Me rastin 18 dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Arabe, këtë vit kjo datë për herë të parë u shënua në Paris, nën organizim të UNESCO-s dhe Fondacionit “Sulltan Bin Abdulaziz Al-Saud”.
Në mesin e shumë arabologëve dhe pedagogëve të arabishtes nga vende të ndryshme evropiane dhe vende të tjera të botës, mori pjesë edhe Prof. Dr. Adnan Ismaili nga Universiteti i Tetovës.
Gjatë punimeve të realizuara, në sesionin e paradites, profesor Ismaili e bëri prezantimin e përgjithshëm të Universitetit të Tetovës, foli për rëndësinë që ka ky universitet për botën akademike në vendin tonë, ndërsa në veçanti foli për degën e Filologjisë Orientale në Universitetin e Tetovës dhe për studimin e gjuhës dhe letërsisë arabe në këtë universitet. Ndërkaq në sesionin e pasdites, ai diskutoi për zhvillimet e gjithëmbarshme në kontekst të studimit të arabishtes në rajonin tonë, për nevojën, sfidat, problemet dhe mundësitë e bashkëpunimit për zhvillimin e arabistikës në rrethanat shqiptare.
Po theksojmë se profesori i UT-së ishte përfaqësuesi i vetëm shqiptar në këtë konferencë, ku nga rajoni kishte përfaqësues vetëm nga Bosnja e Hercegovina.
Përfaqësimi i Universitetit të Tetovës në UNESCO, në kohën kur po shënohet 25-vjetori i themelimit të tij, është një mundësi e jashtëzakonshme për universitetin tonë.Zyra për Informim