Në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë së Universitetit të Tetovës, sot u bë promovimi i dy botimeve të reja në lëmin e mjekësisë interne. Librat, Praktikumi i mjekësisë interne I dhe Praktikumi i mjekësisë interne II”, të autorëve, Prof. Dr. Atilla Rexhepi dhe Doc. Dr. Valon Asani, prej sot do të shërbejnë si literaturë bazë për studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë në përgaditjen profesionale të tyre për mjekësinë interne.

Në promovimin e këtyre veprave morën pjesë një numër i madh personalitetesh, në mesin e tyre edhe rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, dekanë fakultetesh, senatorë, mjekë, si dhe një numër i madh studentësh, të cilët shprehën interesim tejet të madh për këto botime.

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë së Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Sahmedin Sali u shpreh se promovimi i këtyre librave paraqet një ngjarje dinjitoze për mjekësinë, ku përmes këtij impakti shkencor rriten dhe intensifikohen akoma më tepër vlerat e komunikimit. “Botimet e këtyre librave janë një vlerë e veçantë e mësimdhënësit, sepse në kuptimin e vërtetë të fjalës janë shtylla kryesore për t’u formuar si pedagogë të kompletuar e bashkëkohorë. Dua të apeloj tek të gjithë mësimdhënësit, pedagogët e rinj, që të japin përkushtim më të madh shkencor përmes rrugës së botimeve të librave të ndryshme, sepse ky është drejtimi i duhur për rritjen e vlerës profesionale e arsimore, përmes kësaj mënyre e rrisim cilësinë dhe ngremë vlerat universitare e shkencore. Dua t’i përgëzoj dy autorët dhe t’u dëshiroj suksese në fushën akademike, duke vazhduar edhe më tej me botime të tjera profesionale”, theksoi Prof. Dr. Sahmedin Sali.

Recensenti i këtyre vëllimeve, Prof. Dr Emrush Kryeziu, duke folur për përmbajtjen e këtyre botimeve u shpreh se, autorët brenda teksteve që kanë hartuar kanë treguar mjeshtëri të madhe profesionale. Sipas tij, këto libra në të ardhmen, jo vetëm që do t’u shërbejnë studentëve, por edhe stafit akademik dhe mjekëve në veçanti. “Këto libra janë shkruar me mjaft kujdes. Kam pasur rastin t’i analizoj pikë për pike dhe me të vërtetë kanë aplikuar një mjeshtëri të madhe. Këto tekste janë të hartuara në nivel të lartë, të ilustruara me grafikone dhe fotografi, të cilat i përgjigjen degës për të cilën janë shkruar”, u shpreh Prof. Dr. Emrush Kryeziu.

Sipas Prof. Dr. Atilla Rexhepi, bashkautor i këtyre botimeve, këto praktikume të mjekësisë interne janë konceptuar të jenë si një doracak, ose vademekum për lëndën e Mjekësisë Interne, që është një lëndë shumë e gjerë për t’u studiuar. “Duke dashur që t’u dalim në ndihmë studentëve, për ta absolvuar sa më mirë këtë lëndë mësimore, ne i kemi përgatitur si ekip, bashkë me dr. Valonin dhe studentët, pasi pikërisht për studentët bëhet kjo, një libër që do të jetë udhërrëfyes dhe që do të shërbejë për mësimin e Mjekësisë Interne për vitin IV dhe vitin V të studimeve. Libri është akredituar dhe është bërë me lejen e Universitetit të Tetovës, ka kaluar të gjitha fazat e recensionit dhe të lektorimit, ashtu që ne mendojmë se kemi arritur të bëjmë një tekst të mirë, sigurisht është botimi i parë, do të shohim se si do të pranohet kjo nga studentët, dhe normalisht do të jemi të hapur për vërejtjet e tyre, që në të ardhmen ta përmirësojmë dhe të del një tekst ende më i mirë”, tha Prof. Dr. Atilla Rexhepi.
Ndërsa bashkautori tjetër, Doc. Dr. Valon Asani tha se ky praktikum është përgatitur për një periudhë katërvjeçare, bazuar në nevojat që kishin studentët, si dhe problemet e përditshme që i hasnin nëpër literaturë. “Ne jemi munduar të bëjmë një praktikum, i cili do t’í angazhojë studentët që ta kalojnë plan programin, por njëkohësisht edhe për mësimdhënësit, pasi të dyja palët janë të obliguara që në fund të mësimit të japin raport. Në praktikum kemi edhe pjesën e nënshkrimit të profesorëve edhe të studentëve, të cilët janë prezent nëpër ushtrime. Është me rëndësi të ceket se në këtë fazë praktikumin e kemi për studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, pasi çdo herë përmenden disa tema dhe ne kemi mbledhur donacione nga njerëzit, dashamirë të arsimit dhe tirazhi i parë i librave, prej 1000 copë, do të shpërndahet falas për studentët, që mendojmë se do t’í kalojë tre-katër gjenerata. Nëse kjo si praktikë do të tregohet se e ka arritur qëllimin, ne me këtë do ta vazhdojmë edhe më tutje. Tirazhi i librave mendojmë se do të mjaftojë për pesë gjenerata, por shpresojmë se pas disa viteve, do të botojmë libër tjetër”, nënvizoi mes tjerash, Doc. Dr. Valon Asani.
Më pas, për të gjithë studentët e viteve të katërta dhe të pesta të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, librat Praktikumi i mjekësisë interne I dhe Praktikumi i mjekësisë interne II u ndanë falas.

Zyra për Informim