Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, sot në kabinetin e tij priti në takim kampionin evropian të karatesë për U21, Doan Osmanin, bashkë me dekanin e Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. Dr. Haki Ismaili.
Me këtë rast, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, e përgëzoi kampionin Doan Osmani për suksesin e tij të arritur në këto gara. Ai tha se me këtë fitore, Doan Osmani, përveç se ka arritur ta bëjë krenar reprezentacionin e Maqedonisë, ka gëzuar edhe gjithë popullatën shqiptare në vendin tonë dhe më gjerë. “Me kampionin e ri Doan Osmani mburremi edhe ne pasi që ai aktualisht është student në vit të dytë në Fakultetin e Kulturës Fizike të Universitetit të Tetovës. Është një ndjenjë dhe emocion i veçantë të presësh në takim një student, i cili përveç medaljeve të fituara në këto gara, kthehet edhe si kampion i karatesë në U21. Ne gjithmonë i kemi mbështetur dhe do i mbështesim studentët tanë të të gjitha profileve, pavarësisht lëmës së tyre të studimeve. Për këtë arritje të Doan Osmanit sigurisht që merita të veçanta ka edhe ish-studenti i Fakultetit të Kulturës Fizike të UT-së, njëherit trajneri i tij, z. Arlind Huseini, të cilin dua ta përgëzoj për punën dhe kontributin e tij që ka dhënë në përgatitjen profesionale të Doanit që të arrijë deri te kjo fitore. Unë me shumë kënaqësi e prita sot në takim dhe e inkurajova atë, që të vazhdojë edhe në të ardhmen të punojë në këtë sport dhe të korrë suksese të tjera. Shpresoj se në garat universitare të karatesë që do mbahen në Zagreb këtë vit, Doan Osmani do ta përfaqësojë denjësisht Universitetin e Tetovës dhe do të arrijë të shpallet kampion, njëjtë siç u shpall kampion i Evropës më 10 shkurt 2019 dhe kampion ballkanik për të dytin vit me radhë. ” – tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti
Kampioni evropian i karatesë për U21, Doan Osmani, u shpreh shumë mirënjohës dhe falënderues ndaj Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe dekanit të Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. Dr. Haki Ismaili për vlerësimin që ia bënë atij. “Për mua ishte kënaqësi që u prita në takim nga Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti, e falënderova atë për pritjen që më bëri, vërtet për mua ishte një ndjenjë e veçantë, sepse Rektori vlerësoi suksesin dhe punën time. Kjo më motivon shumë dhe sigurisht që unë kudo që të shkoj do të krenohem me Universitetin e Tetovës dhe do ta përfaqësoj me zemër e shpirt ashtu siç na nderon dhe përkrah Universiteti ynë neve studentëve” – tha kampioni Doan Osmani.
Për suksesin e arritur në kampionatin evropian të karatesë për U21, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, kampionit Doan Osmani i ndau një dhuratë me fotografinë e Universitetit.
Përndryshe në finalen e zhvilluar më 10 shkurt 2019, që u mbajt në Alborg të Danimarkës, Doan Osmani, arriti të shënojë fitore përballë karateistit nga Gjeorgjia, Nikit Belyavski, me rezultat të thellë 4- 0. Doan Osmani në rrugën drejt titullit evropian mposhti kundërshtarët Bekim Bashën nga Shqipëria, Enes Bulut nga Turqia, Brajan Luse nga Holanda dhe Dimitros Rigas nga Greqia.Zyra për Informim