//Një delegacion i Universitetit të Tetovës e vizitoi Muzeun e Alfabetit në Manastir

Një delegacion i Universitetit të Tetovës e vizitoi Muzeun e Alfabetit në Manastir

2021-11-22T17:33:23+00:00 Nëntor 22, 2021|

Një delegacion nga Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, i kryesuar nga dekani, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, sot, në 113 – vjetorin e Kongresit të Manastirit, Alfabetit të gjuhës shqipe, e vizitoi Shtëpinë Muze në Manastir, në cilën prej 14-22 nëntor 1908 i zhvilloi punimet Kongresi për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Dekani i Fakultetit Pedagogjik, së bashku me pedagogët dhe përfaqësuesit e studentëve u pritën nga drejtori i këtij institucioni kulturor, Zait Aliu.

Prof. Dr. Lulzim Mehmedi theksoi se kësaj date historia jonë i ka dhënë vendin dhe rolin që i takon, andaj është në detyrën e institucioneve arsimore – shkencore, të historianëve, gjuhëtarëve, etnologëve, intelektualëve  shqiptarë dhe të huaj, që të hedhin dritë mbi rrethanat komplekse historike, politike dhe kulturore të periudhës së kaluar dhe të sjellin sa më shumë fakte për këtë ngjarje kaq të rëndësishme për gjithë popullin shqiptar.

Po ashtu, dekani Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, gjatë kësaj vizite, në emër të Rektorit të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti, drejtorit të Muzeut të Alfabetit, Zait Aliu, në shenjë mirënjohje i dhuroi  portretin e  themeluesit, Rektorit të parë e historik të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit.

Me këtë rast, drejtori Aliu shprehu mirënjohje dhe e vlerësoi lartë kontributin e Universitetit të Tetovës në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës standarde shqipe. Para mysafirëve të pranishëm, studentët e Fakultetit Pedagogjik, Sena Hoda dhe Nexhmije Sulejmani, me paraqitjen e tyre skenike evokuan kujtime dhe u prezantuan me recital për rrugëtimin e shkronjave shqipe deri në miratimin përfundimtar të Alfabetit të njësuar.

Duhet theksuar se, në 113-vjetorin e Kongresit të Manastirit, Universiteti i Tetovës e ka organizuar edhe Seminarin XV Ndërkombëtar të Albanologjisë, punimet e të cilit u realizuan në temën: ”Shqiptarët dhe kultura e kujtesës”.