Dekani i Fakultetit të Administrim – Biznesit nga Universiteti i Ilinoisit Verior të Çikagos së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prof. Dr. Raxhagopalan Ballazhi, para studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Tetovës, më 29 nëntor 2018, mbajti një ligjëratë profesionale, me temë: „Transformimet dixhitale“.
Ai, fillimisht në pika të shkurtëra e konceptoi modelin amerikan të prezantimit, duke e bërë ligjëratën e tij sa më atraktive për studentët. Sipas tij, transformimet dixhitale në të gjithë botën kanë lëvizur me një intensitet shumë të shpejtë, duke ofruar mundësi të shumëta dhe lehtësime të mëdha në të gjitha poret e jetës dhe se dixhitalizimi është shndërruar në një nxitës të madh të ndryshimit dhe të përparimit të shoqërisë. Siç tha ai, përmes zhvillimit teknologjik, sot njerëzit thuajse tërësisht po kthehen në dixhital, nisur nga fakti se dixhitalizimi nga dita në ditë po shënon rritje shumë të madhe dhe se inovacionet në teknologjinë dixhitale nuk kanë të ndalur. Ai më tej shtoi se e ardhmja i takon dixhitalizimit, pasi që përmes kësaj teknologjie njerëzit do ta kenë më të lehtë që t’u prijnë proceseve dhe të përparojnë dukshëm në punën e tyre.
Prof. Dr. Raxhagopalan Ballazhi i inkurajoi studentët që sa më shumë të kenë qasje në këto teknologji dhe njëherit u bëri thirrje që të jenë pjesë e proceseve të ndryshimeve të mëdha që ndodhin në botë përmes zhvillimeve teknologjike. Ai apeloi deri te studentët tanë që në të ardhmen ta vizitojnë Universitetin e Ilinoisit Verior dhe të jenë pjesë e këtij universiteti duke studiuar në ndonjë program studimor.
Po ashtu, ai para studentëve tha se Universiteti i Ilinoisit Verior ka krijuar partneritet strategjik në Ballkan me Universitetin e Tetovës dhe tanimë e menaxhojnë edhe programin e përbashkët studimor për Administrim të biznesit, në ciklin e dytë të studimeve, e që është një mundësi shumë e mirë për secilin që dëshiron t’i vazhdojë studimet në këtë fushë.
Zyra për Informim