Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, u shpall Ambasador i Paqes nga Federata për Paqe Universale e Shqipërisë. Këtë titull, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti, e pranoi me rastin e krijimit të degës së Këshillit Shqiptar për Paqe në Maqedoni.

Pas marrjes së këtij çmimi, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, theksoi se shtrirja e veprimtarisë së Këshillit të Paqes në trevat shqiptare e konfirmon vullnetin e kombit tonë se ne gjithmonë i kemi përqafuar idetë përparimtare, zhvillimin e vendit, avancimin e proceseve demokratike, prosperitetin e përgjithshëm dhe se ndër vite kemi punuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të vendit dhe rajonit në përgjithësi. “Historia jonë dëshmon se kombi shqiptar, si një nga kombet më të vjetra të gadishullit ku ne jetojmë dhe veprojmë, në vazhdimësi i ka shërbyer paqes, qytetërimit e përparimit, gjithnjë duke u udhëhequr nga idetë proevropiane dhe properëndimore. Kontributi ynë i përbashkët në funksion të forcimit të paqes dhe stabilitetit, vlerësoj se është shërbimi më i çmuar që ne mund të japim për shqiptarët kudo, është investimi më i mirë për të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të ardhmen e brezave që vijnë pas nesh. Në këtë drejtim, Universiteti i Tetovës, është angazhuar pareshtur që të kultivojë kulturën e mirëkuptimit mes popujve, të sensibilizojë opinionin me rreziqet që herë pas here e kanosin vendin tonë dhe rajonin. Nga studimet tona rezulton se, shekullin XXI, mendimtarë të njohur e kanë parashikuar si shekull të përplasjeve të mëdha, në të cilin paqja, prosperiteti dhe siguria globale ndjehen të rrezikuara, ndaj ne si bartës të institucioneve arsimore, fetare, kulturore, por edhe të tjerëve, duhet që të gjithë së bashku të punojmë në forcimin e diversitetit kulturor, si virtyt i harmonisë ndëretnike, bashkëjetesës fetare dhe ndërfqinjësore. Ne si universitet, shqetësimet dhe sfidat e lartpërmendura i kemi shtruar për diskutim në panele të ndryshme, debate publike, simpoziume dhe konferenca shkencore” – vlerësoi Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ai po ashtu vuri në dukje se të udhëhequr nga parimi universal, të jetosh për hir të të tjerëve dhe se qeverisja në demokraci është mision dhe jo privilegj, ne si universitet, vite më parë, së bashku me Universitetin e Ilinoisit Verior nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kemi hapur Qendrën për Paqe dhe Menaxhim Transkulturor, e cila ka për qëllim avancimin e paqes, menaxhimin e konflikteve dhe mirëkuptimin ndërkulturor, aplikimin e një platforme akademike neutrale, në të cilën bazohet nxitja e shumëllojshmërisë së diskutimeve, me qëllim të arritjes së paqes përmes modelit të arsimit. “Universiteti i Tetovës gjithashtu ka realizuar një bashkëpunim të shkëlqyer me Universitetin e Vjenës dhe Universitetin e Insbrukut, duke organizuar Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Religjioni dhe dhuna”, në të cilën punonjës shkencorë, përfaqësues të entitete të ndryshme dhe përfaqësues fetarë përcollën mesazhin e paqes, mirëkuptimit dhe të zhvillimit. Të vetëdijshëm edhe për misionin dhe detyrat që kemi si drejtues të Universitetit të Tetovës, qendra më e rëndësishme arsimore dhe shkencore e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, në vitin 2016, në vitin e shenjtërimit të Nënë Terezës, ne organizuam Konferencën Shkencore: ,,Jeta, veprimtaria dhe humanizmi i Nënë Terezës”, nobelistes, shenjtores shqiptare, humanistes më të madhe që ka njohur bota. Edhe pse një komb i vogël, por me përfaqësues, personalitete me përmasa botërore, si Ismail Kadare, Nënë Tereza, Gjergj Kastriot Skënderbeu etj. e falë misionit të tyre humanist dhe paqësor, ne shqiptarët kemi arritur të tërheqim vëmendjen e shteteve të mëdha evropiane, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve tjera perëndimore. Po ashtu dua t’i falënderoj nga zemra dhe t’Ju shpreh mirënjohjen e pakufishme drejtuesve të Këshillit për përzgjedhjen në cilësinë e Ambasadorit të Paqes, një vlerësim tejet të çmuar, të cilin unë e ndaj dhe ua dedikoj studentëve, profesorëve, punonjësve tjerë dhe miqve të panumërt të Universitetit të Tetovës” shtoi mes tjerash në vlerësimin e tij Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ndryshe, dje më 29 janar 2018, në Shkup u krijua Këshilli Shqiptar i Paqes në Maqedoni dhe me këtë rast disa personalitete shqiptare iu bashkëngjitën familjes së Ambasadorëve të Paqes. Këtë titull e ndan Federata Universale e Paqes dhe u jepet individëve që u përkushtohen praktikave që promovojnë vlera universale. Në themelimin e këtij Këshilli morën pjesë edhe ish- presidentët e Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, Kryetari i Federatës së Paqes për Evropën Lindore, Jack Corley, ish-kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi dhe shumë personalitete të tjera nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Federata e Paqes Universale është një rrjet global individësh dhe organizatash që i janë përkushtuar ndërtimit të një bote në paqe, bazuar në vlera morale dhe shpirtërore universale. Deri tani në botë numërohen mbi 100.000 Ambasadorë të Paqes, ndërsa në Shqipëri dhe Kosovë janë emëruar rreth 1500. Ambasadorët e Paqes i takojnë sferës politike, akademike, fetare, shoqërisë civile dhe të ngjashme.