//Ranglista e re e Webometrics: UT shënon ngritje prej 1020 vendesh dhe mban vendin e tretë në nivel nacional

Ranglista e re e Webometrics: UT shënon ngritje prej 1020 vendesh dhe mban vendin e tretë në nivel nacional

2021-02-03T10:54:00+00:00 Shkurt 03, 2021|

Në ranglistën e Webometrics, Universiteti i Tetovës është ngjitur në pozitën e tretë në nivel nacional, ndërsa në nivel botëror Universiteti ynë ka shënuar ngritje për 1020 vende.

Në vitin 2014, në ranglistën e Webometrics, Universiteti i Tetovës, në nivel botëror ka qenë në pozitën e 11344, ndërsa tre vjet më vonë, në vitin 2017, ka pasur ngritje për 5334 vende dhe ka mbajtur pozitën e 6000 në nivel botëror, ndërsa pozitën e 7 në nivel nacional. Sukseset e UT-së kanë vijuar, ndaj në vitin 2019 Universiteti i Tetovës është ngritur për 303 vende, duke mbajtur pozitën  e 5679 në nivel botëror. Në ranglistën e fundit të publikuar nga Webometrics për vitin 2021, Universiteti i Tetovës ka pasur një ngritje prej 1020 vendeve, duke qëndruar në pozitën e 4677 në nivel botëror dhe në pozitën e tretë në nivel nacional.

Në bazë të të dhënave të  Webometrics vërehet se te të gjitha universitetet tjera në nivel nacional është shënuar rënie për qindra pozita. Rangimi i universiteteve në Webometrics bëhet në bazë të disa kritereve si: hulumtimet shkencore, botimet, numri i studentëve, si dhe përmbajtja dhe shpërndarja e informacioneve nga burimet elektronike nga institucionet e arsimit të lartë.

Webometrics është ranglista më gjithëpërfshirëse e vlerësimit të institucioneve të arsimit të lartë, në të cilën vlerësohen rreth 30 mijë universitete nga e gjithë bota dhe konsiderohet si një nga ranglistat më të rëndësishme, sepse ndjek trendet e transformimit të arsimit të lartë me mbështetjen e teknologjisë së komunikimit dhe informimit.

Zyra për Informim