Në Universitetin e Tetovës, prej sot (e martë), 25 gusht 2020 e deri më 28 gusht (e premte), do të realizohet afati i parë i regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2020/2021. Universiteti ynë, edhe pse në kushte pandemie, ka bërë të gjitha përgatitjet dhe ka vënë në dispozicion të plotë të gjitha shërbimet e administratës, me qëllim që t’ua lehtësojë procedurat për aplikim kandidatëve, të cilët dëshirojnë t’i regjistrojnë studimet në Universitetin tonë.
Sipas konkursit të shpallur, të drejtë regjistrimi në studimet e ciklit të parë kanë kandidatët që e kanë kryer maturën shtetërore ose maturën ndërkombëtare. Këtu përfshihen edhe kandidatët që shkollimin e mesëm e kanë kryer gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, në vitin shkollor 2019/20, pa maturë shtetërore, si dhe kandidatët me shkollim të mesëm katërvjeçar të cilët nuk kanë kryer maturë shtetërore, respektivisht e kanë përfunduar shkollimin e mesëm katërvjeçar para vitit akademik 2007/08.

Të gjithë kandidatët e interesuar, të cilët dëshirojnë që studimet e tyre t’i vazhdojnë në Universitetin e Tetovës, fillimisht duhet që ta plotësojnë formularin online në ueb faqen: http://www.unite.edu.mk/apply (Regjistrimet 2020/21), me të dhënat përkatëse dhe sipas udhëzimeve që kërkohen. Gjatë aplikimit, kandidatët duhet t’i posedojnë këto dokumente: Dëftesat origjinale nga shkollimi i mesëm; Diplomë për kryerjen e shkollës së mesme; Certifikatë nga libri amzë i të lindurve; Certifikatë shtetësie, si dhe dëshmi (fletëpagesë) për pagesat e taksave administrative.
Ndërsa kandidatët që aplikojnë në programet ku mundësohen studime me korrespondencë, krahas dokumentacionit të caktuar më lart, nevojiten dokumentet përkatëse për arsyetimin e këtij statusi, sipas kritereve të përcaktuara me konkursin e shpallur për regjistrim të studentëve të rinj. Kandidatët që aplikojnë në bazë të kuotës së veçantë, duhet t’i dorëzojnë edhe dokumentet me të cilat e dëshmojnë kategorinë përkatëse.
Në Universitetin e Tetovës, në bazë të konkursit të shpallur për regjistrim është paraparë që të regjistrohen rreth 3000 studentë të rinj, të cilët karrierën e tyre profesionale dhe akademike do ta ndërtojnë duke i ndjekur studimet e tyre në Universitetin e Tetovës.