Universiteti i Tetovës, në bashkëpunim me partnerin e tij strategjik ndërkombëtar, Universitetin e Ilionisit Verior, organizuan konferencën e dytë shkencore me temë “Problemet globale dhe praktikat e komuniteteve në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar në promovimin e paqes dhe komunikimit transkulturor”.

Konferenca i zhvilloi punimet në hapësirat e Universitetit të Ilinoisit Verior e në emër të Universitetit të Tetovës dhe Rektorit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, studiuesit shkencorë i përshëndeti Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Hazir Pollozhani, i cili ndau me të pranishmit idetë e tij rreth këtij organizimi, duke theksuar: “Kjo konferencë e dytë e qendrës për paqe është padyshim një mundësi e shkëlqyer për ne që të shkëmbejmë ide, informacione dhe pikëpamje se si të bëhemi shoqëri demokratike mbi baza të modelit amerikan. Ajo gjithashtu ofron mundësi për t’i identifikuar dhe zgjidhur problemet ekzistuese të shoqërive. Roli amerikan në Maqedoni është tejet i rëndësishëm në çdo segment, sepse nëpërmjet projekteve të caktuara u ndihmon proceseve të ndërlikuara jo vetëm politike, por edhe atyre ekonomike dhe edukative” – tha Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Hazir Pollozhani.

Nikoqiri i kësaj konference, Prorektori i Universitetit të Ilinoisit Verior, Prof. Dr. Bradley Bond, tha se Universiteti i tyre e çmon fort partneritetin institucional që ka me Universitetin e Tetovës, si përfaqësues i arsimimit universitar, kërkimit shkencor, debatit të lirë dhe ndikimit pozitiv në zhvillimin e proceseve të përgjithshme në Republikën e Maqedonisë. “Universiteti ynë e vlerëson lart seriozitetin e Universitetit të Tetovës, tani më në rolin e partnerit strategjik. Nga të gjitha bashkëpunimet që kemi me universitetet prestigjioze ndërkombëtare, ne e veçojmë Universitetin e Tetovës, ngase është i vetmi institucion që tregon sinqeritet dhe korrektësi në çdo bashkëpunim që kemi dhe për këtë u jemi tepër mirënjohës drejtuesve të UT-së e në veçanti Rektorit, Prof. Dr. Vullnet Ameti” – u shpreh Prof. Dr. Bradley Brond.

Konferenca në fjalë mblodhi studiues të fushave të ndryshme, të cilët nëpërmjet elaborateve të tyre dhanë shpjegime se si vendimet lokale kanë ndikim global dhe nëpërmjet debateve nxorën konkluzën se paqja dhe stabiliteti nuk janë lukse të kohës, por janë nevojë e saj dhe një prioritet i pakontestueshëm. Me këtë rast u la të nënkuptohet se Universiteti i Tetovës, në mënyrë proaktive dhe më shpejt se të tjerët e kuptoi se Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor është vetëm një segment prej ku do të importohet demokratizimi i vlerave nacionale, për t’u hapur më pas porta e madhe e kryqëzimit të ideve, kapaciteteve dhe kulturave. Ky tubim shkencor dha një porosi se të gjithë shoqëritë demokratike do të jenë të tilla vetëm nëse mendojnë mbi baza globale dhe punojnë mbi baza lokale.

Në kuadër të kësaj konference studiuesit shkencorë nga universitete të ndryshme prestigjioze amerikane, profesorë dhe studentë, së bashku me përfaqësuesit e Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Ilinoisit Verior e vizituan muzeun Blackwall, në të cilin është e hapur ekspozita e Universitetit të Tetovës. Gjatë qëndrimit të tyre në këtë muze të pranishmit u befasuan me historikun e Universitetit të Tetovës përmes fakteve dhe dëshmive të ndryshme, argumente këto që e përshkruajnë historikun e Universitetit të Tetovës që nga themelimi e deri më sot. Studentët dhe profesorët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shprehën mjaft të befasuar me ecurinë e Universitetit të Tetovës ndër vite dhe si edhe pas gjithë këtyre sfidave ka arritur që vizionin e tij ta ndërtojë me orientimin pro-perëndimor dhe pro – amerikan. Ekspozita e Universitetit të Tetovës në muzeun Blackwall është hapur në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa do të qëndrojë e hapur deri në fund të vitit akademik, për t’u zhvendosur më pas në lokacione të tjera brenda kampusit universitar, për të qenë sërish në dispozicion të studentëve dhe vizitorëve.