42 studentë nga të gjitha njësitë akademike të Universitetit të Tetovës morën pjesë në garat e shahut që u organizuan nga Parlamenti Studentor. Ky është viti i dytë me radhë që Parlamenti Studentor organizon turneun në shah dhe synojmë që këtë aktivitet ta shndërrojnë në manifestim tradicional.
Kryetari i Parlamentit Studentor të UT-së, Islam Imeri u shpreh mjaftë i kënaqur me interesimin e studentëve për t’u bërë pjesë e kësaj gare të shahut, ku përveç organizimit të garave në disiplina të ndryshme sportive rëndësi të veçantë i është kushtuar edhe turneut të shahut.
Garat në shah janë zhvilluar sipas sistemit zviceran, pa eliminim të garuesve, por me grumbullim të pikave, por për dallim nga edicioni i parë, këtë vit janë zhvilluar gjithsej 9 xhiro, dy më tepër se në edicionin e parë, pasi që numri i pjesëmarrësve ka qenë më i madh.
Më 20 mars, në hapësirat e Rektoratit të UT-së janë zhvilluar 5 xhirot e para, ndërsa sot, me 21 mars u zhvilluan edhe 4 xhirot e fundit. Komisioni për organizimin e kësaj gare ishte i përbë nga tre anëtar: Florian Nesimi – Kryetar i Komisionit, Nazmidin Imeri – refer i licencuar nga Organizata Evropiane e Shahut dhe Jenuz Vejseli – anëtar.
Pas përfundimit të xhiros së nëntë, komisioni i shpalli pikët e grumbulluara për gjithsej 42 garuesit. Në vendin e parë u radhit kampioni i vitit të kaluar, Bashkim Luma me tetë fitore dhe një humbje, në vendin e dytë, Besar Ajdini me 7 fitore dhe dy humbje, ndërsa në vendin e tretë, Besim Aqifi po ashtu me 7 fitore dhe dy humbje, por me rejting më të ulët se fituesi i vendit të dytë.
Për të gjithë pjesëmarrësit në këtë garë shahu, Parlamenti Studentor ndau mirënjohje, ndërsa fituesit e tre vendeve të para u shpërblyen me çmime të cilat ua ndau Prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili.

Zyra për Informim