Në Universitetin e Podgoricës në Republikën e Malit të Zi, më 24 prill 2019, u mbajt Forumi i Katërt i Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor. Fillimisht, nga rektorët pjesëmarrës u miratua Rregullorja e Punës së Forumit dhe u nënshkrua Marrëveshja Ndërinstitucionale Akademike për Bashkëpunim.
Përcaktimi i objektivave të përbashkëta ndëruniversitare në lidhje me zhvillimin e arsimit të lartë në nivel rajonal, në fushën e shkencës dhe artit, hulumtimit dhe bartjes së njohurive, si dhe planin e përcaktuar për forcimin e integritetit akademik mbeten qëllimet parësore të këtij forumi.
Në këtë forum morën pjesë rektorë të universiteteve nga Evropa Juglindore dhe Ballkani Perëndimor, në mesin e të cilëve edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai, duke iu referuar marrëveshjes ndërinstitucionale akademike për bashkëpunim u shpreh se me këtë akt u hapet rrugë të gjithë universiteteve të këtij forumi, që sa më lehtë t’i realizojnë qëllimet dhe interesat e tyre strategjike, duke operuar në fusha të ndryshme, si: investimin në infrastrukturën bashkëkohore teknike – teknologjike, investimet në hulumtimet dhe kërkimet shkencore me mbështetje të fondeve të ndryshme ndërkombëtare ,të cilat i mbështesin politikat e arsimit sipëror në rajonin tonë e më gjerë.
Ndërsa Rektori i Universitetit të Podgoricës, Prof. Dr. Danillo Nikoliç vuri në dukje se nga kjo marrëveshje ka një sërë mundësish për përmirësimin e perspektivave të bashkëpunimit dhe zhvillimit ndërkombëtar të rajonit. Sipas tij, tani është koha që nga propozimet e këtij forumi të kalohet në veprime konkrete. Ai shtoi se është shumë e rëndësishme që idetë e përbashkëta të barten në auditorët dhe laboratorët e universiteteve të këtij forumi, duke mobilizuar ekipe shumë disiplinore dhe hulumtuese për të punuar në thellimin njohurive dhe informacioneve, si dhe krijimin e bazës së përbashkët shkencore dhe të infrastrukturës kërkimore.
Gjatë qëndrimit në Universitetin e Podgoricës, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti mori pjesë edhe në shënimin e 45-vjetorit të themelimit të këtij universiteti, ndërsa në shenjë mirënjohje për bashkëpunimin ndërinstitucional, Rektorit të Universitetit të Podgoricës, Prof. Dr. Danillo Nikoliç, i ndau një dhuratë me portretin e Heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Vizita e Rektorit të UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti në Universitetin e Podgoricës u përmbyll me mbjelljen e një peme ulliri në kampusin e këtij universiteti.
Zyra për Informim