhjes së kryesisë së përkohshme të Shoqatës, kryetari Prof. dr. Sadi Bexheti u shpreh se brenda një periudhe të shkurtër, ai së bashku me anëtarët do të angazhohet që sa më shpejt të përgatitet statuti i Shoqatës, duke zhvilluar disa mbledhje, si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, për definimin e statutit, si do të funksionojë kjo shoqatë më tej. „Themelues të shoqatës janë të gjitha shoqatat e tjera që kanë të bëjnë me lëndët e kirurgjisë dhe ne nuk i ndalojmë ata që të mos jenë anëtarë të shoqatës. Qëllimi i themelimit të shoqatës është se anëtarësimi ynë në federatën anatome na mundëson revista shkencore, librat e terminologjive të ndryshme t’i blejme me çmime shumë më të lira, informacionet t’i marrim në kohë, njëkohësisht bëhen edhe ndryshimet e termave të tillë për të informur të gjithë mjekët dhe komunikimi ndërkombëtar bëhet sa më tepër në gjuhën latine dhe të gjitha këto procese t’i shtjellojmë me një punim të cilat do t’i përmbledhim brenda statutit të Shoqatës dhe do t’ua shpërndajmë të gjithë mjekëve dhe kolegëve të cilët dëshirojnë të jenë anëtarë. Pa hatërmbetje, kjo do të jetë një Shoqatë e cila e ka bazën në Universitetin e Tetovës”, tha Prof. dr. Sadi Bexheti, Kryetar i Shoqatës Mbarshqiptare të Morfologëve dhe Anatomëve.
Themelimin e shoqatës e mbëshetën edhe shumë personalitete të tjerë nga fusha e mjekësisë.