Në Universitetin e Tetovës, prej 26 – 30 gusht 2019, do të zhvillohet afati i parë i regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2019/2020. Në gjithsej 60 programet studimore të 13 njësive akademike, këtë vit parashihet që mbi 3000 kandidatë të marrin statusin e studentit të Universitetit të Tetovës.

Prorektori për Arsim i UT-së, Prof. Dr. Reshat Qahili, gjatë komunikimit që zhvilloi me gazetarët tha se edhe këtë vit interesimi i kandidatëve për t’u regjistruar në UT është i kënaqshëm. “Në bazë të konkursit që është shpallur në muajin korrik, për këtë vit parashihet që në Universitetin e Tetovës të regjistrohen mbi 3000 studentë në 60 programe studimore në 13-të fakulteteve. Pas shpalljes së konkursit, ne kemi vërejtur që përmes formës online ekziston interesim i madh i kandidatëve për t’u regjistruar në universitetin tonë, që edhe shihet në ditën e sotme, kur që në orët e para mjaft kandidatë kanë ardhur që të aplikojnë për t’u regjistruar në Universitetin e Tetovës”, u shpreh Prof. Dr. Reshat Qahili.

Të gjithë kandidatët që dëshirojnë të aplikojnë për regjistrim në Universitetin e Tetovës, duhet ta plotësojnë formularin online të publikuar në ueb faqen e UT-së. (www.unite.edu.mk: https://sites.google.com/unite.edu.mk/regjistrimet/home.) Gjithashtu, gjatë aplikimit në administratën e fakulteteve, kandidatët duhet t’i dorëzojnë dëftesat origjinale nga shkollimi i mesëm, diplomën për kryerjen e shkollës së mesme, certifikatën nga libri amzë i të lindurve si dhe certifikatën e shtetësisë.

Rezultatet preliminare të afatit të parë do të publikohen më 2 shtator, ndërsa për të gjithë kandidatët që nuk do të regjistrohen në afatin e parë, të njëjtët do të kenë mundësi të aplikojnë në afatin e dytë të regjistrimit, i cili do realizohet prej 10 – 13 shtator 2019.

Zyra për Informim