Për shumë qytetarë të Tetovës, por edhe më gjerë, hapësirat e gjelbërta të kampusit të Universitetit të Tetovës mbeten vendi më i frekuentuar gjatë fundjavave.  Si rezultat i investimeve që janë realizuar në infrastrukturën – ambientet e jashtme, ku dominojnë parqet, Universiteti i Tetovës para fillimit të pandemisë Covid -19 u shndërrua në destinacionin më të vizituar arsimor – turistik. Shkollat fillore, shkollat e mesme, çerdhet e fëmijëve, klubet sportive dhe institucione tjera nga vendi ynë, janë vetëm një pjesë e listës së vizitorëve që i kanë “shijuar” ambientet unike të këtij institucioni të arsimit të lartë në gjuhën shqipe.

Nisur nga numri i madh i vizitorëve që është rritur dukshëm ditëve të fundit, Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës këtë fundjavë ka shpërndarë broshura me mesazhin “Universiteti i Tetovës, shtëpia e të gjithëve.” Broshurat përmbajnë informacione mbi kujdesin dhe rëndësinë që duhet kushtuar hapësirave të gjelbërta, terreneve sportive, fontanave të ujit, pushimoreve dhe parqeve të shumta. Parku i Universitetit të Tetovës është hapësira jonë e përbashkët, dhe është pjesa më e bukur e qytetit ku ndërthuret e bukura e natyrës dhe mirëmbajtja e dorës së njeriut. Në çdo pjesë të ditës qytetarët pa dallime moshe mund t’i shfrytëzojnë hapësirat e këtij parku. Një vrap i lehtë mëngjeseve, disa çaste çlodhjeje gjatë drekës nën hijen e “drunjve binjakë”, ecjet dhe shëtitjet e parambrëmjeve te pishat e “parkut të librit”, momentet e freskisë të shoqëruara nga shushurimat e ujit të fontanës në mes të gjelbërimit i japin këtij parku gjallërinë dhe ngrohtësinë e një shtëpie të dytë për qytetarët, në çdo kohë.

Me shpërndarjen e broshurave për vizitorët studentët bëjnë thirrje që të  kujdesemi për ambientet e gjelbërta të UT-së sikur  për shtëpitë tona, pasi që parku i UT-së është vendi i përbashkët i të gjithëve i cili na bashkon dhe i shijojmë të gjitha bukuritë e tij , pa diferencime. “Uji i bollshëm, pushimoret e vendosura  në gjithë hapësirën, shportat e mbeturinave të pranishme thuajse në çdo cep vetëm na e  lehtësojnë mirëmbajtjen e parkut dhe kujdesin për të. Gjelbërimet dhe lulet shumëngjyrëshe le të jenë vendi ku prehen sytë tanë dhe jo vendi ku pamëshirshëm shkel këmba jonë. Me kujdesin tonë ndaj natyrës le t’u japim shembuj brezave të rinj që vijnë bashkë me Ju dhe bëjnë miq të moshës së tyre, se angazhimi i përbashkët jep rezultate më të mira dhe se siç sot ata lozin, nesër do të lozin fëmijët e tyre në atë vend, gjithmonë nëse kujdesemi për të dhe nuk e dëmtojmë”.

Shpërndarja e këtyre broshurave ka për qëllim ruajtjen dhe mirëmbajtjen e hapësirave të jashtme të UT-së nga çdo vizitor pasi që është vendi me më shumë gjelbërim dhe më i frekuentuari në qytet. Edhe vizitorët shprehen të kënaqur për këtë mundësi që sidomos gjatë ditëve të pushimit, një pjesë të kohës së tyre ta kalojnë në UT, ku mirëmbajtja dhe pastërtia janë në nivel.