Studentë nga të gjitha njësitë akademike të Universitetit të Tetovës morën pjesë në turneun në futboll të vogël, i cili u organizua nga Parlamenti Studentor. Ky turne ka qenë me karakter garues dhe në të kanë marrë pjesë gjithsej 25 ekipe.

Aktivitetet sportive të kësaj natyre, sipas Kryetares së Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, Donika Kamberi, kanë për qëllim nxitjen e studentëve të marrin pjesë në më shumë aktivitete të lira, përmes së cilave do ta zgjerojnë miqësinë mes tyre. “Tashmë është bërë traditë organizimi i turneut në futsal nga Parlamenti Studentor, qëllimi parësor dhe i vetëm i të cilit është njohja e studentëve mes vete dhe nxitja e shpirtit garues. Me këtë aktivitet u dëshmua edhe një herë interesimi i madh për pjesëmarrje në turne nga ana e studentëve me ç’rast në emër të Parlamentit Studentor shpreh falënderime dhe mirënjohje të pakufishme për impaktin pozitiv që studentët e të gjitha drejtimeve i dhanë kësaj gare” – deklaroi Donika Kamberi.

Në tri vendet e para të këtij turneu u renditën ekipet e përbëra nga studentët e Fakultetit të Kulturës Fizike të Universitetit të Tetovës. Fitues i këtij turneu u shpall ekipi i studentëve të vitit të dytë, të cilët në finale shënuan fitore ndaj ekipit të studentëve të vitit të parë. Ndërsa në ndeshjen që u zhvillua për vendin e 3-të ekipi i studentëve të Fakultetit të Kulturës Fizike fitoi ndaj ekipit të studentëve të Informatikës nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore.

Për tri vendet e para u ndanë kupat dhe disa shpërblime. Fituesit të vendit të parë, kupën ia ndau Prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili, fituesit të vendit të dytë, kupa iu nda nga Kryetarja e Parlamentit Studentor, Donika Kamberi, ndërsa vendit të tretë, kupën ia dorëzoi Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. Dr. Ajri Ziba. Po ashtu u ndanë mirënjohje dhe dhurata edhe për dy arbitrat e këtij turneu, Mirsat Fazlija dhe Amir Bardhi, të cilëve ua ndau shpërblimet Prorektori për Financa i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Alifeta Selimi.