Në Universitetin e Tetovës, më 19 shkurt 2018, u promovua libri “TERRITORI I LUFTËS SË HESHTUR (Trende dhe dinamika të reja gjeopolitike në Evropën Juglindore)” i autorit Selim Ibraimi. Në emër të Universitetit të Tetovës, të pranishmit në promovimin e këtij libri i përshëndeti Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Ferat Polisi. Ai e falënderoi autorin Selim Ibrahimi që ka zgjedhur Universitetin e Tetovës për të promovuar veprën e tij, e cila ka të bëjë me zhvillimet gjeopolitike në Evropën Juglindore, me theks të veçantë në Republikën e Maqedonisë.

Recensenti i librit, Prof. Dr. Fehari Ramadani tha se vepra “TERRITORI I LUFTËS SË HESHTUR (Trende dhe dinamika të reja gjeopolitike në Evropën Juglindore)” e njohësit të mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare, Mr. Selim Ibraimi, është rezultat i hulumtimeve disavjeçare të tij mbi problemet e Ballkanit. “Materiali që na ofron autori përbën një kontribut të rëndësishëm për njohjen më të mirë të çështjeve ende të pazgjidhura në Ballkan. Shumë nga problemet me të cilat sot ballafaqohen disa nga popujt e Ballkanit, janë të trashëguara që nga periudha osmane. Lindja dhe zhvillimi i ndjenjave nacionaliste te popujt e ndryshëm ballkanikë dhe përhapja gjithnjë e më e madhe e idesë së krijimit të shteteve-kombe, bëri që midis popujve të ndryshëm të zhvillohej rivalitet dhe armiqësi për të pushtuar territore të huaja ose përpjekje për asimilim apo shpërngulje të pjesëtarëve të “popullit të huaj”. Ideja për të krijuar shtet etnikisht të pastër bëri që në periudha të ndryshme, duke filluar që nga shek. XIX e deri në fillim të shek. XXI, populli që kishte pushtetin në një shtet të caktuar, t’i luftonte me të gjitha mjetet pjesëtarët e popujve të tjerë. Këto veprime shkaktuan konflikte dhe luftëra të vazhdueshme midis popujve ballkanikë. Synimet e shteteve ballkanike (Serbisë, Greqisë, Malit të Zi, Bullgarisë), që nga koha e Luftërave Ballkanike (1912-1913) e në vazhdim, ishin shpërngulja, asimilimi, konvertimi ose shfarosja e plotë e grupeve të caktuara etnike” tha Prof. Dr. Fehari Ramadani.

Ndërsa recensenti, Doc. Dr. Jusuf Zejneli, vlerësoi se në këtë vepër autori ka hedhur një këndvështrim rreth diplomacisë amerikane karshi perspektivës së Ballkanit Perëndimor. “Mr. Selim Ibrahimi ka sjellë një përvojë të re lidhur me sistemin politik të Republikës së Maqedonisë nga këndvështrimi i politikave të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të posaçëm sfidat e shoqërive multietnike, duke përfshirë edhe perspektivat e Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim, ky studim bazohet në shumë fakte, argumente, burime konkrete, të cilat e begatojnë veprën e tij” – tha recensenti Jusuf Zejneli.

Ndërsa autori i librit, Mr. Selim Ibraimi, tha se ndër temat kryesore të cilat i ka cekur në këtë vepër janë ardhja e Donald Tramp në krye të SHBA-ve si President, zhvillimet politike në Ballkan, ndërhyrjet ruse dhe çështja e Maqedonisë. “Po ashtu në këtë libër është trajtuar edhe origjina e problemit të Maqedonisë që është çështja e emrit dhe si ky problem do të zgjidhet në të ardhmen ndërmjet palëve, pra mes Shkupit dhe Athinës. Aty lexuesi mund të gjejë disa propozime, modele për një Ballkan të qetë dhe pa konflikte ndëretnike. Ballkani ka qenë fushëbetejë e fuqive të mëdha dhe fuqive rajonale dhe sigurisht që dëshira për territore ka qenë një ndër programet kombëtare të qeverive ballkanike në të kaluarën dhe sot e kësaj dite. Pra edhe pse jemi në shekullin XXI përsëri Ballkani po bëhet fushë interesi rajonal dhe global” tha autori Selim Ibraimi.

Në këtë promovim gjithashtu u vu në dukje se vepra “TERRITORI I LUFTËS SË HESHTUR (Trende dhe dinamika të reja gjeopolitike në Evropën Juglindore)”, do t’u shërbejë studentëve të orientuar për studimin e marrëdhënieve ndërkombëtare si dhe studiuesve që merren me këtë çështje. Gjithashtu, vepra në fjalë do t’i shërbejë dhe opinionit të gjerë, i cili ka interes të njihet me këtë problematikë.