Me rastin e 70 – vjetorit të Deklaratës universale për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Qendrën për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional organizoi tribunë shkencore kushtuar të drejtave të njeriut.
Dekani i Fakultetit Juridik i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Qebir Avziu, tha se vlera që ka bota demokratike është respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut. Ai bëri thirrje që sa më shumë të respektohen dhe t’u kushtohet rëndësi të drejtave dhe lirive të çdo individi. “Nëse njeriu ka bërë diçka të mirë për vetveten dhe njerëzimin, padyshim që është ligji. Asgjë më të mirë se ligji nuk ka për njeriun dhe nëse ka diçka të mirë në shtetet demokratike, atëherë ato janë konceptet për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, që dallon nga shtetet të cilat nuk janë këtë vit. Ne jemi dëshmitarë se më shumë se 77 shtete nuk i respektojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, ashtu siç i parasheh Deklarata universale për liritë dhe të drejtat e njerëzve. Në shumë shtete akoma njihet dënimi me vdekje. Dua të ndaj me Ju vetëm një rast: mbi 350 persona presin që të ekzekutohen në vitin 2019. Në Kinë ky numër ndoshta është edhe më i madh, andaj nisur nga këto shifra ne të gjithëve bashkërisht na takon që të bëjmë edhe më shumë për liritë dhe të drejtat e njerëzve. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë që të kontribuojmë në mbrojtjen e qytetarëve”- tha Prof. Dr. Qebir Avziu.
Kryetari i Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional, Prof. Dr. Afrim Osmani, apeloi për sensibilizim të opinionit mbi liritë dhe të drejtat që duhet t’i gëzojnë njerëzit, duke mos lejuar që ato t’u cenohen në asnjë mënyrë. “Për ne si Qendër për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional është kënaqësi që të jemi bashkorganizatorë të këtij debati kushtuar lirive dhe të drejtave të njeriut. Kjo ditë është më e veçantë për arsye se është edhe vit jubilar, pra 70-vjetori i Deklaratës universale për liritë dhe të drejtat themelor të njeriut. Liritë dhe të drejtat e njeriut vazhdimisht shkelen dhe do të shkelen edhe në të ardhmen, por ne jemi ata që do ta ngremë zërin për vetëdijesim për të gjithë që paraqiten si shkelës të lirive dhe të drejtave të njeriut. Besoj se bashkëpunimi ynë në këtë drejtim do të vazhdojë edhe në të ardhmen me qëllim informimin e qytetarëve rreth këtyre tematikave që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat e qytetarëve” – theksoi Prof. Dr. Afrim Osmani.

Në këtë tribunë shkencore, qëndrimet e tyre mbi të drejtat dhe liritë e njeriut i paraqitën edhe profesorët universitarë, Prof. Dr. Ali Musliu, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Prof. Dr. Judythanne McLauchlan nga Florida e SHBA-ve, zëvendësministri i Mbrojtjes i RM-së, Doc. Dr. Bekim Maksuti, Doc. Dr. Bujar Ameti, kryetari i Gjykatës Administrative të Maqedonisë, z. Burim Sejdini dhe anëtari i Gjykatës Kushtetuese, z. Sali Murati.
Zyra për Informim