Studentët e Fakultetit Filozofik, në bashkëpunim me Zyrën e projekteve të Universitetit të Tetovës, më 25 prill 2019 e prezantuan projektin: “Subkulturat shqiptare në qytetet e pjesës perëndimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Sipas organizatores, Doc. Dr. Ardita Abduli, projekti synon të prezantojë minikulturat shqiptare, të cilat janë pjesë e një tërësie kulturore. “Ideja qëndron në faktin se me prezantimin e elementeve të këtyre minikulturave ia bëjmë me dije publikut se brenda një kombi ekzistojnë dallime kulturore, që përcaktojnë krahinat e ndryshme. Meqenëse kultura shqiptare është një tërësi, e cila përfshin popullin shqiptar në të gjitha trojet e veta etnike, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, e dimë që secili qytet me rrethinë, pa marrë parasysh gjuhën dhe origjinën e përbashkët si komb, dallojnë mes vete përmes disa zakoneve, si dialektet e gjuhës, veshjet, traditat, këngët, vallet, ritualet, disa lloje të ushqimeve të cilat në esencë i përkasin variacionit kulturor të quajtur subkulturë”, theksoi Doc. Dr. Ardita Abduli.
Ajo, po ashtu shtoi se, qëllimi i këtij projekti përqendrohet në ekspozimin e disa prej këtyre elementeve subkulturore, që përfshijnë qytetet në pjesën perëndimore të Maqedonisë së Veriut, përkatësisht qytetet: Kumanovë, Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Strugë etj., si qytete të njohura për veçoritë e tyre kulturore. Ky projekt u realizua nga studentë të qyteteve të lartpërmendura, të cilët studiojë në katedrat e fakulteteve të Universitetit të Tetovës.
Zyra për Informim