Me moton “Së bashku”, Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës, pas tërmetit vdekjeprurës në Shqipëri, ka ndërmarrë një aksion për grumbullimin e mjeteve financiare për familjet që pësuan nga kjo fatkeqësi natyrore me pasoja të rënda në njerëz dhe dëme të pallogaritshme materiale. Aksioni ka filluar sot dhe i njëjti realizohet në selinë qendrore të Universitetit të Tetovës, në Rektorat, Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore dhe në sheshin “Iliria” të qytetit të Tetovës.
Drejtuesit e Parlamentit Studentor u kanë bërë thirrje studentëve, profesorëve, të gjithë qytetarëve pa dallim, që në këto momente kaq të vështira, të solidarizohen me bashkëkombësit tanë në Thumanë dhe Durrës, të cilët si kurrë më parë kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e secilit prej nesh. Mjetet e grumbulluara financiare dhe ndihmat tjera për veshmbathje dhe ushqim, do t’i dorëzohen Shtabit të Emergjencës Civile në Republikën e Shqipërisë.
Duhet theksuar se studentët, profesorët, qytetarët e Tetovës dhe jo vetëm, e kanë mbështetur këtë aksion të studentëve të Universitetit të Tetovës, dhe në këtë mënyrë për të satën herë me radhë e dëshmojnë me vepër humanizmin dhe solidaritetin e tyre në raste fatkeqësish, sikurse është edhe tërmeti që e goditi zonën bregdetare të Republikës së Shqipërisë.

Zyra për Informim